Nuk bëjmë asgjë për Teatrin

Afeidita Boriçi Memeti u diplomua në Fakultetin e Arteve, Prishtinë, dega regji teatri. Një koha ka punuar si realizatore në RTV 21 në Prishtinë, si regjisore e dublimeve në Kompaninë audio-vizive A&A në Tiranë dhe ka 10 vite që punon në Teatrin e Preshevës si regjisore dhe koordinatore për kulturë. Ndër dramat që ka punuar janë: “Udhëtimi anës lumit”, autor Vudi Alen, “Emigrantët”, Sllavomir Mrozhek, “Skicuesi”, autor Michael Healey, “Dy duzina me trëndafila”, autor Aldo De Benedetti etj. Afeida dy herë është shpërblyer në festivale me çmimin “Regjia më e mirë”…

HEJZA: Si do të dukej skena teatrale që do të paraqiste situata kombëtare nga realiteti dhe përditshmëria jonë? Si ta bëjmë të dobishëm këtë skenë për auditoriumin tonë? Ku është kufiri në mes të katarsisit dhe irritimit, zhgënjimit, arratisjes nga identiteti…

BORIÇI MEMETI: Nuk do të doja të kishim një skenë teatrale që do paraqiste realitetin dhe përditshmërinë tonë sot. Do ishte një tragjikomedi e tmerrshme dhe aq më pak të argëtohet publiku me dhimbjen dhe hallin e shumicës tonë . Duhet të vëmë në skenë tekste të mirëfillta me vlera artistike dhe kombëtare. Nëse një regjisor është i ngulfatur nga politika, është gjëja më e tmerrshme që mund t’i besh një teatri. Sot politika të dikton cilin tekst do ta punosh apo dhe me cilët aktor do bashkëpunosh. Dhe në fund mund të del çdo gjë tjetër vetëm art jo!

HEJZA: Pse nuk kemi rryma teatri? Sepse bien ndesh me politikat banale kombëtare prej të cilave varet, fatkeqësisht, edhe jeta kulturo-artistike, apo nuk kemi krijues origjinal shqiptar që do t’i provokonin këto rryma që e mbajnë në funksion të përhershëm aparatin e frymëmarrjes së identitetit kulturor kombëtar!

BORIÇI MEMETI: Krijues origjinal shqiptare ka, edhe atë shumë të talentuar. Edhe rryma teatrale do kishte po mos të ishte politika e tillë që futë hundët në të gjitha fushat e jetës. Kjo, njëkohësisht pengon aparatin e frymëmarrjes.

HEJZA: Cilat janë politikat kombëtare të shteteve dhe të lidershipit tonë në raport me identitetin tonë kulturor?

BORIÇI MEMETI: Është vështirë të precizohen se cilat janë politikat, vetëm shpresoj që t’i japin liri dhe hapësirë artistëve të merren me këto politika.

HEJZA: A na mungon apo a na duhet një TEATËR KOMBËTAR (gjithë-shqiptar) dhe sa mund ta quajmë “kombëtar” një teatër që prezanton ekskluzivisht vlerat e huaja? Apo, nëse dramaturgjia kombëtare e mbanë në jetë një “teatër etnik”, atëherë teatrot me “politika autoktone” për të prezantuar vlera ekskluzivisht të huaja, e vdesin dramaturgjinë kombëtare!

BORIÇI MEMETI: Ndoshta do të ishte mirë që të ekzistonte një teatër kombëtar gjithëpërfshirës, i cili do punonte vetëm tekste kombëtare dhe i cili do përfaqësonte vlerat “kombëtare” shqiptare nëpër botë, por besoj që diçka e tillë pastaj do ngulfaste dhe mbyste teatrot tjera, që ndoshta me buxhet me të vogël krijojnë shfaqje shumë më të mira dhe me vlera kombëtare. Rëndësia pastaj do t’i shkonte “atij teatri të madh”, siç ndodh edhe sot me teatrot kombëtare dhe anashkalohen e nënçmohen teatrot e qyteteve shqiptare.

HEJZA: Në bordet e teatrove tona, por edhe në “këshillat artistik”, më tepër ka peshë fjala e përfaqësuesve politikë apo e artistëve të politizuar, se sa komuniteti i regjisorëve? Kush i bën ndër ne politikat teatrore: politika ditore apo “i zoti” i Shtëpisë së Talias?

BORIÇI MEMETI: Fatkeqësisht më duket që politikat teatrore po i bëjnë ata që janë “profesionistë” në këtë fushë. Para se politikanët ta kishin kuptuar që teatri është opozitë dhe armë shumë e fortë e një kombi dhe artistët janë ambasadorë të vërtet të një vendi, kultura ishte shumë më e mirë.

Kur e kuptuan që arti nuk është vetëm argëtim, por një fjalë shumë e rëndësishme për një komb, filluan nga pak dhe e rrëmbyen, dhe e fundosen teatrin, dhe tash në kohën që po jetojmë “i zoti” i Talias po i bën politikat teatrore se është rob i politikës.

HEJZA: I kujt është teatri? Çka përfaqëson teatri në një shoqëri të civilizuar? Ne, si komb, sa bëjmë për teatrin? Në ç’pozita është sot teatri shqiptar? A i duhet politikave tona kombëtare një qasje më serioze, më e dinjitetshme, në raport me dramaturgjinë tonë origjinale, si zhanër letrar jashtëzakonisht i rëndësishëm në krijimtarinë tonë letrare!

BORIÇI MEMETI: Teatri është i popullit, i publikut, i atyre që e duan artin… Siç është bashkia e qytetarëve, sikurse janë shkollat e nxënësve. Teatri daton qysh në antikitet, ekziston qysh kur ekziston qytetërimi ku gjithmonë ka simbolizuar kulturën e një kombi dhe civilizimin e atij vendi. Mendoj që si çdo kund në rruzullin tokësor, teatri ka pasur përkrahjen apo vëmendjen e një populli ne etapa të caktuara. Dhe në kohën që jemi, më duket që si komb nuk jemi duke bërë asgjë për teatrin. Shpresoj të jetë një etapë kaluese sa të rregullohen shumë gjëra që nuk janë fare si duhet në vendin tonë, e me pas do t’i kthehemi teatrit dhe kulturës. Sepse kah do qe kthehesh, je i rrethuar me anti-vlera.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button