Artan Grubi dhe Lulzim Farizi për Qytetin e Shkupit (Intervista)

Portalb përgatiti një ballafaqim të drejtpërdrejtë me kandidatët e Qytetit të Shkupit. Shkurtë dhe thjeshtë, katër pyetje të njëjta për secilin. Lexuesi le të vlerëson se cili del më i miri.
Në këtë mini-intervistë u përgjigjën kandidati i BDI-së Artan Grubi dhe i RDK-së, Lulzim Farizi.
Kandidati i  PDSH-së për Shkupin, Bekim Fazliu, edhe pse me kohë i informuar nuk është përgjigjur në këtë intervistë.

PORTALB: Pse pikërisht juve t’ju votojë popullata, cila është ajo veti të cilën ju e posedoni që do t’ju bëjë fitimtar?

Artan Grubi: Në dhjetë vitet e fundit, Bashkimi Demokratik për Integrim dhe lideri Ali Ahmeti kanë përqendruar investime kapitale politike në qytetin e Shkupit në përpjekje për ti fuqizuar kapacitetet politike, akademike dhe kulturore të shqiptarëve në kryeqendër.
Pikërisht këto investime kërkonin përkujdesje serioze, prezantim dinjitoz dhe garanci për vazhdimësi të frymës së BDI. Andaj, duke marrë parasysh gjithë këtë investim, u vlerësua se këtë garë, edhe pse të vështirë, duhet ta sfidojmë me përkushtim të madh. Në konventën promovuese, Kryetari Ahmeti theksoi që BDI ka zgjedhur përfaqësuesin e njërës prej familjeve më të vjetra të Shkupit për këtë garë. Por, përtej këtij vlerësimi, unë Shkupin e dua dhe ia kam përkushtuar gjithë veprimtarinë time publike. Emri dhe vepra ime shënon themelimin e grupeve të para të organizuara shqiptare që duke përkrahur sportin shqiptar, bënë revolucion rinor në Shkup, por edhe në të gjitha qendrat tjera shqiptare, me kontribute të jashtëzakonshme në aktivitete për promovimin e çështjes kombëtare.
Më pas, kontributin tim e dhash edhe në vënien e themeleve të shoqërisë civile në Shkup dhe Maqedoni duke themeluar organizatën më të madhe dhe më me ndikim të shqiptarëve, Lëvizjën ZGJOHU!. Kjo veprimtari shënon rrëzimin e ligjit për natalitet, rrëzimin e enciklopedisë, ndalimin e ndërtimit të Kishës në Shesh, protestat kundër gërmimeve politike dhe përjashtuese në Kalanë e Shkupit si dhe përpjekjen për të ndërtuar kishë po në atë vend, ringjalljen e jetës kulturore me aktivitete për shënimin e Ditës së Flamurit, Ditës së Plisit, Lidhjes së Prizrenit, Flakës së janarit, etj. Kjo periudhë shënon fushata vetëdijësuese dhe me dhjetëra protesta e manifestime, por nuk guxoj të lë pa përmendur kontributin në lirimin e Sopotasve, ose sjelljen e Skënderbeut, themelimit të Rrjetit të Organizatave Shqiptare, debate të ndryshme dhe vendosjen e trekëndëshit kulturor Tiranë-Prishtinë-Shkup. Pas përfundimit të mandatit në ZGJOHU! iu bashkëngjita politikës dhe ndoshta një prej projekteve të mia më të mëdha nga kjo kohë përbën organizimin e manifestimit qëndror për shënimin e 100 vjetorit të Ditës së Flamurit dhe të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë në sallën Boris Trajkovski në Shkup, më 25 nëntor. Kam bindjen që të gjithë njëzëri pajtohemi që gjurma e 100 vjetorit mbarëkombëtar ishte pikërisht festa në Shkup, dhe kjo më bën krenar.
Përtej, jam doktorant në 2 universitete paralelisht duke vijuar studime në departamentin e shkencave politike si dhe në komunikologji dhe njëkohësisht ligjëroj edhe në fakultetin e gazetarisë pranë USHT-së.
Përskaj gjithë këtyre aktiviteteve dhe shumë të tjera që nuk i përmenda, unë akoma kam shumë energji dhe dashuri për Shkupin tim dhe nuk do të ndalëm asnjëherë së punuari për qytetin tim.

Lulzim Farizi: Iniciativa e bashkëmendimtareve të mi dhe të partisë në përgjithësi ishte se pikërisht unë të jem kandidat serioz për tu ballafaquar me situatën aktuale që po mbretëron në Kryeqendrën e vendit tonë ku midis tjerash jetojnë shqiptarët të cilët janë jashtë gjitha proceseve në kuadër të  institucioneve lokale. Sa i përket motivimit tim për të marr këtë barë jashtëzakonisht shumë të madhe duke krahasuar moshën time relativisht shumë të re janë dy arsyet kryesore, e para është ajo negativja ku shqiptarët në përgjithësi dhe të rinjtë në veçanti në territorin e  qytetit të Shkupit janë tërësisht të mënjanuar nga institucionet si ato qendrore dhe veçanërisht ato lokale. Shqiptarët e Shkupit janë tërësisht të diskriminuar jo nga ajo që të tjerët na diskriminojnë por nga ajo se shqiptarët nuk dinë të qeverisin dhe nuk kanë vizion se si ta bëjnë atë, e më tragjikja është se ato as që kanë interes që të bëjnë më shumë nga ajo se sa u japin pala tjetër.
Nëse bëjmë një analizë të funksionimit të Komunës së qytetit të Shkupit do të vijmë në përfundim se shqiptarët as që janë pjesë përbërëse e politikës vendimmarrëse dhe politik bërëse në këtë institucion qendror lokal. Sa për ilustrim do përmend dy gjëra shumë të rëndësishme që më kanë rënë në sy gjatë analizave të mija që kam bërë rreth përfaqësimit të shqiptarëve në këtë Komunë. Komuna   në strukturën organizative të saj është e përbërë nga gjithsej 16 sektorë dhe 70 seksione dhe një numër jashtëzakonisht shumë të madh të nëpunësve, por shtrohet pyetja se sa dhe si janë të përfaqësuar shqiptarët nëpër këto sektorë dhe seksione? Me plotë kuptimin e fjalës shqiptarët as që figurojnë këtu e ku të bëhet fjalë për ndonjë politik bërje apo vendimmarrje që do të ndikonte  në avancimin dhe përmasimin e kushteve ekonomiko-sociale të shqiptarëve  në rajonin e Shkupit veçanërisht të Komunës së Çairit dhe Saraj-it. Nga gjithsej 16 sektorë nuk udhëheq asnjë shqiptarë, dhe ç’është më tragjikja këtu ne sektorin e njësitit territorial të zjarrfikësve përveç qendrës e cila gjendet në Autokomande ka edhe katër në njësite ku mes tjerash një gjendet në Bit Pazar ku edhe këtu komandanti është maqedonas në zonën ku shumica janë shqiptar. Ndërsa sa i përket sesioneve nga 60 seksione sa ka Komuna e Qytetit të Shkupit asnjë nuk është shqiptar. Pikërisht këtu qëndron defekti më i madh se shqiptarët nuk janë në vendet vendimmarrëse dhe nuk bëhet as një projekt për përmasimin e jetës dhe standardit të popullit shqiptar që jeton në Shkup.

PORTALB: Çfarë mendonin për oponentin tuaj?

Artan Grubi: Pas 50 viteve, përfundimisht larguam ndërmarrjen publike “Higjiena Publike” nga vendbanimet shqiptare dhe i liruam ato banorë nga mbeturinat dhe plehu që qarkullonte në lagjet tona çdo ditë. Ne sot dëshmuan që tek shqiptarët nuk ma më vend për pleh dhe mbeturina dhe i çuam ato në rrugë të pa kthim.
Kështu që, shumë sinqerisht ju them, nuk kam ndonjë opinion të veçantë sepse nuk kam kushtuar ndonjëherë kohë të mendoj për të. Atë që unë dij për të e kam dëgjuar dhe mësuar nga vlerësimi i shfaqur publikisht nga ana e Kryetarit të tij, Menduh Thaçi, për atë vet. Gjersa Ali Ahmeti nxjerr një nga bashkëpunëtorët më të afërt të tij dhe një njëri që është dëshmuar në beteja të ndryshme për Shkupin, Menduh Thaçi nxjerr njeriun që ai vet e quajti “plehu më i madh i kombit shqiptar” dhe rrjedhimisht ju thotë Shkupjanëve që, sa i përket PDSHsë dhe Thaçin, Shkupjanët nuk meritojnë më shumë se sa mbeturina. Vërtet, duke marrë parasysh këto, “punët” e tija në të kaluarën, dhe flakareshat në faqet e tija nga ana nënkryetarit të PDSHsë, nuk konsideroj që kam oponent dinjitoz, por duke e vlerësuar nominimin e tij si ofendim për shqiptarët e Shkupit, as që kam ndërmend ta përfill.
Ndërsa kandidatura tjetër nga partia më e vogël shqiptare është vetëm në funkcion të përçarjes së votës shqiptare dhe dobësimit të potencialit politik shqiptar në Qytetin e Shkupit. Kjo parti veproi njejtë edhe në vitin 2011 duke shkaktuar humbjen e sëpaku 4 deputetëve shqiptar dhe vazhdon me misionin për përçarjen e votës shqiptare, por kam bindjen që qytetarët do t’ju japin përgjigjën e merituar në këto zgjedhje.

Lulzim Farizi: Ne si parti politike në përgjithësi dhe të gjithë bartësit e proceseve politike në veçanti nuk merremi shumë me konkurrentet tanë politik nga se ato janë të dështuar dhe duhet ti takojnë historisë, por meqë pyetja është e këtillë, unë do ti përshkruaj me disa fjalë oponentët e mi politik. Unë personalisht vij nga Komuna e Sarajit, respektivisht nga fshati Radushë ku Bekim Fazliu ka qenë Kryetar Komune në Saraj dhe le të dalë dhe të përmend një projekt të cilën ai e ka realizuar me parat dhe buxhetin komunës kur ai ka ushtruar këtë funksion. Ndërsa sa i përket Artan Grubit është person i cili u bë i famshëm me protestat e organizuara dy vjet më parë, ku shtrohet pyetja se çfarë fituan nga organizimi i tij qytetarët e çfarë ai? Në fakt një numër i madh i protestuesve shqiptarë hëngrën dajak dhe fituan aktpadi penale dhe u zvarritën nëpër seanca gjyqësore, ku para disa ditëve morën edhe aktvendime gjyqësore për dënimin e tyre me kusht, ndërsa ai personalisht fitoj postin e shefit të kabinetit në partin e tij, arriti të futet në pozicion seroiz në listën e deputetëve në vitin 2011 që ka gjasa të hy edhe si deputet nëse pararendësi i tij shkon si ambasador, arriti të bëhet ligjërues në Universitetin Shtetëror të Tetovës edhe pse nuk i plotëson kushtet dhe ushtron funksione tjera të cilat janë fitimprurëse për të dhe familjen e tij.
Kështu që nëse bëhet një komparacion mes tyre mendoj se janë të llojit të njëjtë dhe në këtë aspekt nuk kam konkurrencë nga ato, nga që e kaluara ime nuk ka bagazh negativ ku unë të kem arritur diçka duke sakrifikuar mundin e popullit dhe kombit shqiptar aty ku jetoj dhe më gjerë.

PORTALB: Numëroni projektet konkrete me të cilat do të filloni, ta themi 2 vitet e para) të “përmirësoni” gjendjen në Shkup?

Artan Grubi: Është garë e vështirë, por përmirësimin e gjendjes do ta kisha filluar me themelimin e Ansamblit të Këngës dhe Vallës shqipe në qytetin e Shkupit, Gasifikimin e qytetit, ndërtimin e qendrës kulturore në çair, zgjerimi i rrugës Cvetan Dimov dhe lidhja me qarkorën e Shkupit, restuarimi i dyqaneve në çarshinë e vjetër, ndërtimin e parkut të Rilindjes, riemërtimi i rrugëve, shesheve dhe institucioneve publike, instalimin e dygjuhësisë në të gjitha institucionet publike në nivel të qytetit, finansimin e Klubit Futbollistik Shkupi dhe themelimin e Shoqërisë Sportive “Shkupi”, Ndërtimi i kompleksit të USHT në Shkup në Kazermën Ilinden, Ringjallje cilësore të festivalit NOTA FEST me përfshirje të këngëve për fëmijë, popullore dhe zbavitëse, Ringjallje e jetës kulturore në Çarshi, Qendra sportive për Çair, Butel, Shuto Orizar, Ndërtimi i garazhave në kat në komunën Çair, Zgjërimi i Bulevardit “Brigada Maqedonaso-Kosovare” prej rr. Xhon Kenedi deri tek rr. Slloveneçka, Ndërtimi i rrethrotullimeve (unaza), në rr. Krste Misirkov, rr. Kemal Sejfulla dhe Brigada e dytë maqedonase si dhe udhëkryqin në rr. Kemal Sejfulla dhe rr. Bosna dhe Hercegovina. Rekonstruimi i rr. Brigada e dytë maqedonase, Rekonstruimi i rr. Llazo Trpkovski, Rekonstriumi dhe ndriçimi i rrugës prej urës në Saraj deri në Matkë. Ndërtimi dhe meremetimi i trotuareve, Ndërtimi i terreneve sportive në anën e majtë të lumit Vardar, Ndërtimi i një shkolle të mesme – drejtimi medicinë, rritjen e sigurisë në shkolla, etj. Prioritet gjithnjë kanë nevojat e qytetarëve dhe zëri i tyre do të jetë vendimtar për atë se çfarë do të punohet në komunën e tyre.

Lulzim Farizi: Ne nga RDK-ja projekt të parë kombëtar pa të cilin nuk ulemi të bisedojmë më tutje është, marrja e hises tonë, respektivisht ndarjen e mjeteve buxhetore sipas metodologjisë shkencore, ashtu sikur e bën p.sh deputeti Izet Zeqiri i cili analizon diskriminimin e shqiptarëve nga secili aspekt i jetës, për të cilat diskriminime partitë politike shqiptare e veçanërisht ajo qeveritare as së mund të paramendon metodologji të tillë të analizimit të diskriminimit të shqiptarëve. Qëllimi jonë primar është që shqiptarët shkupjan të ndajnë buxhetin e përbashkët të cilët e mbushin së bashku me shkupjanët tjerë, sipas parimit të përfaqësimit të tyre dhe përfshirja e tyre nëpër institucionet lokale sipas parimit të badenterit.  
Projektet e para do të ishin në fushën e infrastrukturës veçanërisht në Çair dhe Saraj dhe vendet tjera ku jetojnë shqiptarët në kuadër të qytetit të Shkupit, me qëllim për të realizuar moton tonë që e kemi “Mos të shkojë biznesi te infrastruktura, por infrastruktura të shkoj tek biznesi”, që definitivisht investimet e jashtme kapitale të zënë të bëhen edhe nëpër zonat shqiptare, krijimin e zonave të lira ekonomike, veçanërisht në Saraj, marrjen e një iniciative për revidimin e ndarjes territoriale ku Çairi është i diskriminuar më shumë se cila do qoftë komunë në Maqedoni dhe paraqet komunën më të getozuar në Evropë dhe botë.
Krijimin e kushteve për zhvillimin e biznesit të vogël dhe të mesëm, si parakusht kryesor ër zhvillimin e një ekonomie lokale dhe ndërprerja e fenomenit të korrupsionit që paraqet ngufatje për investimet dhe zhvillimin e ekonomisë në Shkup veçanërisht në vendbanimet shqiptare. Ne si shqiptar energjinë kryesore duhet ta fokusojmë ne ekonomi e jo në llafe boshe të patriotizmit të rremë. Ne çdo ditë jemi dëshmitar të promovimit të një politike cila në fjalim ka etëm ndërtimin e përmendoreve, shënimin e ditëve historike, çështjen e flamurit gjuhës e kështu me radhë, çështje të cilat dita ditës ne si shqiptarë pësojmë fiasko si në këtë fushë por më e veçanta është ajo në fushën ekonomike. Dallimi i shqiptarëve para dhe pas vitit 2001 qëndron në atë se para vitit 2001 shqiptaret ishin më të fuqishëm ekonomikisht, ndërsa të diskriminuar në gëzimin e të drejtave kombëtare, ndërsa pas vitit 2001 shqiptarët gëzojnë disa të drejta të cunguara por janë tërësisht të shkatwrruar ekonomikisht si pjesë më esenciale e ekzistimit të një kombi në botë. Ekonomia dhe politika janë dy gjëra shumë të ndërlidhura sikurse trupi dhe hija. Duke u nisur nga veti se jam prind i dy fëmijëve, në mëngjes kur fëmijët e mi zgjohen nga gjumi nuk më pyesin se sa është i madh Skenderbeu dhe në cilën pozitë gjendet nga parlamenti apo nga qeveria, nuk më pyet as për ndonjë tjetër kombëtar, të cilët partia në qeveri për çdo sekondë në çdo rast e përmendin, fëmijët e mi në mëngjes nuk më kërkojnë flamurin, por ato më kërkojnë qumësht, bukë, kërkojnë mjete financiare për tu argëtuar e kështu me radhë, ashtu kërkojnë edhe fëmijët tjerë shqiptarë nga prindërit të cilët jetojnë me të ardhura prej 40 euro në muaj ose edhe a to. Ne çdo ditë Shkupin e pjesës shqiptare e shohim më të varfër dhe më të vobegt, andaj synimi im është që do shtëpi shqiptare të ketë bukë për të ngrënë e jo figura dhe patriotizëm të rreme.

PORTALB: Çka do të bëni për të eliminuar dallimin ana e djathtë dhe e majtë e Lumit Vardar?

Artan Grubi: Shkupi meriton zhvillim të barabartë të të gjitha komunave në kuadër të qytetit duke theksuar që prioritet i veçantë duhet ti kushtohet komunave që kanë qenë më pak të përfillura nga administrata e qytetit. Pikërisht, puna e këshilltarëve shqiptar në 4 vitet e kaluara dëshmoi rëndësinë e qytetit të Shkupit dhe kapacitetin për investime rrënjësore në përmirësimin e cilësisë së qytetarëve. Kjo është edhe një nga arsyet se pse BDI pikërisht i kushton kaq rëndësi garës për qytet të Shkupit. 4 vjeçari i ardhshëm duhet t’ju dedikohet tërësisht komunave çair, Saraj, Butel, Shuto Orizare, në mënyrë që të arrihet barazia dhe krijimi i kushteve të përafërta me komunat tjera.

Lulzim Farizi: Lumi Vardar është një ndarje e Shkupit që i ngjan një Ripi të Gazës ku Shkupi në anën e djathtë i ngjan njw Jerusalemi ku çdo gjë është e urbanizuar, ka ndërtesa, shkolla cilësore, rrugë më moderne, bulevarde, pishina, institucione shtetërore, lulëzon ekonomia dhe papunësia është në minimale dhe vend ku mbi gjitha ekziston qetësia, ndërsa ana e majtë i ngjan një Gaze ku infrastruktura është tërësisht e shkatërruar e pa planifikuar, shqiptarët jetojnë në kushte shumë mizore ekonomike, me rrugë katastrofale pa bulevarde çdo gjë të krijon përshtypje se funksionon jashtë sistemit, duke mos krijuar kushte për shqiptarët që të njehen pjesë e sistemit shtetërorë, shqiptarët janë simbol i diskriminimit ku çdo ditë ato jetojnë me frikë se do bastisen shtëpitë e tyre, do të burgosen e kështu me radhë. Ne kohëve të fundit jemi dëshmitar të një situate paradoksale ku shqiptarët maltretohen rihen dhe shpallen terrorist të pa dëshmuar ndërsa qeveritarët tanë festojnë ditëlindje, dhe as që mërziten për fatin e tyre. Andaj Shkupi, veçanërisht shqiptarët kanë nevojë për njerëz të cilët do ti përfaqëson mbi gjitha ai I cili ka dije, dinjitet dhe kredibilitet moral dhe kombëtar, e jo njerëz matrapaz, hajdut të cilët kanë vizion vetëm korrupsionin dhe hajnin. Pjesa e majtë e lumit vardar ka vetëm një rrugëdalje, përfaqësimi nga njerëz të cilët do të dinë të marrin hisen nga buxheti i Qytetit të Shkupit dhe do të bëjnë investime kapitale nga biznesmenët vendor dhe ato të jashtëm sipas parimit të badinterit, rrugëdalje tjetër për këtë rajon nuk ka./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button