RMV, KShZ-ja e mori materialin zgjedhor që do të përdoret në rrethin e dytë të zgjedhjeve

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve sot në mëngjes nga shtypshkronja “Kiro Dandaro” në Manastirë e ka marrë materialin konfidencial zgjedhor që do të përdoret në rrethin e dytë të zgjedhjeve lokale, përcjell Portalb.mk.

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve për rrethin e dytë angazhon mbi 400 persona për mbështetje teknike në vendvotime dhe për tejkalimin e problemeve me përdorimin e aparateve për gjurmët e gishtave, tha Aleksandar Dashtevski, kryetar i KSHZ-së.

“Personalisht mendoj se raundi i dytë do të realizohet në mënyrën më të mirë dhe më shpejt. Dinamika e ulur e procesit zgjedhor në disa vendvotime në rrethin e parë, e shkaktuar nga teknologjia e re dhe përdorimi i gjurmëve të gishtave në rrethin e dytë do të përmirësohet për çka KSHZ-ja ka kryer trajnime shtesë. Por, ne, për raundin e dytë kemi angazhuar mbi 400 persona të cilët do të jenë në qendrat e votimit dhe do të jenë përgjegjës për mbështetje dhe ndihmë teknike për të mos pasur pengesa në procesin e votimit. Përvoja e parë na mundësoi të hyjmë më të përgatitur në rrethin e dytë, ndërsa materiali zgjedhor është më i vogël”, tha Dashtevski.

Në shtypshkronjën ShA “Kiro Dandaro” – Manastir për shtatë ditë janë shtypur 1.6 milionë fletëvotime nga materiali konfidencial zgjedhor, të cilat do t’i marrin komisionet komunale zgjedhore në komunat ku të dielën do të votohet.

“Shtypshkronja e përgatiti materialin për raundin e parë pa gabime dhe fletët e votimit u shpërndanë shumë shpejt. Për raundin e dytë ka më pak material i cili gjithashtu është jashtëzakonisht cilësor me 20 lloje mbrojtje dhe pa mundësi për falsifikim”, tha Dashtevski.

Rrethi i dytë i zgjedhejve lokale do të mbahet të dielën më 31 tetor.

Në zgjedhjet lokale të 17 tetorit, në rrethin e parë, VMRO-DPMNE fitoi 22 komuna, LSDM 9 dhe BDI 3. Rrethi i dytë i zgjedhjeve lokale mbahet më 31 tetor.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button