Alfred Cako sërish mashtron opinionin publik

Produktet mediatike jo-profesionale përbëjnë rrezik serioz për opinionin publik. Rreziku bëhet edhe më i madh kur personave jo-relevantë ju jepet hapësirë mediatike për të shpërndarë kaos dhe panik te lexuesit. Shembull tipik i këtij fenomeni është përmbajtja që recensojmë, ku një figurë kontroverse, tashmë “personazh publik”, pa asnjë fakt e burim shkencor pretendon se bota do të përballet me një pandemi të re pas një muaji.

Titull sensacional dhe një fotografi e frikshme ilustruese janë dy elementet kryesore të cilat e tërheqin lexuesin ta klikojë përmbajtjen që i shfaqet në ekran. E tillë është përmbajtja që recensojmë me titullin ” Alfred Çako Paralajmëron Hatanë: “Mbas 1 Muaji Do Dali Një Koronë E Re Që Do Ju Çajë Lëkurën”. Përmbajtja fillimisht është publikuar në portalin “Lajmi i fundit” më 7 gusht ndërsa disa ditë më parë e njëjta përmbajtje shpërndahet në rrjetet sociale. “Lajme Shqip” është profili në “Facebook”, ku postimi ka marr qindra reagime dhe dhjetëra shpërndarje të reja nga përdorues tjerë të “Facebook”.

Fakti që ky produkt mediatik nuk plotëson asnjë kriter gazetaresk nuk ka qenë aspak problem që të tërheq interesin e publikut. Është mjaftë shqetësues pretendimi që bënë përmbajtja në fjalë, ku thuhet se brenda pak kohësh njerëzit do të përballen me një pandemi të re. Sipas pretendimeve të përmbajtjes kjo pandemi do të jetë edhe më e ashpër se COVID19 dhe do jua rrjep lëkurën njerëzve. Të gjitha pretendimet bazohen në komentet dhe bindjet personale të konspiracionistit Alfred Cako. Është një parashikim i cili nuk përmban asnjë argument dhe fakt që të bën të besosh se mund të ndodhë kjo që e flet Cako.

Është mjaftë shqetësues fakti që disa media, për të pasur sa më shumë klikime dhe shikueshmëri, i japin hapësirën meditiatike personazheve të dyshimtë si Cako të cilët nxisin pasiguri, kaos dhe panik te qytetarët.

Dy kanalet mediatike të cilat na e përcjellin këtë “informacion”, bien në kundërshtim me njëra tjetrën. Së pari përmbajtja është publikuar më 7 gusht ndërsa në rrjetet sociale e njëjta përmbajtje shpërndahet në fund të tetorit. Pra, postimi në “Facebook” demistifikon pretendimet e Cakos të bëra në gusht të këtij viti, edhe pse kanë kaluar rreth 2 muaj shohim se bota nuk po përballet me asnjë pandemi të re!

Portalb.mk disa herë ka sqaruar figurën kontroverse të Alfred Cako-s, i cili me komentet e tij hipotetike përhap dezinformim dhe pasiguri në opinionin publik. Alfred Cako është një nga personat jo-relevant i cili gjatë gjithë kësaj periudhe ka përhapur dezinformata rreth pandemisë COVID19. Të gjitha komentet e tij bazohen në teori konspirative dhe jo në fakte shkencore. Dezinformatat e Cakos kanë evoluar varësisht se si ka rrjedhur situata me COVID 19.

Kush është Alfred Cako, ekspert i COVID, politikan, publicist..?

Alfred Cako është një personazh kontrovers nga Shqipëria, i cili me theks të veçantë është bërë i njohur për publikun që nga fillimi i pandemisë globale COVID19. Cako vazhdimisht ka përhapur dezinformata rreth pandemisë me të cilën po përballet e gjithë bota. Në fillim të pandemisë Cako u bo i njohur për komentet e tij të ashpra që vinin në dyshim ekzistencën e COVID19, më vonë retorika e Cakos ndryshoi the komentonte se COVID19 “është një armë biologjike përmes së cilës planifikohet shfarosja e popullsisë botërore”. Me evoluimin e pandemisë dhe zhvillimin e vaksinës anti-Covid19 evoluan edhe teoritë e Alfred Cakos. Cako ka luajtur një rol kyç në fushatën kundër vaksinimit, i cili përhapte panik dhe kaos në opinion duke pretenduar se përmes vaksinës do të na futen mikroçipa në trup, më pas Cako deklaronte se vaksina do ndryshojë strukturën gjenetike të organizimit dhe së fundi Cako pretendonte se vaksina do i kufizojë vitet e jetës së njerëzve. Për ta mbajtur interesin e opinionit publik Cako vazhdimisht shpik diçka të re, së fundi është edhe teoria në përmbajtjen që recensojmë.

Përveç si ekspert i pandemisë COVID19, Alfred Cako njihet edhe si politikan. Mediat shqiptare bëjnë të ditur se Cako ka ka qenë kandidat i Frymës së Re Demokratike, në Qarkun e Korçës.

Alfred Cako është edhe publicist i cili ka shtëpinë e vetë botuese. Ai vazhdimisht sjell në treg libra ku trajtohen teori konspirative.

Pandemitë kanë ekzistuar dhe do të ekzistojnë

Është fakt i pa mohueshëm se bota është përballur me pandemi në të kaluarën dhe se me pandemi njerëzimi do të përballet edhe në të ardhmen. Të dhënat historike flasin për disa pandemi të mëdha globale të cilat njerëzimit i kanë shkaktuar shumë pasoja.

Murtaja e madhe ose Vdekja e Zezë u përhap në mes viteve 1347 dhe 1351 dhe shkaktoi vdekjen e 1/3 të popullatës në Evropën mesjetare.

Pandemia e kolerës – Ndërkohë që epidemia vazhdon të rishfaqet edhe në shekullin 21, gjashtë pandemitë e para të kolerës janë shfaqur në vitet:

  • E para: 1817 – 1824
  • E dyta: 1829 – 1937
  • E treta: 1846 – 1860
  • E katërta: 1863 – 1875
  • E pesta: 1881 – 1886
  • E gjashta: 1889 – 1923  (burimi: Enciklopedia Britannica)

Pandemia e Gripit Spanjoll – në aspekt të numrit të vdekjeve të shkaktuara, Gripi Spanjoll njihet si një ndër pandemitë më të rrezikshme në historinë e njerëzimit. Pandemia Influenza u shfaq përgjatë viteve 1918-1919 dhe morri jetën e rreth 50 milion njerëzve.

Shkencëtarët paralajmërojnë se edhe në të ardhmen njerëzimi do të përballet me pandemi të reja, megjithatë asnjë nuk di të thotë se kur mundet të marr hov një pandemi e re dhe sa e rrezikshme do të jetë ajo pandemi. Nuk ka asnjë burim shkencor që mbështet pretendimin se “pas 1 muaji do të shfaqet një pandemi e re që do na e rrjep lëkurën”!. Zhvillimi i shkencës dhe teknologjisë nuk mundet të parandalojë shpërthimin e një pandemie por padyshim se janë një ndihmë e madhe në luftën ndaj një pandemie. Mjetet shkencore tashmë ekzistojnë për të krijuar një lloj departamenti për mbrojtje virale – i cili do ju mundësonte shkencëtarëve të ndjekin një gamë të gjerë projektesh jetike globale, nga zhvillimi i vaksinave dhe barnave që janë efektive kundër shumë patogjenëve deri te monitorimi i pikave të nxehta të sëmundjes dhe identifikimin e viruseve të mundshëm me rrezik të lartë, të njohur dhe të panjohur.

Disklejmer, baner, Fact Check COVID19, verifikimi i fakteve, vertetematës, koronavirus, coronavirus, COVID, vertetematesi

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button