fbpx

RMV, hidrocentralet e vogla nuk kanë justifikim as ekologjik as ekonomik

Duhet të ndalohet ndërtimi i hidrocentraleve të vogla ose çdo lloj tjetër shfrytëzimi i ujit në zonat e mbrojtura. Organizatat e shoqërisë civile, të bashkuara në koalicionin “Razbistri se”, kërkuan ndryshime në Ligjin për Ujërat që do ta mbrojnë realisht këtë pasuri të çmuar. Shfrytëzimi i ujit për qëllime biznesi është i papranueshëm, veçanërisht nëse në këtë proces shkatërrohen si natyra ashtu edhe kafshët e egra. OJQ-të duan që korporatat të demotivohen me një tarifë më të lartë koncesioni, të mos motivohen nga subvencionet për prodhimin e energjisë me hidrocentrale të vogla dhe i gjithë procesi i dhënies së lejeve dhe dokumentacionit të jetë në çdo kohë nën llupën e publikut.

Hulumtimi i bërë nga Portalb.mk dhe Meta tregon se, në vend tashmë janë ndërtuar 98 hidrocentrale të vogla, ndërsa rreth 50 janë në plan ose në ndërtim e sipër. Një e treta e tyre ndodhen në zona të mbrojtura. Ndërtimi i këtyre objekteve energjetike me shumë shembuj është dëshmuar të jetë katastrofal për botën e egër dhe mjedisin jetësor, dhe jo mjaftueshëm efektiv në ofrimin e potencialit energjetik. Shembujt e lumenjve Markova dhe Kadina Reka, por edhe dhjetëra të tjerë në Malin Sharr apo Mavrovë, edhe një herë treguan se Ligji për Ujërat duhet të jetë kornizë që duhet të parandalojë shfrytëzimin e burimeve ujore ekskluzivisht për interesa biznesi dhe të sigurojë mbrojtjen e ujit si burim i pazëvendësueshëm dhe i kufizuar, i cili është i rinovueshëm vetëm nëse menaxhohet në mënyrë përkatëset.

Një nga kërkesat më të rëndësishme të ambientalistëve është përgjegjësia, gjegjësisht detyrimi, nëse shkaktohet dëm, mjedisi të rikthehet doemos në gjendjen e tij origjinale dhe në vend të një prurjeje “minimale të pranueshme” të ujit, hidrocentralet duhet të sigurojnë rrjedhë “ekologjike”, për të siguruar kushte të mira ekologjike të ekosistemit ujor dhe ekosistemeve të varura nga uji, si dhe lëvizjen e lirë përgjatë shtigjeve të peshkut.

Foto: “Eko-Svest” – (Eko-vetëdije)

“Ndërtimi dhe funksionimi i hidrocentraleve të vogla po i shkakton dëme të mëdha dhe të pariparueshme mjedisit jetësor”, thotë Gjorgji Mitrevski nga “Eko svest”, organizatë që është pjesë e koalicionit “Razbistri se”.

Shpjegon se në vizitat e tyre në terren ambientalistët kanë regjistruar pasoja shkatërrimtare për mjedisin si ndërtimi i rrugëve hyrëse duke ndryshuar karakteristikat gjeomorfologjike të terrenit, erozion, prerja e pakontrolluar e bimësisë, shtretër të thatë të lumenjve, rrethimi, mbulim dhe gërmim i shtretërve të lumenjve, ndërtim të strukturave të betoni dhe shtigje të pa përshtatshme për peshqit që e parandalojnë migrimin e lirë të peshqve, gaforreve dhe specieve të tjera ujore, rrezikim i plotë i ekosistemeve ujore dhe ekosistemet e varura nga uji në masë që e kërcënon mbijetesën e llojeve të kafshëve dhe bimëve të mbrojtura dhe endemike.

Analiza e fundit e ndihmës shtetërore për burimet e rinovueshme të energjisë në vend tregon se pesha e hidrocentraleve të vogla në prodhimin total të energjisë elektrike shkon nga katër deri në pesë për qind në vit. Energjia elektrike e prodhuar në hidrocentrale të vogla blihet me tarifa të garantuara të privilegjuara të cilat janë barrë ekonomike për qytetarët.

“Duke pasur parasysh dëmet e mëdha mbi mjedisin jetësor që e shkakton ndërtimi dhe funksionimi i hidrocentraleve të vogla, nga njëra anë, e pjesëmarrjen jashtëzakonisht të vogël në prodhimin total të energjisë elektrike, nga ana tjetër, bëhet e qartë se hidrocentralet e vogla nuk kanë justifikim as ekologjik dhe as ekonomik“, thotë Mitrevski.

Hidrocentral

Ai thekson se shumica e dëmeve në këtë fazë nuk mund të riparohen, por mund të futet një procedurë më gjithëpërfshirëse për mbrojtjen e mjedisit përmes ndryshimeve të ligjeve dhe miratimit të standardeve dhe rregulloreve për monitorimin dhe inspektimin e rregullt të situatës gjatë ndërtimit dhe funksionimit të hidrocentraleve të vogla ekzistuese.

“Është e dukshme që pasojat e ndërtimit të hidrocentraleve të vogla janë katastrofike në kuptimin ekologjik. Ligji, para së gjithash, duhet të mundësojë pjesëmarrjen e publikut në procedurat për dhënien e lejeve për shfrytëzimin e ujit”, tha Mitrevski.

Eko svest”, në kuadër të koalicionit “Razbistri se”, së bashku me disa organizata, merr pjesë në grupin punues i cili së bashku me ministrinë po shqyrtojnë projektligjin për ujërat. Mitrevski thotë se kanë konstatuar një sërë mangësish dhe kanë propozuar një sërë plotësime dhe ndryshime në drejtim të mbrojtjes së mjedisit jetësor dhe pjesëmarrjes më të madhe të publikut.

Një pjesë ka të bëjë me procedurën e lejes, studimit ose raportit mjedisor që duhet të vihet në dispozicion të publikut dhe gjithashtu duhet të organizohen seanca dëgjimore për të marrë parasysh opinionin publik. Në atë mënyrë, beson ai, do të jetë e pamundur të manipulohet interesi publik në favor të kapitalit privat. Ekologët kërkojnë që ligji të ndalojë dhënien e lejeve të përdorimit të ujit dhe lidhjen e marrëveshjeve të koncesionit ose të partneritetit publiko-privat në zonat e mbrojtura. Duhet patjetër të parandalohet degradimi i lumenjve dhe liqeneve, duke vendosur detyrimin për kthimin e detyrueshëm në gjendjen natyrore dhe përgjegjësinë për krime të rënda për shkak të shkeljeve mjedisore dhe natyrore.

“Ligji, duke e rritur ndjeshëm tarifën e koncesionit, duhet të demotivojë korporatat private që të përdorin ujin e ëmbël për të prodhuar energji elektrike. Në vend të rrjedhës “minimale të pranueshme” të ujit, hidrocentralet duhet të ofrojnë rrjedhë “ekologjike”, për të siguruar gjendjen e mirë ekologjike të ekosistemit ujor dhe ekosistemeve të varura nga uji, si dhe lëvizjen e lirë nëpër shtigjet e peshkut”, thotë Mitrevski.

Dejan Andonov

Dejan Andonov nga Instituti për Studime të Komunikimit, i cili është koordinator i fushatës “Razbistri se”, thotë se strategjitë për zhvillimin e energjetikës dhe burimeve të ripërtëritshme të energjisë duhet të përmbajnë vlerësim strategjik për ndikimin e tyre në mjedisin jetësor dhe shëndetin e njerëzve. Megjithatë, për shkak të mungesës së një plani referimi strategjik për ujin, nuk është e qartë se si vlerësohen dhe monitorohen efektet mjedisore të strategjive energjetike, kështu që efektet negative të paparashikuara dhe veprimet korrigjuese janë vetëm angazhime formale në letër.

“Për më tepër, projektet për hidrocentrale të vogla duhet të përmbajnë vlerësim të ndikimit në mjedis, por ato ofrojnë vlerësim të ndikimit të një projekti specifik individualisht dhe nuk vlerësohet ndikimi kumulativ i disa projekteve në të njëjtën rrjedhë ujore. Në këtë mënyrë, projektet e vogla hidroenergjetike i ndryshojnë seriozisht ekosistemet e lumenjve, shpesh duke copëtuar shtretërit e lumenjve dhe duke ndryshuar rrjedhat, e problematizojnë rrjedhën minimale të lejueshme ekologjike, pra nivelin që kërcënon biodiversitetin dhe speciet endemike, paraqiten nivele të larta të lëndëve ushqyese, degradohet cilësia e ujit, ndryshon peizazhi dhe zvogëlimi i sasisë së ujit që duhet të përdoret për qëllime të tjera (për shembull, ujitje), gjë që shkakton një sërë problemesh serioze socio-ekonomike”, tha Andonov.

Sipas tij, metodologjia aktuale për përdorimin e 1/10 të prurjes mesatare vjetore të ujërave sipërfaqësore të përcaktuar si “rrjedhje minimale e pranueshme” nuk korrespondon me praktikat më të mira ndërkombëtare, pasi konsiderohet e pamjaftueshme dhe në disa kushte e dëmshme për gjendjen e rrjedhave ujore dhe për të arritur gjendje të mirë në shumicën e lumenjve.

Në një studim nga “Eko Svest”, ku është analizuar ndikimi i hidrocentraleve të vogla ndaj gjeo-morfologjisë së peizazheve dhe humbjes së pyjeve në Maqedoninë e Veriut, thuhet se shumica e projekteve të hidrocentraleve të vogla, janë ndërtuar në disa nga luginat më tërheqëse të lumenjve, të cilat burojnë nga vargmale jashtëzakonisht të larta, zona të mbrojtura dhe të dhe me rëndësi të madhe. Të tilla janë rastet e shumta të analizuara të maleve të Baba, Mali Sharr, Karaxhica, Bistra, Dautica, Kozhufi e të tjera.

Për sa i përket rrezikimit të pyjeve, duhet theksuar se nuk ka fare rrezik në sipërfaqe të mëdha, por janë krijuar korridore më të mëdha të shpyllëzuara përgjatë trasesë së tubacioneve, gjë që ka ndryshuar peizazhin e zonës dhe janë fragmentuar ekosistemet.

Sipas ligjit aktual për ujërat, koncesioni për shfrytëzimin e ujit jepet përmes një thirrjeje publike të organizuar dhe zbatuar në përputhje me dispozitat e Ligjit për Koncesionet dhe Partneritetin Publik Privat.

Për inicimin e procedurës për koncesion vendos Qeveria e Republikës së Maqedonisë, me propozim të arsyetuar nga ministri i cili udhëheq me organin e administratës shtetërore përgjegjës për kryerjen e punëve nga sfera e mjedisit jetësor, i përgatitur në pajtim me bazat e ekonomisë ujore. të Republikës së Maqedonisë dhe planet e menaxhimit të pellgjeve lumore.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button