RMV, liberalizimi i transportit hekurudhor shtyhet deri në fund të vitit 2022

Miratimi i pakos së ligjeve për hekurudhat që rregullon çështjen e liberalizimit është shtyrë për në dhjetor të vitit 2022, njoftojnë për Meta.mk nga Qeveria e RMV-së. Gjithashtu, për ristrukturimin e mundshëm të Hekurudhave të RMV – Transportit, si humbësi më i madh shtetëror, do të presim përfundimin e analizës së ristrukturimit, e cila aktualisht është në përgatitje e sipër, raporton Meta, përcjell Portalb.mk.

“Për momentin një kompani konsulente po punon për segmentimin e biznesit të kompanisë dhe derisa të përgatiten modelet për ristrukturimin e kompanisë nuk mund të flitet për hapje të tregut. Presim që kjo analizë të përgatitet vitin e ardhshëm”, thonë nga ekzekutivi.

Kjo përgjigje nga Qeveria vjen pasi Komisioni Evropian edhe në Raportin e fundit për progresin e reformave të vendit për vitin 2021 ka kërkuar reforma në sektorin hekurudhor, që do të nënkuptonte humbjen e monopolit të Hekurudhave të RMV – Transportit në aspektin e organizimit të trafikut hekurudhor.

Komisioni Evropian kërkon të hapë tregun përmes hyrjes së kompanive të reja të transportit që do të mund të operojnë në hekurudhat tona. Liberalizimi në fushën e transportit hekurudhor është një kërkesë e BE-së gati një dekadë më parë dhe është deklaruar në raportet e mëparshme të Komisionit Evropian.

Segmentimi i biznesit të Hekurudhave të RMV – Transport do të nënkuptonte ndarjen e kompanisë në kompani të veçanta për transport hekurudhor të mallrave dhe udhëtarëve, duke ndjekur shembullin e reformave të bëra tashmë nga vendet e rajonit – Kroacia, Serbia, Mali i Zi, Rumania etj. Kundrejt kësaj, Greqia privatizoi plotësisht kompaninë shtetërore të hekurudhave disa vite më parë.

Qeveria dhe kryeministri Zoran Zaev një vit më parë e paralajmëruan mundësinë e krijimit të partneritetit publik-privat ose privatizimit të RMV-Transport Hekurudhave, por kjo lëvizje do të zgjatet me vendimin e fundit të qeverisë për të pritur studimin e segmentimit të biznesit të kompanisë shtetërore hekurudhore.

Ndryshe, problemi kryesor me të cilin ballafaqohet Hekurudhat e RMV-Transport, e me këtë edhe funksionimi i transportit hekurudhor në vend, është borxhi i akumuluar i kompanisë, i cili përfshin edhe borxhe me kamata që kapin shumën prej disa milionë eurosh ndaj Hekurudhave të Kroacisë dhe Bullgarisë të krijuar gjatë viteve ’90 të shekullit të kaluar. Për shkak të vlerës serioze të kamatës së këtyre borxheve ndaj Hekurudhave të Kroacisë, vetë kompania paralajmëroi në fillim të vitit se ekziston rreziku i arkëtimit të detyrueshëm të borxheve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button