Për Kasamin, qeveria ka legjitimitet deri në vitin 2024

Qeveria duhet të mbetet deri në fund të mandatit të saj, tha kreu i Besës, Bilal Kasami, partia e së cilës është pjesë e shumicës parlamentare dhe ekzekutivit, përcjell Portalb.mk.

“Legjitimiteti i kësaj Qeverie është nga viti 2020, që nga zgjedhjet parlamentare dhe personalisht vlerësoj se ashtu duhet të jetë deri në fund të mandatit. Për çdo gjë tjetër edhe une kam thënë se pas zgjedhjeve do të ketë reflektim te vetë partive sipas rezultatit të zgjedhjeve lokale. Çdo formatim i Qeverisë nuk do të jetë tjetër vetëm se me interes lokal. Maqedonia ka partnerë strategjikë si Uashingtoni dhe Brukseli. Duhet të jetë në bashkëpunim të ngushtë me këto qendra”, tha Kasami në përgjigje të pyetjeve të gazetarëve.

Pas njoftimeve nga opozita se pas zgjedhjeve lokale se do të formohet shumicë e re parlamentare, kryeministri Zoran Zaev dje në një konferencë për media, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, tha se shumica ekzistuese parlamentare vetëm mund të rritet, por jo të ndryshohet.

Ai përsëriti se koalicionet dhe shumica kanë arsye të natyrshme për krijimin, mbijetesën apo shpërbërjen e tyre, si dhe krijimin e një shumice të re.

Përndryshe rezultati i zgjedhjeve lokale të rrethit të parëka hapur debatin për mundësinë e koalicioneve të reja.

Funksionarët e partive në pushtet BDI dhe BESA, dje shprehën gatishmëri që koalicionit qeveritar t’i bashkëngjitet edhe Alternativa, e cila ka 4 deputetë dhe është në koalicion me Aleancën për Shqiptarët.

Megjithatë, nga ASH dje njoftojnë se koalicioni mes tyre është stabil dhe se po punojnë në krijimin e shumicës së re parlamentare.

“Njoftojmë opinionin se koalicioni mes Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativës është stabil dhe bashkërisht punojmë në krijimin e shumicës së re parlamentare brenda një periudhe shumë të shpejtë”, thuhej në kumtesën e ASH-së.

Paraprakisht ASH-ja ka deklaruar që janë të gatshëm që ta mbështesin Bilall Kasamin e Lëvizjes BESA, i cili do të garojë në rrethin e dytë për kryetar të Tetovës në përballje me Teuta Arifin e BDI-së.

Edhe pse edhe BESA edhe BDI janë në koalicion qeveritar, ata do të duhet të përballen në nivel lokal. Por të dy partitë, thonë se kjo nuk përbën asnjë problem dhe se koalicioni qeveritar është stabil.

Kryeministri Zoran Zaev, në ndërkohë, deklaroi se anëtarësia e LSDM-së në Tetovë nuk do të ndikojë se për kë të votojë në rrethin e dytë në Tetovë.

Nga ana tjetër, kryetari i opozitës maqedonase, Hristijan Mickoski, nëpërmjet konferencës për shtyp kërkoi që e tërë opozita të bashkohen kundër pushtetit. Nga ana tjetër ASH-ja, deklaroi se pas zgjedhjeve lokale, pushteti aktual nuk ka legjitimitet.

Si kundërpërgjigje ndaj kësaj iniciative, Zoran Zaev u ka dërguar letër me thirrje për bashkim të gjitha partive të koalicionit qeveritar të udhëhequr dhe ata pastaj dolën me qëndrime se mbeten në qeveri.

Zaev duke u përgjigjur në pyetje gazetareske se a do të japë dorëheqje nëse e humb Shkupin dhe komunat tjera në rrethin e dytë, ai tha nuk mund të udhëheqë qeveri, nëse Qyteti i Shkupit dhe Komunat shkojnë mbrapa, gjegjësisht në drejtim të kundërt.

Në zgjedhjet lokale të 17 tetorit, në rrethin e parë, VMRO-DPMNE fitoi 22 komuna, LSDM 9 dhe BDI 3. Rrethi i dytë i zgjedhjeve lokale mbahet më 31 tetor.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button