Mbi lirinë

Liria e bën njeriun të jetë njeri dhe jo skllav. Liria i jep kuptim jetës. Të qenit i lirë nënkupton të vendosësh vet për fatin tënd, të flasësh atë që duash, të shprehësh menimin tënd, të marrësh përgjegjësi për veprimet tua. Liria është vlera më e çmuar. Pa liri as jeta nuk ka vlerë.

Njeriu mësohet me lirinë dhe fiton përshtypjen se gjithmonë ka jetuar i lirë. Njeriu e nënvlerëson lirinë, veçanërisht kur e ka fituar me mund. Njeriu e harron shpejt eksperiencën e të jetuarit në robëri. Njeriu e mer për të qenë lirinë, e neglizhon dhe shumë shpejt është në gjendje ta humbasë përsëri.

Pas vetëm disa vitesh po harrojmë se para pak kohësh jetonim në një shtet të robëruar. Të tillë e quajtën Maqedoninë e Veriut raportet me relevante ndërkombëtare vetëm pak kohë më parë. Po ato raporte që tani e lëvdojnë progresin e këtij shteti dhe orientimin e tij pro-perëndimor. Po ato raporte që tani e ngrisin në piedestal rëndësinë e Marrëveshjes së Prespës dhe arritjeve tjera.

Sa shpejt mendojmë ta kthejmë në pushtet shkaktarin e robërisë nga e cila mezi shpëtuam. Sa shpejtë harrojmë si ishte të mos mund të thuash atë që mendon, të mos mund ta kundërshtosh lirshëm pushtetin e padrejtë, të mos mund të kesh asnjë lloj perspektive perëndimore, të mos mund të jetosh në liri. Sa shpejt është në gjendje njeriu t’i harrojë të gjitha, të kthehet aty ku ka qenë më parë, dhe të merret sërish me tema të absolvuara. Sa e çuditshme të kesh pritshmëri se një parti e pareformuar dhe me kryetar nderi të arratisurin në Hungari të bëjë ndryshim dhe të mundësojë një jetë më të mirë. Sa jo të gatshëm që tregohemi për ta mbrojtur lirinë e fituar me shumë mund.

Ashtu si fitohet, liria mund të humbet përsëri. Fatkeqësisht liria fitohet vështirë por humbet vetëm për një moment. Fatkeqësisht regresi është shumë më i lehtë se progresi. Rrokullisja në humnerë është gjithmonë tmerrësisht më e lehtë se sa përpjekja për të dalë që aty.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button