fbpx

Ambientalistët e rinj të Shoqatës еkologjike të Maqedonisë për dy vite kanë bërë mbi 20 kërkime shkencore

Një nga merimangat më helmuese në botë, e veja e zezë, jeton në disa lokacione në Maqedoni. Park-pylli i Gazi Babës është shtëpia e mbi një mijë breshkave, kurse këtë vit për herë të parë në vendin tonë u zbulua kërpudha nëntokësore Elaphomyces aculeatus, e cila është në listën e kuqe globale si specie e rrezikuar në mënyrë kritike. Në Shkup ajri është i mbushur me komponime organike të paqëndrueshme, ndërsa në afërsi të OHIS-it ka prani të lindanit, izomerëve të tij dhe pesticideve të tjera dhe ndotësve  të patretshëm organikë në ajër, transmeton Portalb.mk.

Këto janë vetëm disa nga rezultatet në të cilat arritën studiuesit e rinj në projektet e tyre, të realizuara në kuadër të programit për ambientalistët e rinj “Dr.Ljupço Melovski” nga Shoqëata ekologjike e Maqedonisë. Hulumtimi, pas një pauze dhjetëvjeçare, ka vazhduar të realizohet nga viti i kaluar. Atëherë u realizuan tetë, ndërsa këtë vit janë duke u zhvilluar 13 projekte të studentëve të rinj nga disa fakultete, preokupimi kryesor i të cilëve është ekologjia.

Sipas Dragan Arsovskit nga Shoqata ekologjike e Maqedonisë, i cili është një nga koordinatorët, në kuadër të programit mbështet të rinjtë që nuk kanë përvojë dhe janë kryesisht studentë, si dhe hulumtues më me përvojë që punojnë në tezat e magjistraturës dhe doktoraturës.

“Vendet më të pasura në botë mund të përballojnë të ndajnë fonde dhe të financojnë kërkimin shkencor. Për fat të keq, kjo ndodh rrallë në Maqedoni, prandaj ERM bën përpjekje për të ndihmuar njerëzit e jashtëzakonshëm me frymë të integruar kërkimore dhe dëshirë për të kryer hulumtimet dhe analizat e tyre”, tha Arsovski.

Ai thekson se qëllimi i përgjithshëm është t’iu jepet mundësia të rinjve ta ushqejnë mendimin ekologjik dhe kërkimor shkencor në vend, i cili nuk është në nivel të kënaqshëm, jo ​​sepse na mungojnë studiuesit, por edhe sepse mungonte platforma, me të cilën do të mund të realizoheshin kërkime.

Dario Stojanovski është udhëheqës i një prej skuadrave që janë pjesë e programit “Dr.Ljupço Melovski”. Ekipi kreu 25 studime në terren të Park-pylli i Gazi Babës, i cili është një lokacion ideal për studimin e breshkave kodrinore dhe fushore, pasi bëhet fjalë për ekosistem të pasur me habitate të favorshme. Janë kapur dhe përpunuar 515 breshka, nga të cilat 418 breshka kodrinore dhe 97 breshka fushore. Analizat paraprake thonë se në park pyll jetojnë rreth një mijë breshka kodrinore dhe pothuajse 200 të breshka fushore.

“Zona e Park-pyllit të Gazi Babës është ideale për studim të tillë, duke qenë se përbën ishull urban. Është i mbyllur nga të gjitha anët, gjë që na ofron kushte të shkëlqyera për hulumtimin e breshkave, me çka na mundëson që të lëmë anash të gjithë faktorët e pakontrolluar si emigracioni dhe imigracioni”, tha Stojanovski.

Një nga hulumtimet e kryera nga ekologët e rinj, ekzaminon edhe merimangën vejushë e zezë, e cila konsiderohet si një nga merimangat më helmuese në botë. Është shumë pak e hulumtuar, jo vetëm në vend, por në të gjithë Gadishullin Ballkanik. Ajo jeton në popullata të vogla dhe të fragmentuara ekskluzivisht në zonat më të thata. Kërpudhat nëntokësore nuk janë studiuar mjaftueshëm, kurse një ekip studiuesish të rinj, nga marsi deri në korrik të këtij viti, kanë kryer shtatë anketa në terren në gjashtë lokacione të ndryshme në Maqedoni. Ata regjistruan rreth 40 ekzemplarë të kërpudhave të 13 llojeve dhe për herë të parë zbuluan edhe llojin Elaphomyces aculeatus. Bëhet fjalë për kërpudhë që është propozuar për Listën e kuqe globale të Kërpudhave (IUCN), si një specie e rrezikuar në mënyrë kritike, pasi është regjistruar vetëm në Evropë, në më pak se 50 vende.

Hulumtimi i ambientalistëve të rinj nuk ka anashkaluar asnjë nga problemet më të mëdha mjedisore të vendit. Ndotja e ajrit dhe gjetja e mënyrave se si të ulet ndotja, ishte motivimi i studiueses së re Ivona Sofronievska, e cila tashmë është viti i dytë që merret me analizën e substancave gjysmë të paqëndrueshme dhe të paqëndrueshme në ajrin e Shkupit. Përqendrimet e këtyre komponimeve janë matur në disa lokacione në Shkup, ndërsa të dhënat janë krahasuar me ajrin në Mavrovë, si zonë kontrolluese që nuk është e ndotur.

Rezultatet, informon Sofronievska, treguan se në ajrin e kryeqytetit, nga komponimet organike të avullueshme, më të zakonshmet janë përbërjet aromatike, si benzeni dhe derivatet e tij, që mbizotërojnë në nëntor dhe dhjetor, dhe alkanet aciklike, të cilat janë më të zakonshme në tetor dhe nëntor, që është e krahasueshme me mjediset e tjera urbane anembanë botës.

“Kërkimet paraprake të kryera në fazën e dytë të projektit, me marrjen e një mostre sipas rrugës aktive në lokacionet në Lisiçe, në afërsi të selisë së ERM-së dhe pranë OHIS-it, treguan prani të lindanit dhe izomerëve të tij, hekzaklorobenzenit, heptaklorit, aldrinit, endrinit, pesticide oranoklorine, të cilat janë përdorur në të kaluarën, ndërsa sot janë të ndaluara për shkak të dëshmive për efekte të dëmshme mbi shëndetin dhe ekosistemin, por kanë jetëgjatësi në mjedis pasi janë të vështira për t’u dekompozuar, andaj edhe sot gjenden në mjedis”, tha Sofronievska.

Ajo thekson se për t’u përballur me këta ndotës, nevojitet të kuptojmë strukturën dhe vetitë e tyre, të identifikojmë burimet e tyre dhe mënyrat se si jemi të ekspozuar ndaj tyre, në mënyrë që të mund të marrim masa për mbrojtjen e mjedisit jetësor dhe organizmat në të. Rezultatet e këtyre studimeve duhet të ndihmojnë gjithashtu në rritjen e ndërgjegjësimit të publikut dhe përfshirjen e të gjithë aktorëve në procesin e krijimit të politikave të qëndrueshme dhe marrjen e vendimeve të duhura për reduktimin e  efekteve të dëmshme të ndotjes së ajrit në mjedisin jetësor dhe biodiversitetin dhe për përmirësimin e cilësisë së ajrit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button