Nuk është e vërtetë se skriningu i nxënësve është vetëm një fillim drejt vaksinimit të detyrueshëm të fëmijëve

Postimi që po e analizojmë përhap dezinformata. Pretendimi se fëmijët do të vaksinohen me detyrim është i pabazuar dhe pa asnjë dëshmi. Vaksinimi i fëmijëve është mbi bazë vullnetare dhe bëhet vetëm me pëlqimin e prindërve, shkruan Vërtetëmatësi.

Në një postimFacebook pretendohet se skriningu që po bëhet nëpër shkolla për të zbuluar rastet e mundshme asimptomatike të të infektuarve me Kovid-19, është vetëm një fillim drejt vaksinimit të detyrueshëm të fëmijëve. Kjo nuk është e vërtetë.

Tani u erdhi radha fëmijëve, ky është një test i parakohshëm për atë që vjen pas disa Fazave, Vaksinimi i detyrueshëm i fëmijëve. Fashizmi edhe pas rënies vazhdon me ideologjinë e tij deri në sekondën e fundit. Ashtu siç na detyrojnë të gjithëve të mbajmë maska, të Vaksinohemi dhe Testohemi që të jemi të lirë pa kufizime, ashtu tani do godasin edhe më shumë mbi fëmijët. Dikush tha se kjo qenka vetëm një teori konspirative, por tani është një realitet. Fashizmi vazhdon.

Skriningu i nxënësve filloi në 20 shtator në shkollat e mesme. Ditën e pare u morën strishio nga më shumë se 160 gjimnazistë nga shkolla e mesme “Zef Lush Marku” në Shkup dhe nga Shkolla e mesme e mjekësisë “Pançe Karagjozov”. Nuk u zbulua asnjë rast pozitiv.

Nga Ministria e shëndetësisë kanë deklaruar vazhdimisht se skriningu i fëmijëve ka për qëllim të zbulojë bartësit e mundshëm asimptomatikë të koronavirusit, për të parandaluar transmetimin e tij. Skriningu kryhet me përzgjedhje të rastësishme të nxënësve dhe me pëlqimin e prindërve. Sipas planit të autoriteteve shëndetësore, në mbi 470 shkolla të vendit do të testohen rreth 8200 nxënës. Skriningu do të bëhet fillimisht në shkollat ​​e mesme dhe më pas edhe në shkollat ​​fillore.

Në postimin që po e analizojmë thuhet se skriningu është një fillim drejt vaksinimit të detyrueshëm të fëmijëve. Kjo nuk është hera e parë që gënjeshtra të tilla përhapen në rrjetet sociale e në të cilat thuhet se dikush dëshiron që t’i  vaksinojë fëmijët me detyrim dhe fshehurazi.

Vaksinimi kundër Kovid-19 në vend, si dhe kudo në botë, bëhet mbi bazë vullnetare për personat mbi 18 vjeç dhe kjo gjë është bërë e qartë shumë herë. Maqedonia e Veriut, duke ndjekur shembullin e vendeve të tjera, e miratoi vaksinën Pfizer për personat mbi 12 vjeç, por fëmijët vaksinohen vetëm me pëlqimin e prindërve, të cilët e bëjnë këtë duke i regjistruar ato në faqen “vakcinacija.mk”.

Këtë në një deklaratë për „Vërtetmatësin“ e konfirmuan nga Ministria e shëndetësisë që në muajin gusht kur edhe filluan të përhapen dezinformata se me fillimin e vitit shkollor fëmijët fshehurazi do vaksinohen nëpër shkollat ku mësojnë.

“Në vendin tonë, personat mbi 18 vjeç imunizohen vullnetarisht dhe fëmijët nga 12-18 vjeç vetëm me pëlqimin e prindit. Të miturit në vendin tonë vaksinohen ekskluzivisht me vaksinën e prodhuesit “Pfizer”. Ministria e Shëndetësisë thekson se informacionet e publikuara të cilave ju referoheni janë të pavërteta.” u përgjigjën në gusht nga Ministria e Shëndetësisë.

Prandaj, postimi që po e analizojmë përhap dezinformata. Pretendimi se fëmijët do të vaksinohen me detyrim është i pabazuar dhe pa asnjë dëshmi. Vaksinimi i fëmijëve është mbi bazë vullnetare dhe bëhet vetëm me pëlqimin e prindërve.

Disklejmer, baner, Fact Check COVID19, verifikimi i fakteve, vertetematës, koronavirus, coronavirus, COVID, vertetematesi

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button