Visar Mulliqi më 28 tetor në Shkup do të hapë ekspozitën me titull “Përtej ngjyrave”

Përfaqësuesi i skenës artistike të Kosovës, Visar Mulliqi, në Galerinë Kombëtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut, në hapësirën e galerisë Çifte Hamam, do të prezantojë para publikut ekspozitën me titull “Përtej ngjyrave”. Hapja e ekspozitës është planifikuar për në 28 tetor 2021, në orën 19:00 dhe do të zgjasë deri më 5 nëntor 2021, përcjell Portalb.mk.

“Në kuadrot ekspresive të Visar Mulliqit, ndodhesh brenda një universi të turbulluar, ku ndërthuren në mënyrë mjaft të dukshme shqetësimi dhe përjetimi ekzistencial i autorit, emocioni i tij i mbërthyer në psikologjinë e një numri të madh figura të abstraguara herë-herë si njolla dinamike që pulsojnë pareshtur kuadrot. Këto figura ekspresive kthehen në një lajtmotiv origjinal në krijimtarinë e tij, si dhe me tensione të dukshme dhe të fshehta në strukturat kompozicionale herë – herë poetike e herë –here dramatike. Çdo element i përdorur në kuadrot e tij shfaqet si formë e pastër në vetvete pa marrë përsipër të komunikojë ndonjë mesazh të caktuar”, thuhet në njoftimin e Galerisë Nacionale.

Krijimtaria artistike Mulliqit përfshin pikturën ekspresioniste bashkëkohore me një sensibilitet të theksuar karshi materialit me të cilin operon.

Ka marr pjesë në shumë ekspozita kolektive dhe disa personale në Kosovë dhe në arenën ndërkombëtare: Kosovë, Austri, Shqipëri, Maqedoni, Francë, Japoni, Belgjikë, Gjermani, Zvicër etj., si dhe nga viti 1992-2004 pjesëmarrës në të gjitha ekspozitat kolektive të organizuara nga “Shoqata e Artistëve të Kosovës”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button