Kundërspin: Manipulim i qartë që shihet edhe nga aeroplani

631.860 personat, të cilët Vlatko Gjorçev në mënyrë manipuluese e paraqet si tregues të fitores së VMRO-DPMNE-së kundër LSDM-së për 4 me 1, aspak nuk e nënkupton këtë. Nga këta 631.860 banorë në 22 komuna, ka persona që nuk kanë dalë fare në votim, ka persona që kanë votuar për kandidatë të pavarur apo kandidatë të një partie tjetër, ka edhe të tillë që kanë dalë në votim dhe e kanë shkatërruar fletën e votimit. Ky numër i përgjithshëm i banorëve nuk mund të shkojë në llogarinë e VMRO-DPMNE-së. Kjo paraqitje e rezultateve është rrotullim i së vërtetës që opinioni të krijojë përshtypje të gabuar dhe kjo bëhet për të mbledhur pikë politike para raundit të dytë të zgjedhjeve, raporton Vërtetmatësi.

Shkruan: Simona Atanasova

Edhe pse zgjedhjet nuk kanë përfunduar plotësisht dhe më 31 tetor pason raundi i dytë i votimit, kjo nuk i ka penguar politikanët të shpejtojnë me llogaritjet dhe të shpallin fitore. Anëtari i Komitetit Ekzekutiv të VMRO-DPMNE-së dhe ish-deputeti, Vlatko Gjorçevnë rrjetin social Facebook, në mënyrë tendencioze ka interpretuar rezultatet e raundit të parë të zgjedhjeve lokale të mbajtur të dielën, duke rrotulluar të vërtetën:

Spin: Shpërnajeni.  ✅✅✅

Fitorja sipas POPULLIT është 4 : 1.  ???

Në raundin e dytë do të jetë 10 : 1.  Po, 10 me 1.

Gjithë opozita kundër pushtetit.  Game over.

Kundërspin: Gjorçev, së bashku me këtë postim në rrjetin social Facebook, ka shpërndarë një grafikë të numrit të përgjithshëm të banorëve në vendvotimet ku qytetarët kanë zgjedhur kryetarët e komunave në rrethin e parë të zgjedhjeve.

Në këtë kuptim, ai në grafikon vë në dukje se në 22 komuna në të cilat VMRO-DPMNE ka marrë kryetar, ka gjithsej 631.860 banorë, ndërsa numri i përgjithshëm i banorëve në 9 komuna në të cilat LSDM ka fituar postin e kryetarit është 146.799. Dhe në bazë të këtyre të dhënave, ai arrin në përfundimin se “fitorja sipas POPULLIT është 4:1”, që është manipulim tipik i numrave, vetëm matematikisht – të mbledhura pa kontekstin e duhur.

Ky krahasim është i pa qëndrueshëm, sepse rezultatet e zgjedhjeve nuk shihen bazuar në numrin e përgjithshëm të banorëve në komuna, por e rëndësishme është dalja e qytetarëve në votim. Gjegjësisht, gjatë numërimit të votave merren parasysh vetëm ata që kanë vendosur të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës. Më pas, nga ai numër i personave që kanë votuar, matet se cili kandidat sa vota ka fituar dhe këto të dhëna japin fituesin.

Ky numër në kolonën e parë prej 631,860 banorësh, i cili është paraqitur në mënyrë manipuluese si tregues i fitores së VMRO-DPMNE-së me 4 me 1, nuk e nënkupton aspak këtë. Nga këta 631,860 banorë në këto 22 komuna, ka njerëz që nuk kanë dalë fare në votim, ka njerëz që kanë votuar për kandidatë të pavarur ose kandidatë të një parti tjetër që nuk është VMRO-DPMNE, dhe ka nga ata që kanë dalë në votim dhe e kanë prishur fletën e votimit. Ky numër i përgjithshëm i banorëve, assesi nuk mund të shkojë në llogari të VMRO-DPMNE-së.

Fakt është se edhe pse në rrethin e parë të zgjedhjeve VMRO-DPMNE ka fituar më shumë vota, ata nuk kanë fituar më shumë vota sesa zgjedhjet parlamentare në vitin 2020, kur humbën zgjedhjet. Realitet është se në këto zgjedhje edhe ata si LSDM-ja morën më pak vota. Pra, në zgjedhjet parlamentare në vitin 2020, VMRO-DPMNE dhe Koalicioni “Ripërtëritje për Maqedoninë” kishin gjithsej 315,344 vota, ndërsa në raundin e parë të zgjedhjeve lokale në vitin 2021 fituan 285,525 vota. Rënie edhe më e madhe vërehet te LSDM-ja në pushtet, të cilët në zgjedhjet parlamentare të vitit 2020 së bashku me Lëvizjen Besa në koalicionin “Mundemi” fituan 327.408 vota, kurse në zgjedhjet lokale të këtij viti morën 239.214 vota.

Të dhënat tregojnë se kjo fitore e VMRO-DPMNE-së, në fakt, është rezultat i rënies së madhe të votave të LSDM-së, e jo për shkak të rritjes së votave të VMRO-DPMNE-së.

Një fakt i rëndësishëm për të gjithë kontekstin është pjesëmarrja e përgjithshme në këto zgjedhje, e cila është shumë e ulët. Sipas të dhënave të fundit të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, dalja në këto zgjedhje është 48,99 për qind nga numri i përgjithshëm i votuesve të regjistruar në Listën Zgjedhore. Pjesëmarrja në zgjedhjet e lokale të vitit 2017 ishte mjaft e lartë. Në raundin e parë ishte 67 për qind, ndërsa në raundin e dytë, i cili u mbajt në 29 komuna, pjesëmarrja ishte 59 për qind. Pjesëmarrja në zgjedhjet parlamentare të vitit 2020 ishte 52.06 për qind.

Prandaj, pa dyshim, ky status i Gjorçevit dhe paraqitja e tillë e shifrave të verifikueshme, është spin dhe manipulim që opinioni të krijojë përshtypje të gabuar dhe kjo bëhet për të mbledhur pikë politike para rrethit të dytë të zgjedhjeve.

Disklejmer, baner, vertetematesi, NED

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button