RMV, më shumë se dyfish është rritur numri i kërkesave për ndihmë juridike falas

Numri i aplikimeve të dorëzuara dhe të miratuara për ndihmë juridike falas (NJF) në vitin 2020 është 663 dhe është rritur me 121 për qind krahasuar me vitin 2019, kur në zyrat rajonale të Ministrisë së Drejtësisë ndihmë juridike parësore përfituan 299 persona. Rritje prej 46 për qind krahasuar me vitin 2019 ka edhe në numrin e përgjithshëm të kërkesave të miratuara për ndihmë juridike sekondare, përcjell Portalb.mk.

Këto janë rezultatet e shpallura saktësisht një vit pas fillimit të fushatës për ngritjen e vetëdijes për ndihmë juridike falas (NJF) në Maqedoninë e Veriut në Ditën Evropiane të Drejtësisë, e cila u iniciua në kuadër të projektit “Mbështetje për qasje më të mirë në shërbime më cilësore për ndihmë juridike falas në Maqedoninë e Veriut” pjesë e programit të përbashkët të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës, Horizontal Facility II për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë. Fushata arriti në më shumë se 300.000 njerëz, duke i informuar për rëndësinë, qasshmërinë dhe funksionimin e sistemit NJF.

Përndryshe, ndihma juridike falas është ofrimi i shërbimeve juridike falas për personat e varfër dhe personat e margjinalizuar të cilët ndryshe nuk mund ta përballojnë atë, kurse fushata ishte e nevojshme për t’u njohur me Ligjin e ri për ndihmën juridike falas (LNJF) që filloi të zbatohet më 1 tetor 2019, i cili përdor qasje më liberale, ka shtrirje më të gjerë dhe siguron qasje në ndihmë juridike për të gjitha çështjet juridike, me përjashtim të atyre të listuara në mënyrë eksplicite.

Fushata për ngritjen e ndërgjegjësimit ka për qëllim të forcojë njohuritë për Ndihmën juridike falas (NJF) si midis profesionistëve ligjorë ashtu edhe përfituesve të mundshëm, të mbështetet qasja më e gjerë dhe të rritet numri i kërkesave të parashtruara për NJF, me fokus të veçantë te gratë, fëmijët dhe grupet vulnerabël.

“Fushata e forcoi ndërgjegjësimin për NJF si për profesionistët ligjorë ashtu edhe për përfituesit potencialë me qëllim qasjen më të gjerë, me fokus të veçantë tek gratë, fëmijët dhe grupet e cenueshme. Në periudhë prej një viti, në kuadër të projektit për ndihmë juridike falas në Maqedoninë e Veriut, janë përkrahur aktivitete të ndryshme promovuese për ngritjen e vetëdijes publike. Më konkretisht, u prodhuan materiale të rëndësishme promovuese për informimin e audiencave të ndryshme, si postera në gjuhën maqedonase, shqipe, turke dhe rome të cilat u shpërndanë në më shumë se 230 institucione/organizata relevante, me qëllim që të arrijnë sa më shumë njerëz, veçanërisht grupe të cenueshme, me fokus të veçantë te viktimat e dhunës në familje, fëmijët, romët dhe pakicat e tjera”, thuhet për fushatën.

Me qëllim që të mbështetet ky proces, u krijua edhe një faqe e re NJF në Facebook, ndërsa uebfaqja e re e NJF-së, http://www.pravnapomos.mk u bë për mbështetje të Ministrisë së Drejtësisë dhe filloi të funksionojë si platformë me burime, në të cilën mund të gjeni informacione të rëndësishme dhe të përditësuara për shërbimet e ndihmës juridike falas në Maqedoninë e Veriut. Janë publikuar reklama në disa ueb portale, si dhe në gazeta ditore, më shumë se 30 artikuj në portalet e mediave kombëtare dhe lokale, si dhe është bërë dhe promovuar një video e animuar për NJF e cila është publikuar në ueb-faqen e NJF-së, në faqen për NJF-së në Facebook, “Ndihma Juridike Falas”, dhe është transmetuar në televizionet kombëtare në gjuhën maqedonase dhe shqipe (TMV 1 dhe TVM 2), si dhe në disa stacione televizive lokale.

Në të ardhmen pritet rritje e mëtutjeshme e numrit të qytetarëve që kanë dëgjuar për përdorimin e shërbimeve të NJF-së, pasi fushata e nisur vitin e kaluar, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Drejtësisë, do të vazhdojë të zbatohet.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button