Retorikë nxitëse për sigurimin e votave në Maqedoninë e Veriut

Në javën e fundit të fushatës elektorale për balotazhin më 31 tetor në Maqedoninë e Veriut, partitë politike kanë ashpërsuar retorikën në takimet me qytetarët duke paralajmëruar, madje, edhe tensione apo të ardhme jo të mirë për vendin, raporton REL. Fushata është përshkallëzuar menjëherë pas publikimit të rezultateve të raundit të parë të zgjedhjeve, më 17 tetor, që si parti fituese nxori VMRO DPMNE-në në 21 komuna nga 80 sa ka gjithsej Maqedonia e Veriut.

LSDM-ja e kryeministrit Zoran Zaev fitoi vetëm nëntë komuna nga 57 sa drejtonte në mandatin e kaluar. Në balotazh VMRO DPMNE-ja udhëheq në qytetet më të mëdha, përfshirë edhe Shkupin, ndërsa LSDM-ja kryesisht në komunat e vogla.

Ky rezultat zgjedhor ka bërë që kryeministri Zoran Zaev të tërheqë vërejtjen për, siç ka thënë, “rikthimin e regjimit të kaluar” dhe kthimin e vendit, sipas tij, “në paperspektivë dhe ndarje etnike”.

“Nga ne varet gjithçka. Nëse votojmë forcat progresive, ne me një hap jemi lart në mal që do të vendosim edhe një flamur të lirisë, përparimit dhe integrimit evropian të vendit. Por, nëse ndodh kundërta, ne mund të kthehemi pas në vitin 2016, e kush mund ta dijë, ndoshta edhe në periudhën e konfliktit në vitin 2001, në rreziqe, pasiguri, krizë dhe izolim”, ka deklaruar kryeministri Zoran Zaev.

Ai disa herë ka bërë me dije se nëse LSDM-ja humb Shkupin, por edhe nuk e përmirëson rezultatin nga raundi i parë zgjedhor, atëherë ai nuk do të jetë në gjendje të drejtojë qeverinë, duke paralajmëruar dorëheqjen nga posti i kryeministrit.

Partia e tij, LSDM, është në pushtet që nga viti 2017, kur së bashku me partitë shqiptare, me një rezultat të ngushtë zgjedhor arritën të largojnë nga pushteti, VMRO DPMNE-në, që atëherë drejtohej nga Nikolla Gruevskit.

Kjo parti tani drejtohet nga Hristijan Mickovski. Ai në tubimet me elektoratin ka hedhur poshtë pretendimet e Zaevit duke i quajtur “manifestim të frikës” nga humbja në zgjedhje. Mickovski ka thënë se LSDM-ja po tenton t’i frikësojë qytetarët me të kaluarën, duke fshehur dështimet e partisë së tij, që, sipas Mickovskit, janë shkaku kryesor i humbjes së pushtetit lokal.

“Me deklarata të tilla të të gabuara, ai jo vetëm që e nënçmon popullin, por krijon përçarje të reja, e jo vetëm ai, por edhe drejtuesit e BDI-së me të cilët është në koalicion. Këta që thoshin se do të sjellin jetë dhe një shoqëri për të gjithë, po bëjnë gjithçka që të mos kemi sot një shoqëri për të gjithë, por përkundrazi të kemi një shtet sa më të përçarë, të varfëruar, të vjedhur, të pamotivuar dhe njerëzit ta humbin besimin në institucionet e sistemit”, ka deklaruar Mickovski.

Ndërkohë, partitë shqiptare gjatë fushatës kanë qenë më të përmbajtura në retorikën e tyre, por edhe ato në disa raste kanë kritikuar bashkëpunimin e njëra-tjetrës me partitë maqedonase.

Derisa opozita shqiptare akuzon BDI-në dhe LSDM-së për korrupsionin dhe krimin e organizuar kurse bashkëpunimin e saj me VMRO DPMNE-në e arsyeton me luftimin e këtyre dukurive, BDI-ja, nga ana tjetër, akuzon opozitën shqiptare se po bashkëpunon me opozitën maqedonase, të cilën, sipas BDI-së, Aleanca për Shqiptarët e akuzonte për politika antishqiptare dhe anti-evropiane.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button