NA KALBI SHPRESA

Nuk diskutohet e dhëna se shqiptarët dem baba dem janë evropianë, as sakrificat që bënë ata në epokën skënderbejane, kur, duke mbrojtur territoret e tyre për një çerek shekulli, mbrojtën dhe kontinentin nga pushtimi osman. Por nuk diskutohen as padrejtësitë e mëdha që Evropa na i bëri në kongreset dhe konferencat famëkëqia me vendimet e padrejta për copëtimin dhe tkurrjen e gjeografisë së tokave tona.

E gjitha nisi pas përfundimit të Luftës Ruso-Turke (1877), kur pala osmane nënshkroi pa dhimtë Traktatin e Shën-Stefanit, me të cilin pothuajse gjysma e viseve shqiptare iu fal katër shteteve fqinje me ne. Një vit më pas (1878) u mbajt Kongresi i Berlinit, ku drejtuesi i saj (kancelari gjerman Oto Bismarku), me pretekstin idiot se “nuk ekziston një komb shqiptar”, aneksoi territore të reja shqiptare për t’ua bërë peshqesh vellezërve të vegjël rusë. Dhe kjo nuk u mbyll me kaq, sepse vetëm pak javë pas shpalljes së mëvetësisë së shtetit shqiptar, dinozaurët evropianë organizuan Konferencën e ambasadorëve në Londër (1912-1913), në të cilën sërish pjesë të majme të Shqipërisë iu falën Malit të Zi, Serbisë dhe Greqisë. Fatkeqësisht, gjatë viteve në vijim, në vend se të kërkojnë me nje zë të vetëm ndreqjen e padrejtësive të mëdha historike, shqiptarët nisën betejat ndërvëllazërore dhe rrokën kazmat për të rrënuar themelet e Shqipërisë akoma të pangritur në këmbë të shëndosha. Qe kjo stina e ligë kur parësia shqiptare u bë pjesë e politikave të fëlliqura, duke e nxirë edhe më shumë imazhin e keq që kishim në syte e të tjerëve. Në kësi rrethanash, fuqitë evropiane, nën pretekstin e paaftësisë sonë për të ndërtuar shtet dhe shoqëri stabile dhe nën trysninë e vazhdueshme të rusëve që synonin me çdo kusht daljen në ujërat e ngohtë të Adriatikut, u inicua organizimi i Konferencës së dytë të Londrës (1919), që sigurisht do t’na fshinte nga harta e Evropës po të mos ndërhynte vendosmërisht presidenti i SHBA-së Uodrou Uillsoni, falë të cilit u lejua formimi i një cope Shqipërie në kufijtë e sotëm.

Këtu duhet kërkuar arsyeja përse rilindësit tanë u zhgënjyen nga fuqitë evropiane, që, brenda harkut kohor prej dyzet vitesh, e sakatuan disa herë dhe pa vrasje ndërgjegje atdheun e shqiptarëve. Kjo i shtyu disa prej tyre të mallkojnë Evropën, e cila paqen me Rusinë e ruante me prerjen e gjymtyrëve të Shqipërisë. Më i zëshmi ndër ta qe Homeri shqiptar – At Gjergj Fishta, që në kulmin e hidhërimit i lutej Zotit ta vrasë e ta shuajë me fise, popuj e qytete mrutën e ndytë

Sot, veçmas pas çlirimit të Kosovës nga zgjedha serbe dhe korrigjimit të një pjese të padrejtësive historike të bëra ndaj nesh, shqiptarët synojnë me ngulm inkuadrimin në Evropën e bashkuar, por për habinë e habive dhe pa asnjë arsyetim racional kanë mbetur me dekada as këtej as andej, në një kohë kur disa shtete me sandarde të njëjta jete e demokracie jënë bërë prej vitesh pjesë e BE-së.

Megjithatë, gjëja që iriton më shume njerëzit është e dhëna se Evropa, në njërën anë thotë se akoma nuk i keni plotësuar kushtet për t’u inkuadruar në BE, kurse në anën tjetër shpraz pamëshirshëm nga të rinjtë shtetet si Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Bosnja, duke i bërë të kalburit shprese të pyesin me të drejtë: kush duhet të plotësojë kushtet për inkuadrim në BE? Popullata vitale që i ka të hapura dyert e Evropës, apo vendbanimet që shpopullohen me ritëm të frikshëm, në të cilat tani më kanë nisur të gjejnë strehën e rehatshme hallexhinjtë e vendeve të varfëra të Afrikës dhe Azisë?

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button