Zaev: Nuk ka nevojë për zgjedhje të reja parlamentare

Nuk ka nevojë për zgjedhje të reja parlamentare, shumica parlamentare është stabile dhe mund të rritet, tha kryeministri Zoran Zaev, në intervistë për gazetën serbe “Politika”, e cila në botimin e sotëm publikoi dy intervista paralele me liderët e dy partive më të mëdha në vend – Zaev të LSDM-së dhe të VMRO – DPMNE-së, Hristijan Mickoski, transmeton Portalb.mk.

“Shteti ka Qeveri stabile – demokratike, evropiane, multietnike. Qeveria është shtylla që e ruan kursin që kemi vendosur që të gjithë së bashku ta përcaktojmë dhe në të cilin po ecim përpara. Koalicioni i Qeverisë është stabil dhe pres që të rritet. Nuk na duhen zgjedhje të reja. Pas një kohe të gjatë, përfundimisht kemi 2,5 vite para nesh, periudhë pa zgjedhje, ajo është mundësi e rrallë. Ajo është ajo që e kërkojnë qytetarët dhe ajo që është e domosdoshme për perspektivat ekonomike. Unë qëndroj bindshëm në atë se duhet të kapet kjo mundësi dhe shteti menjëherë pas këtyre zgjedhjeve të vazhdojë përpara drejt rritjes së pagave dhe pensioneve dhe drejt hapjes së 150,000 vendeve të reja të punës, sa kemi planifikuar për vitet e ardhshme”, tha Zaev.

Ndërkohë, partneri i tij i koalicionit, lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, dje për TV 21 tha se, kryeministri Zoran Zaev nuk ka të drejtë kur paralajmëron dorëheqje. Sipas tij, këto janë zgjedhje lokale dhe ai nuk është kryetar komune.

“Mendoj se Zaev shpejtoi. Këto janë zgjedhje lokale. Zaev nuk ka kandiduar për kryetar komune. Zaev ka mandat katër vjeçar si kryeministër. Nuk e di cila është strategjia e tij, por nuk duhet të zhgënjehet. Ai duhet të punojë me ekipin e tij dhe të fitojnë në Shkup.

Kryeministri Zoran Zaev, para disa ditëve deklaroi se, do të japë dorëheqje nëse në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale të dielën, LSDM-ja humb në Qytetin e Shkupit. Por, shtoi ai, qeveria do vazhdojë të drejtohet nga partia e tij.

Në rrethin e parë të zgjedhjeve lokale në qytetin e Shkupit, kandidati i LSDM-së dhe kryetari aktual Petre Shilegov fitoi rreth 8 mijë vota më pak se kandidatja e pavarur, e mbështetur nga VMRO-DPMNE Danella Arsovska.

Në zgjedhjet lokale të 17 tetorit, në rrethin e parë, VMRO-DPMNE fitoi 22 komuna, LSDM 9 dhe BDI 3. Rrethi i dytë i zgjedhjeve lokale mbahet më 31 tetor.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button