Panel diskutimi në UT: Diagnostikimi i hershëm i kancerit të gjirit shpëton jetë

Tetori në botë njihet si muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit. Për këtë arsye, sot në hapësirat e Universitetit të Tetovës, Grupi Shkencor nga Fakulteti i Shkencave Mjekësore nga po ky universitet  organizoi panel diskutimi me nga ku dy specialistë të diagnostikimit të kancerit të gjirit, njëri onkolog dhe tjetri kirurg torakal folën për këtë sëmundje, rritjen e vetëdijes, sensibilizimin, zbulimin e hershem, trajtimin dhe kujdesin ndaj kësaj sëmundje, shkruan Portalb.mk.

E veçanta e këtij aktiviteti ishte prezenca e dy grave të cilat tani më kanë fituar betejën me kancerin e gjirit, Narta Kasa Imeri, kryetare e lëvizjes “Nëna dhe Fëmija” dhe prof. Lirie Xhaferi, aktiviste kundër kancerit të gjirit ndanë hapur eksperiencat e tyre dhe përballjen me këtë sëmundje.

Në panel u fol për sëmundjen në përgjithësi, faktorët e të njëjtës, diagnostikimin e hershëm, trajtimin, rehabilitimin dhe të tjera. Dy folësit të kësaj fushe ishin specialisti i onkologjisë, Dr. Ilir Ismaili dhe specialisti i kirurgjisë torakale, Dr. Nexhati Jakupi.

Pasi panalistët mbaruan me fjalimet  dhe ndarjen e eksperiencave të tyre, të njëjtët iu përgjigjën pyetjeve nga të pranishmit të sallë.

Kanceri i gjirit, panel diskutimi në UT, foto: Portalb.mk
Kanceri i gjirit, panel diskutimi në UT, foto: Portalb.mk

Çfarë thanë specialistët?

Ilir Ismaili, foto: Portalb.mk
Ilir Ismaili, foto: Portalb.mk

Onkologu Ilir Ismaili foli për Ditën Botërore për Kontrollin e Kancerit(UICC). Ai theksoi se kanceri është një nga shkaqet kryesore të vdekjes në botë, sidomos në vendet në zhvillim, ku llogariten 7,6 milion vdekje apo rreth 13% e të gjitha vdekjeve. Ndër të tjera foli për sëmundjen në përgjithësi, faktorët e rrezikut, trajtimin dhe të tjera me theks të veçantë për diagnostikimin e hershëm i cili ndihmon në trajtimin e kësaj sëmundje dhe trajtimin onlologjik.

“Në baza statistikore në shtetin tonë kalcinomi i gjëndrës së gjirit në rastet e reja, kemi rreth 800 raste të reja çdo vit, që në përbërje, në përqindje zë vendin e 41.3% ndërsa për sa i përket mortalitetit ai është rreth 13.7%.  Kjo nënkupton se gjithnjë këtu hyn zbulimi i hershëm i kalcinomit të gjëndrës së gjirit.” tha Ilir Ismaili.

Kirurgu torakal, Nexhati Jakupi foli për aspektin the trajtimin kirurgjik të kancerit të gjirit, ai tha se intervenimi kirurgjik është i paevitueshëm, nuk mund t’i iket tij dhe se është masa më e sigurt për të trajtuar kancerin e gjirit dhe për të parandaluar zgjerimin e kancerit të gjirit, në bashkëpunim me terapinë onkologjike.

Nexhati Jakupi, foto: Portalb.mk
Nexhati Jakupi, foto: Portalb.mk

“Natyrishit se diagnostikimi i hershëm do të thotë edhe intervenim më konzervativ, më efikas dhe trajtimi i kancerit të gjirit të vijë deri në fazën e shërushmërisë së plotë. Gratë më së shumti i ikin intervenimit kirurgjik nga aspekti kozmetik do kisha thënë. Por ajo shulmë lehtë evitohet apo kompensohet me anë të përdorimit të peshave apo protezave që u thonë, që të mundet të arrihet njëfarë kompensimi estetik që gruaja të mos humbas vetëbesimin. Përsëri do të përsëris, trajtimi kirurgjik është masa më efikase për të trajtuar kancerin e gjirit. Unë apeloj te të gjitha gratë që të mos hezitojnë, të mos kursejnë nga koha shumë e çmuar duke humbur kohë me preparate mjekësore po më së shumti edhe jomjekësore. Normalisht terapia paraprake onkologjike është e preferueshme në raste të caktuara, trajtimi kirurgjik me intervenime adekuate mundet të bëhet e përballueshme për çdo grua, të shpëtojë jetën.” tha Nexhati Jakupi.

Çfarë thanë dy gratë që u ballafaquan me kancer të gjirit?

Kryetarja e lëvizjes “Nëna dhe Fëmija” Narta Kasa Imeri,  tregoi historinë e saj që nga diagnostikimi i saj me kancer të gjirit në vitin 2018, duke vijuar me mjekimin dhe trajtimin në vitin 2019, më pas me rehabilitimin në vitin 2020 si dhe kthimin në jetën e përditshme tani më, nga ku tregoi shumë detaje të rëndësishme për këtë sëmundje. Ndër të tjera theksoi edhe mungesën e përkrahjet institucionele të pacientëve të prekur nga kjo sëmundje.

Narta Kasa Iseni, foto: Portalb.mk
Narta Kasa Iseni, foto: Portalb.mk

“Detektimi i hershëm shpëton jetë dhe unë jam një prej rasteve që me detektim të hershëm të kancerit të gjirit, jam sot këtu  para jush dhe arrita të përballem me këtë sëmundje dhe diagnozë. Afati kohor i lartpërmendur tregon qartë se unë sa shpejtë prej te detektimi kam arritur deti te kthimi në jetën normale. Një ndër problemet kryesore kur një grua merr lajmin se është diagnostikuar me kancer të gjirit është mohimi i së vërtetës. Faza e mohimit të realitetit është mjaft e rëndësishme sepse realisht nuk të lejon të përballesh me sëmundjen, të humb mjaft kohë në formimin e strategjisë të trajtimit dhe unë besoj se çdo grua e cila është ballafaquar me këtë sëmundje ia ka parashtruar vetes pyetjen “Pse mua”? Për krejt këto gra un kam një mesazh: “Mos u merrni me këtë pyetje”, menjëherë duhet të krijojmë strategji të mjekimit tonë sepse ky rrugëtim nuk është i lehtë, ia dalim por është i mundimshëm. Asgjë nuk duhet të na ndalojë.” tha Narta Kasa Imeri

Lirie Xhaferi, foto: Portalb.mk
Lirie Xhaferi, foto: Portalb.mk

Profesoresha dhe aktivistja, Lirie Xhaferi tha se nuk është e lehtë të flitet për këtë sëmundje, nga ku tregoi se ajo ishte e sfiduar dy herë. Para njëzet viteve kishte pasur disa komplikime tjera në gji ndërsa para 1 viti e gjysmë ajo u diagnostikua me kancer të gjirit. Ndër të tjera theksoi rëndësinë e aspektit psikologjik që ka te një person me këtë sëmundje.

“Ne gratë jemi të forta , ne duhet t’i përballojmë të gjithë këto sfida. Kjo është një fenomen interesant se nuk kemi pasur gjenetikë prej dikujt, mirëpo ja që na erdhi edhe e pranuam, e sfiduam dhe unë ndjehem mirë. Gjithë gratë që janë të prekura nga kjo sëmundje ju uroj vetëm të jenë të forta, të qeshin më shumë dhe të jetojnë shumë rehat. Nuk duhet të merren me asgjë përveç se me veten dhe familjen e tyre, mendoj se kjo është një kod i ecjes përpara.” tha Lirie Xhaferi.

Të gjithë duhet t’i bashkohemi luftës ndaj kancerit të gjirit

Dekanja e Fakultetit të Shkencave Mjekësore të UT-së, Nexhibe Nuhiu tha se të gjithë duhet të kontribuojmë në ngritjen e vetëdijes për marrjen e masave parandaluese ndaj kancerit të gjirit.

“Bëj apel në cilësinë e dekanes, profesoreshës, nënës  që çdo grua të kujdeset për shëndetin e saj, të bëj kontrolle të rregullta, ekzaminimet dhe të kujdeset për shëndetin e saj, dhe çdo shenjë të paraqes te mjeku. Sa më herët të zbulohet, aq më tepë rriten edhe mundësitë për shërimin e saj.” tha Nexhibe Nuhiu.

Ilir Hasani. foto: Portalb.mk
Ilir Hasani. foto: Portalb.mk

I pranishëm në këtë aktivitet ishte edhe zëvendës-ministri i Shëndetësisë, Ilir Hasani i cili tregoi për një rast të një pacienteje me sëmundje histopatologjike, e cila ishte trajtuar me terapi shtëpiake dhe kur ishte paraqitur te ai në gjendje të përkeqësuar, ndërsa arsyetimi kishte qenë se “Me bë me prek, ma keq do bëhet.”

“Njerëzit ende nuk janë të bindur se me trajtimin e hershëm të kancerit të gjirit ne mund të sigurojmë një jetëgjatësi më të gjatë por në të njëjtën kohë mund të sigurojmë edhe një kualitet të jetës më të mirë për këta pacient.” tha Ilir Hasani.

Oreli Esati, përfaqësues i grupit shkencor në UT tha se qëllimi i komplet këtij aktiviteti sot është që të rritet vetëdija te të gjitha vajzat që të fillojë sa më shpejtë ekzaminimi dhe të vij mandej deri te diagnostikimi i kancerit të gjirit, të shpëtohen sa më shumë jetë.

“Ne si grup shkencor çdo vit akademik e kemi plan-programin tonë të projekteve, edhe këtë vit e kemi programin për kancerin e gjirit, dhe vendosëm që të bëjmë një panel diskutimi, ku dy mjek do të flasin për këtë sëmundje dhe dy gra të cilat që kanë arritur ta mbijetojnë kancerin e gjirit.” tha Oreli Esati.

Ndryshe, sipas të dhënave të vitit të kaluar në Maqedoninë e Veriut në ditë diagnostikohen tre deri në katër gra me kancer të gjirit, apo rreth 1,200 gra në vit. Komunat në të cilat kjo lloj sëmundje vitet e fundit është më e pranishme janë Vinica, Koçani dhe Shën Nikolla, ndërsa pacientja më e re e diagnostikuar me kancer në gji është e moshës 17 vjeçare. Muaji tetor në botë njihet si muaji për ndërgjegjësimin dhe informimin me qëllim të parandalimit të kësaj sëmundje vdekjeprurëse në raste të caktuara.

Lexo më shumë lajme në lidhje me kancerin e gjirit:

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button