Kosovë, u shpallën rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve lokale të 17 tetorit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpallur sot rezultatet përfundimtare të raundit të parë të zgjedhjeve lokale të mbajtura më 17 tetor në Kosovë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Siç kanë bërë të ditur përfaqësues të KQZ-së në një konferencë për media, sipas rezultateve përfundimtare, në raundin e parë në 17 komuna janë zgjedhur kryetarët e rinj, teksa në 21 komuna të tjera do të zgjidhen në raundin e dytë i cili do të mbahet më 14 nëntor.

Kryeqyteti i Kosovës, Prishtina, është nga komunat ku dy kandidatët më të votuar do të rigarojnë në balotazh. Gara këtu është midis Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) e cila ka marrë 42,33 për qind të votave dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) e cila ka 29,35 për qind të votave të përgjithshme.

Gjithashtu, balotazhi do të jetë përcaktues i fituesit edhe në qytetin e dytë më të madh të Kosovës, në Prizren, ku do të rigarojnë LVV e cila mori 40,43 për qind dhe PDK 31,10 për qind.

Po kështu në qytetin e Gjilanit gara e balotazhit do të jetë ndërmjet LVV-së e cila ka marrë 44,43 për qind të votave dhe LDK-së e cila ka marrë 43,81 për qind.

Në Gjakovë, balotazhi do të jetë ndërmjet Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) me 46,00 për qind të votave dhe LVV-së me 37,08 për qind të votave. Pa balotazh garën e ka fituar LDK-ja në Pejë me 60,41 për qind të votave.

PDK e ka fituar qytetin e Ferizajt me 62,53 për qind pa balotazh si dhe Komunën e Mitrovicës së Jugut me 53,86 për qind. LDK pa balotazh ka fituar nga qendrat e vogla edhe Komunën e Lipjanit me 56,45 për qind.

PDK nga komunat e vogla pa balotazh e ka fituar Komunën e Skenderajt me 57,99 për qind dhe Komunën e Hanit të Elezit me 50,98 për qind.

AAK ndërkaq, nga komunat e vogla, pa balotazh e ka fituar Komunën e Suharekës me 52,28 për qind dhe Komunën e Deçanit, me 65,17 për qind.

Lista Serbe ka fituar pa balotazh më së shumti komuna. Në Leposaviq Lista Serbe ka marrë 97,85 për qind të votave, në Novobërdë 64,09 për qind të votave, në Shtërpcë 59,36 për qind, në Mitrovicë të Veriut 91,33 për qind, në Zubin Potok 83,49 për qind, në Zveçan 98,45 për qind, në Graçanicë 77,71 për qind, në Partesh 75,20 për qind dhe Ranillug 100 për qind.

KQZ-ja ka njoftuar se pjesëmarrja në votime në kuadër të zgjedhjeve lokale 2021 në Kosovë ka qenë 43,13 për qind apo rreth 770 mijë votues.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button