ASH akuzoi Ramiz Merkon se po vjedh buxhetin e qytetarëve përmes kompanisë së ndriçimit publik

Aleanca për Shqiptarët ka akuzuar kryetarin aktual të Strugës, Ramiz Merko për vjedhje dhe zhvatje të parave të qytetarëve. Nëpërmjet një konference për media, kandidati për kryetar të Strugës nga kjo parti, Idri Istrefi, ka thënë se Ramiz Merko dhe Armen Kadriu, kanë zhvatur e vjedhur miliona euro prej buxhetit të qytetarëve të Strugës tashmë prej disa vitesh, përmes një koncesioni të dyshimtë e me plotë shkelje ligjore të lidhur gjatë mandatit të dytë të Ramiz Merkos mes Komunës së Strugës dhe një kompanie private për ndriçimin publik, transmeton Portalb.mk.

“SITI LAJT është kompania, e cila për mirëmbajtjen e ndriçimit publik po merr miliona euro nga Buxheti i Struganëve, nga buxheti i familjeve tona. Shumëkush në Strugë ka shprehur dyshimet për pronarët e vërtetë të kësaj kompanie, ndërsa ne jemi këtu për ta dëshmuar atë me fakte. Milionat që Komuna e Strugës ja jep kësaj kompanie shkojnë direkt në xhepat e Ramiz Merkos dhe Armen Kadriut dhe këtë e dëshmojnë dhjetëra transaksione bankare të siguruara nga ne e të cilat do t’ua dorëzojmë të gjithë mediave në vend. Do t’u dorëzojmë të dhëna për datat, shumën dhe subjektet e transaksioneve, por jo edhe ekstraktet origjinale, pasi duam të ruajmë sigurinë e burimit”, deklaroi Istrefi.

Ai tha se, për të gjitha këto transaksione janë të njoftuara edhe Prokuroria Publike dhe Policia Financiare.

“Që skandali të jetë më i madh, Qeveria e Maqedonisë së Veriut gjatë këtij mandati ua pagoi 50 përqind të borxheve komunave. Komunës së Strugës iu ndanë mbi 2 milionë euro, ndërsa Ramiz Merko mes dhjetëra kompanive, zgjodhi pikërisht SITILLAJTIN për t’ia paguar njëherësh mbi 1.2 milionë euro prej këtyre mjeteve. Arsyeja dihet.  Nga ana tjetër, jemi dëshmitarë për shërbimet e kësaj kompanie. Fshatra e lagje të tëra të Strugës për çdo natë janë në terr e aspak të sigurta, përfshirë këtu qendrën e qytetit, Ladorishtin, Veleshtën, Oktisin, Livadhinë, Llozhanin, Vranishtën, Misleshovën e shumë e shumë lagje nga të cilat na kanë ardhur denoncime. Ramiz Merko të japë llogari para struganëve për këtë krim”, deklaroi ai.

Istrefi i ka bërë thirrje institucioneve relevante të kryejnë detyrën.

Portalb.mk ka tentuar të kontaktojë edhe Merkon, për të dhënë koment rreth këtyre akuzave, por ai ende pa dëgjuar deri në fund pyetjen, ka mbyllur telefonin dhe nuk është përgjigjur në telefonatën vijuese.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button