Pesimizëm dhe zhgënjim i qytetarëve për zgjedhjet lokale

Qytetarët e Maqedonisë edhe përkundër jehonës së madhe që po shkaktojnë këto zgjedhje lokale veçanërisht në Kërçovë dhe Strugë, ato përsëri nuk presin ndonjë ndryshim të madh që do të ketë të bëjë me përmirësimin e kushteve të jetesës dhe standardit të tyre jetësor. Situata duket e njejtë në të gjitha qytetet e Maqedonisë duke veçuar këtu më së shumti ato që udhëhiqen nga kryetarët shqiptarë.

“Po këto zgjedhje do të dal të votoj, por do ta bëj këtë për arsye kombëtare, ne në Kërçovë kësaj radhe kemi një detyrim moral dhe kombëtar që të dalim sa më shumë në votime, por sa i përket asaj që të presim ndonjë revolucion ekonomik që është më i rëndësishëm, nuk mendoj se do të ketë. Duke u bazuar në praktikat e qyteteve tjera, nuk jam optimist edhe për Kërçovën se do të rritet dhe zhvillohet në aspektin ekonomik. Prandaj nuk mund të them se e pres me entuziazëm ndryshimin. Ndërsa sa i përket asaj që kryetari të jetë shqiptar, kjo është pozitive në aspektin emocional” theksoi F.B nga qyteti i Kërçovës. 

“Dy herë me radhë këtu në Strugë kemi votuar kombtarisht, por siç duket ka ngelur vetëm ajo ndjenja pozitive e momentit, dhe më pas përsëri situata për ne ka qenë e njejtë sikur në krye të komunës të ishte ndonjë i huaj. Struga ka shumë probleme ekonomike dhe infrastrukturore, premtimet janë thuajse të njëjta sidomos nga partia në pushtet nuk kemi më ç’të presim dhe është shumë e pa logjikshme që ti besojmë dhe të jemi optimist” thekson A.Z nga Struga.

“Ndryshimet çdo herë janë pozitive, edhe pse vazhdimisht po zhgënjehemi nga përfaqësuesit tonë, përsëri duhet të kemi shpresë se nesër do të bëhet më mirë. Deri më tani nuk jemi të kënaqur, akoma flitet për flamur, për të drejta elementare. Nuk e di çka të pres pas zgjedhjeve, gjithmonë kemi pritur por asnjëherë skemi fituar diçka” thotë B.J nga Struga.

“Nuk besoj se do ketë ndryshime të dukshme, skemi ndonjë shpresë reale, sepse këtu akoma premtohen sheshe, përmendore, flamuj! Mbasi nuk premtohet atëherë nuk besoj aspak që të ketë përmirsime të nivelit dhe standardit jetësor. Un jam pesimist dhe nuk shoh ndonjë të ardhme këtu. Janë fytyrat e njejta edhe këto zgjedhje nuk besoj se do bëjnë diçka të re” shprehet B.S nga Shkupi.

Qytetarët vlerësojnë se koncentrimi i fushatave zgjedhore dhe propagandës në segmentin kombëtar duke e keqpërdorur atë i ndihmon shumë politikanët dhe partitë që të fshehin dështimet e tyre reale, ndërsa populli si zakonisht bie preh e kësaj strategjie. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button