Qeveria e RMV-së pas deklaratave të Radevit dhe Borisovit: veprimet dhe deklaratat nga Bullgaria nuk janë miqësore

Qeveria e Maqedonisë thotë se këto ditë jemi dëshmitarë të veprimeve dhe deklaratave nga Bullgaria, të cilat qytetarët maqedonas nuk i konsiderojnë si miqësore, si reagim ndaj deklaratave të presidentit bullgar Rumen Radev dhe ish-kryeministrit Bojko Borisov, të cilët u takuan me përfaqësues të shoqatave bullgare në Maqedoni, transmeton Portalb.mk.

Radev tha se “derisa të zgjidhet çështja e të drejtave të njeriut dhe mosdiskriminimi i bullgarëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut, nuk sheh se si do të hapet dera për negociatat për anëtarësim në BE, kurse Borisov se “nuk do të ketë bisedime me Maqedoninë e Veriut deri sa pakica bullgare të përfshihet si e tillë në Kushtetutë”.

Qeveria maqedonase ka rikujtuar sot se me Marrëveshjen për fqinjësi të mirë të 1 gushtit 2017, Maqedonia dhe Bullgaria nënshkruan se do të dekurajojnë provokimet që nuk janë në interes të asnjërës palë, se nuk do të hyjnë në rrethin e fyerjeve, akuzave dhe gjuhës së urrejtjes, të cilat nuk i sjellin asgjë të mirë askujt, më së paku popullit maqedonas dhe bullgar.

“Në vend të kësaj, Marrëveshja merr përsipër të mbajë dialog evropian dhe ta respektojë dhe zbatojë plotësisht atë, duke përfshirë parimin themelor për mosndërhyrje në punët e brendshme të të dy vendeve. Mirëkuptojmë situatën e brendshme politike parazgjedhore në Bullgari dhe procesin e ndërlikuar zgjedhor, por konsiderojmë se kjo nuk është arsye për mesazhe politike për nevojat e fushatës që shkojnë përtej vlerave dhe parimeve evropiane të respektimit mbi të cilat  është ndërtuar Marrëveshja për Miqësi, Fqinjësi të Mirë dhe Bashkëpunim. Tonet e tilla nuk perceptohen si miqësore nga qytetarët maqedonas. Mos-përzierja në punët e brendshme është qëndrim parimor dhe presim qëndrim të tillë nga fqinjët tanë”, thuhet në deklaratën e qeverisë.

Nga Qeveria e Maqedonisë thotë se mbeten të përkushtuar në dialogun me Sofjen dhe kërkimin e një zgjidhjeje të pranueshme reciprokisht për çështjet që janë shfaqur dhe në vazhdimësi po punojnë për zbatimin aktiv të marrëveshjes.

“Zgjidhjet nuk janë në të kaluarën, janë në të ardhmen dhe e ardhmja kërkon dialog, jo monolog për përdorim të brendshëm. Kur bëhet fjalë për shtet anëtar të BE-së dhe për vend që pranon se ka plotësuar të gjitha kushtet për fillimin e negociatave për anëtarësim, dialogu është e vetmja zgjidhje për çështjet dypalëshe dhe për të gjetur mirëkuptim të ndërsjellë. Republika e Maqedonisë së Veriut është e gatshme për atë dialog. Është koha që Bullgaria të tregojë të njëjtën gatishmëri”, shtuan nga Qeveria e RMV-së.

Borisov dje gjatë një takim me përfaqësues të organizatave bullgare në Maqedoni, tha se që Maqedonia e Veriut të ketë mbështetjen tonë, pakica bullgare duhet të përfshihet në Kushtetutën e Maqedonisë.

Kujtojmë se presidenti bullgar, Rumen Radev në Samitin e BE-së për Ballkanin Perëndimor më 6 tetor në Slloveni deklaroi se, përderisa bullgarët në Maqedoni i nënshtrohet asimilimit suptil dhe u shtypen të drejtat themelore në raport me etnitë tjera, Bullgaria nuk do të thotë “po” për fillimin e negociatave me BE-në.

Përndryshe, Bullgaria është kundër pranimit të Maqedonisë së Veriut për shkak të mosmarrëveshjeve historike dhe gjuhësore. Por edhe nëse ka ndonjë marrëveshje, gjendja e keqe pasqyron paralizën e planit të BE -së që të ndërtojë “unazë miqsh” nga Ukraina në Tunizi, duke ofruar lidhje më të ngushta, por edhe tregti dhe ndihmë.
Bullgaria nga fundi i vitit 2020, bllokoi fillimin e negociatave midis Maqedonisë së Veriut dhe BE -së dhe mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare. Të dy vendet nënshkruan Marrëveshje për Fqinjësi të Mirë në vitin 2017, por përfaqësuesit e të dy vendeve kanë fajësuar njëri -tjetrin për shkeljen e marrëveshjes.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button