fbpx

Kosovë, numri i grave të prekura me kancer të gjirit në rritje

Në prill të vitit 2020, kur pandemia Covid-19 sapo ishte përhapur në Kosovë, Vildane Kuksi nga qyteti i Prizrenit u dignostikua me kancer të gjirit, shkruan VOA.

“Në një kontrollë të rastësishme vërejta një gjëndërr si një kokërr dhe i tregova bashkëshortit. Kur erdhi ai e mori me më shumë seriozitet dhe me të vërtetë kishte pasur të drejtë. Pastaj shkuam të gjinekologu, po them në ato kushte shumë të vështira se nuk punonin as gjinekologët dhe as ambulanca. Por u hapën dyert, e bëra një eho të gjirit dhe u zbulua diçka, më thanë që duhet të bëjë mamografinë, e cila tregoi se është një kancer që duhet të largohet.” rrëfen ajo.

Vildanja, mësuese me profesion, u detyrua që t’i nënshtrohej menjëherë ndërhyrjes kirurgjike për trajtimin e kësaj sëmundje. Ky rrugëtim, thotë ajo, është mjaftë i rëndë dhe çdo gruaje që e kalon i duhet mbështetje e madhe.

“Bashkëshorti im ka qenë mbështetësi im më i madh qysh prej dignostikimit apo edhe para se të diagnostikohem sepse bashkë e kemi zbuluar. Por prej asaj kohe e deri më sot ka qenë vazhdimisht me mua, në operacion, pas tij, gjatë kimioterapisë e edhe sot e kësaj dite e kam mbështetjen më të madhe. Përveç arsyeve tjera si bashkëshorti, vajzat, prindërit e të tjera, por mbesa ka qenë ajo vendimtarja që më ka shtyrë të vazhdoj këtë luftë.” tha ajo.

Ndihmë e madhe për Vildanën ishte edhe antarësimi në shoqatën “Renesansa” në Prizren, e cila krahas furnizimit të grave të prekura me paruke, proteza e mjete të nevojshme, vazhdimisht bën përpjekje për të rritur edhe ndërgjegjësimin lidhur me kancerin e gjirit.

“Unë vuaj nga kanceri i gjirit prej vitit 2016 dhe shoqata është formuar në vitin 2017 kur edhe ka filluar aktivitetet e veta. Një shoqatë e tillë ka qenë shumë e nevojshme sepse i ka mbledhur dhe i ka vënë në pah të gjitha pacientet në mënyrë që të tregojnë hallet e brengat e tyre lidhur me sëmundjen dhe këto kohëra të vështira.” tha ajo.

Zonja Pirana, themeluese e kësaj shoqate thotë se shoqëria duhet të ofrojë më shumë mbështetje për gratë e prekura nga kjo sëmundje.

“Ne kemi dëshirë që pacientet me kancer të gjirit të mos jenë të izoluara por të jenë plotësisht të rehabilituara dhe të vazhdojnë jetën e tyre në normalitet. Në të shumtën e rasteve kanceri i gjirit godet femrën në moshën kur ajo është më me energji dhe kur mundet më së shumti t’i kontribuojë familjes. Por diagnostikimi me kancer e then plotësisht pacienten por edhe familjen, e varfëron pacienten por edhe familjen prandaj shoqëria jonë duhet t’i kushtoj rëndësi të madhe kësaj kategorie sepse është e margjinalizuar.” tha Pirana.

Ajo tha se aktualisht në qytetin e Prizrenit nuk ofrohen shërbime onkologjike, prandaj sipas saj është shumë e rëndësishme që shërbime të tilla të mundësohen sa më parë në të gjitha qytetet e mëdha dhe jo vetëm në kryeqytet.

“Onkologu kur punon, pacienti nuk ka nevojë të shkojë orë e çast për t’i treguar analizat, pastaj në të shumtën e rasteve pacientet me kancer të gjirit nuk udhëtojnë vetëm dhe kjo është shpenzim. Pastaj nëse udhëtojnë me autobus ju shkon tërë dita, po nëse kanë fëmijë të vegjël duhet edhe ata t’i marrin me vete, fëmijët humbin mësimin, pra janë një sërë problemesh që do të ishin zgjidhur me një hap përpara, me një onkolog, me një ordinancë onkologjike në kuadër të çdo qendre, e të Prizrenit që po flas unë në këtë rast.” tha ajo.

Ilir Kurtishi, drejtor i Klinikës së Onkologjisë në Prishtinë, thotë se këtë vit është shënuar ngritje e numrit të grave të regjistruara me kancer të gjirit deri në katër për qind.

“Ne në klinikën tonë sivjet kemi pranuar dhe mjekuar rreth 300 femra me kancer të gjirit për herë të parë, kjo i bie që në krahasim me vitin 2020 kemi një rritje për 3-4 për qind. Shpresojmë dhe lutemi që ky numër mos të kalojë deri në fund të vitit mbi 400 meqë do të ishte për herë të parë në Kosovë një numër i tillë i të prekurve me kancer të gjirit brenda vitit. Kjo nuk është gjendje alarmante në krahasim me vendet e rajonit, por kjo na jep të kuptojmë që duhet të ketë kujdes shumë më të madh dhe sëmundja të zbulohet sa më herët.” tha ai.

Mjekimi më i mirë i kësaj sëmundjeje është zbulimi i hershëm i saj thotë zoti Kurtishi, ndërsa bën thirrje që kontrollet rutinë të bëhen në mënyrë të vazhdueshme.

Kanceri i gjirit është lloji më i përhapur i kancerit në Kosovë dhe Evropë dhe rrjedhimisht ka shkallën më të lartë të vdekshmërisë. Kjo sëmundje kryesisht godet gratë, por pa përjashtuar burrat. Në Kosovë çdo vit pesë deri në shtatë meshkuj preken nga kjo sëmundje.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button