COVID-19 nuk është skenar i trilluar por është pandemi globale

Edhe pse një dezinformatë klasike, përmbajtja që recensojmë në pak dit ka arritur të grumbullojë rreth 500 pëlqime dhe dhjetëra komente në rrjetet sociale. Përmbajtja ka nxitur revoltë tek komentuesit të cilët shprehen me urrejtje ndaj mjekëve si “bashkëpunëtorë” në trillimin e mashtrimit se COVID-19 është një skenar i përgatitur për qëllime të caktuara.  

Titulli i përmbajtjes që recensojmë është “Na habiti gjithë mjekja kineze, mjaftë më… kovidi ishte një skenar i cili…“. Përmbajtja në fjalë është një produkt shumë i varfër mediatik dhe nuk bazohet mbi asnjë standard gazetaresk, megjithatë këto dy elemente bazë nuk janë marrë parasysh nga lexuesit në internet. Përmbajtja fillimisht është publikuar në një portal me emrin “Gazeta Baner” dhe më pas është shpërndarë në “Facebook” nga një faqe me emrin “Ballkan News“.

Përmbajtja pretendon se një shkencëtare kineze me emrin Li Meng Yan ka zbuluar se Koronavirusi është prodhuar në laborator. Megjithatë këtij pretendimi nuk i është bashkangjitur asnjë fakt shtesë ose të dhëna shkencore të cilat do e mbështesnin këtë teori.

Përveç dezinformatës që përhap këtë përmbajtje e bënë edhe më shqetësuese interaksioni i madh në “Facebook”. Postimi ka marr rreth 500 pëlqime, dhjetëra komente dhe është shpërndarë nga rreth 200 përdorues tjerë të “Facebook”. Në komente vërehet një mllef dhe urrejtje ndaj mjekëve, të cilët sipas komentueseve janë bashkëpunëtorë të këtij mashtrimi të madh.

Kush është shkencëtarja kineze Li Meng Yan?

Li Meng Yan njihet në opinionin botëror për publikimet dhe intervistat që pretendojnë se SARS-CoV-2 është krijuar në një laborator të qeverisë kineze. Këto botime janë kritikuar ashpër gjerësisht nga komuniteti shkencor.

Nga shtatori i vitit 2020 deri në mars të vitit 2021, Yan shkroi një seri prej katër punimesh hulumtuese  preliminare, ku argumenton se SARS-CoV-2 nuk u shfaq natyrshëm por përkundrazi u prodhua në një laborator. Hulumtimet  (të cilat nuk iu nënshtruan një procesi rishikimi shkencor) u postuan në platformën Zenodo, një hapësirë virtuale me qasje të hapur ku çdokush mund të postojë kërkimet e tij.

Yan deklaroi se provat e inxhinierisë gjenetike u censuruan në revistat shkencore, gjoja si pjesë e “një komploti për të shtypur informacionin mbi këtë temë”. Megjithatë, shkencëtarë të tjerë nëpër botë kundërshtuan vlefshmërinë e hulumtimeve të Yan, bazuar në metodat e dobëta hulumtuese, fshehjen e financimit të hulumtimeve, përdorimin e pseudonimeve për bashkë-autorët në katër punimet hulumtuese. Komuniteti i shkencëtarëve gjithashtu zbuloi se punimet kurrë nuk ishin dorëzuar ndonjë revistë shkencore për shqyrtim. Virologët vlerësuan se punimet e Yan janë “jo-shkencore”, “shkencë të hedhurinave” dhe u shkruan për të përhapur “propagandë politike”.

Nga kërkimet mbi vërtetësinë e teorisë së Yan doli në pah se ajo është mbështetur nga një organizatë politike e lidhur me Steve Bannon, ish-strateg i Donald Trump, organizatë e cila asnjëherë më parë nuk kishte publikuar hulumtime shkencore apo mjekësore. Fshehja e burimit financiar të hulumtimit u përshkrua si një gabim në transparencën etike nga Dr. Adam Lauring, veçanërisht kur boton “ato që në thelb janë teori konspirative që nuk janë të bazuara në fakt”.

Një mbështetës tjetër i Yan rezulton të jetë miliarderi kinez Guo Wengui, i cili është një armik i qeverisë kineze dhe nga viti 2018 jeton në SHBA.

Në prill të vitit 2020, Yan u arratis në Shtetet e Bashkuara. Sipas mediave amerikane Yan nuk u arratis nga Kina por ishte një lojë e Steve Bannon dhe Guo Wengui, të cilët kishin për qëllim rritjen e ndjenjave anti-kineze, për të shpërqendruar vëmendjen e opinionit nga tema se si administrata Trump po përballej me pandeminë COVID-19 dhe nga ana tjetër për të ndikuar në rrëzimin e qeverisë kineze. Mediat amerikane raportuan se Guo dhe Bannon organizuan që Yan të fluturonte në klasin e parë nga Kina në Shtetet e Bashkuara, i siguruan strehim, e stërvitën atë në paraqitjet në media dhe organizuan intervista për të me prezantuesit konservatorë të mediave si Lou Dobbs dhe Tucker Carlson.

Burimi i informacionit: The Washington Post

Disklejmer, baner, Fact Check COVID19, verifikimi i fakteve, vertetematës, koronavirus, coronavirus, COVID, vertetematesi

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button