Alternativa nuk e mbështet Besën në Tetovë dhe Zhelinë: Mbështesim vetëm kandidatët e AAA&ASH

Partia Alternativa njofton se në mbledhjen e mbrëmshme të Kryesisë Qendrore të koalicionit, pos tjerash, është diskutuar edhe për temën e raundit të dytë të zgjedhjeve lokale.

“Me këtë rast Alternativa edhe njëherë shpreh mbështetjen plotë të kandidatëve të koalicionit AAA&ASH në komunat e Strugës, Dibrës, Gostivarit, Vrapçishtit, Bogovinës, Tearcës dhe Çairit dhe bën thirrje për mobilizim të të gjitha energjive dhe fuqive për ta sjellë ndryshimin e shumëpritur edhe në vendbanimet tona”, thonë nga partia Alternativa.

Ata shtojnë se, në mbledhjen e Kryesisë Qendrore të Alternativës u diskutua edhe për qëndrimin ndaj garës ku koalicioni AAA&ASH nuk garon me kandidatë në raundin e dytë.

“Duke parë se të gjithë ata janë kandidatë të partive në pushtet, ndërsa AlternAtivA është parti opozitare, Kryesia Qendrore vendosi që Alternativa të mbetet konsistente në përfaqësimin e zërit opozitar, andaj nuk do të bëjë thirrje për ta mbështetur ndonjë kandidat të caktuar në ndonjë komunë të tilla”, thuhet në kumtesë.

Në këto zgjedhje lokale, partneri i koalicionit të Alternativës, Aleanca për Shqiptarët, ka deklaruar se publikisht do ta përkrahin kandidatin e Lëvizjes BESA në rrethin e dytë në Tetovë dhe Zhelinë, ku kundërkandidatë do të kenë përfaqësues nga BDI. Megjithatë, Alternativa nuk e përkrahë mbështetjen e këtillë.

Zekirja Ibraimi nga Alternativa, mbrëmë në një emision televiziv tha se pas rrethit të dytë të zgjedhjeve do të publikohet edhe shumica e re parlamentare, e cila do të jetë në duart e Hristijan Mickoskit.

Kryeministri Zoran Zaev, duke komentuar deklaratën e Ibraimit tha se do të ketë zgjerim të shumicës parlamentare dhe se sipas tij, Alternativa është lënduar dhe poshtëruar me atë që është në koalicion me VMRO-DPMNE-në.

“Ne kemi bashkëpunim të mirë (me Alternativën), kemi perspektivë të mirë, pyetni për cilën shumicë të re parlamentare bëhet fjalë. Alternativa është e lënduar dhe poshtëruar, ajo shihet gjithandej edhe në parlament. Nuk dëshiron të jetë në koalicion me VMRO-DPMNE-në”, tha Zaev.

Çështja e zgjerimit të shumicës parlamentare apo formimit të shumicës së re parlamentare, u hap pas rezultatit të rrethit të parë të zgjedhjeve lokale, ku opozitarja VMRO-DPMNE fitoi 22 komuna, ndërkaq partia në pushtet LSDM 9.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button