Ballafaqim: Teuta Arifi përballë Sadi Bexhetit, cili del më i miri?

Portalb përgatiti një ballafaqim të drejtpërdrejtë me kandidatët shqiptar të komunës së Tetovës. Shkurtë dhe thjeshtë, pesë pyetje të njëjta për secilin. Lexuesi le të vlerëson se cili del më i miri.
Në këtë mini-intervistë u përgjigjën kandidatja e BDI-së Teuta Arifi dhe ai i PDSH-së, Sadi Bexheti. Kandidati i RDK-së edhe pse me kohë i informuar nuk është përgjigjur në këtë intervistë. 
 
1. Pse pikërisht juve t’ju votojë popullata, cila është ajo veti të cilën ju e posedoni që do t’ju bëjë fitimtar? 

Teuta Arifi: Gjatë jetës time unë kam pasur nderin të jem pjesë e disa nismave shoqërore, arsimore dhe politike. Kam qenë bashkëthemeluese e Lidhjes së grave shqiptare, Komitetin e Helsinkut për të drejtat e njeriut, Universitetit të Evropës Juglindore dhe kam qenë pjesë e përbërjes parlamentare që votoi legalizimin e Universitetit të Tetovës. Angazhimin tim politik gjithmonë e kam bazuar në standardet e etikës dhe përgjegjësinë që duhet të ketë një individ i cili i merr përsipër ti shërbejë shoqërisë dhe realizimit të së  mirës së përgjithshme.
Si kandidat për kryetare të Tetovës jam munduar të zhvilloj një fushatë pozitive duke ofruar vizionin tim për qytetin e Tetovës dhe programin konkret që do të jetë plan pune për pushtetin e ardhshëm  vendor dhe për gjithë qytetarët pasi që besoj fuqishëm që individi, komuniteti dhe pushteti janë trinomi brenda të cilit duhet të lëvizet për ta përparuar  dhe zhvilluar qytetin tonë.

Sadi Bexheti: Mendoj që për këto katër vite të menaxhimit të komunës së Tetovës, kemi treguar vendosmëri dhe përkushtim për t’u përballur me të gjitha problemet që tangojnë qytetarët e Tetovës. Siç e dini, ne nuk e kemi pasur këshillin e komunës, por pavarësisht nga kjo, ne kemi arritur që të bashkëpunojmë, të gjejmë ekuilibër dhe të gjejmë zgjidhje për të gjitha ato nisma të cilat kanë qenë vitale për qytetin e Tetovës. Kësisoj, në mungesë të angazhimeve nga qeveria për projektet kapitale në Tetovë, ne kemi inicuar zgjidhje për çështjet esenciale, siç janë finalizimi i projektit të ujësjellësit, pastrimi i deponisë së egër dhe projekte tjera që kanë qenë me interes për gjithë qytetarët. 
Gjithashtu, kemi arritur të miratojmë Planin e ri urbanistik për Kodrën e Diellit, që paraqet një strategji afatgjatë zhvillimi për këtë qendër turistike, planin urbanistik për ndërtimin e teatrit dhe bibliotekës, që realisht ofron të gjitha parakushtet për fillimin e ndërtimit të objektit nga ana e Ministrisë së Kulturës. Gjatë tërë kohës kemi qenë të hapur për qytetarët dhe institucionet e vendit dhe ndërkombëtare. Transparenca dhe bashkëpunimi, konsideroj se kanë qenë dhe do të mbeten veti e qeverisjes sonë.

2. Çfarë mendoni për oponentin tuaj?

Sadi Bexheti: Kjo është një garë konkurruese dhe ne gjithnjë kemi shfaqur gatishmëri për të respektuar parimet e demokracisë konkurruese, duke u përqendruar më tepër te platforma jonë politike dhe strategjia jonë zhvillimore që tashmë ka brenda vetes kontunitetin e angazhimeve për zhvillimin e qytetit. Mbetet e rëndësishme që gjithë kjo garë po zhvillohet qetë dhe pa probleme. Ne kemi arritur të senzibilizojmë gjithë shoqërinë në këtë fushatë, duke marrë parasysh kërkesat e qytetarëve dhe duke i bërë ato pjesë të programit tonë zhvillimor. Unë jam i bindur se qytetarët dinë të gjykojnë dhe vlerësojnë punët tona. 

Teuta Arifi: Unë nuk mendoj që bindja ime personale për kandidatët tjerë është relevante për procesin zgjedhor.Ne të gjithë  gjendemi të barabartë në garën për ti fituar zgjedhjet lokale dhe besoj që qytetarët gjatë kësaj fushate kanë dëgjuar ofertat tona dhe me 24 mars do ta votojnë ofertën më të mirë lokale dhe kandidatin i cili ka fituar besimin e tyre për të udhëhequr me qytetin katër vitet e ardhshme. 
 
3. Numëroni projektet konkrete me të cilat do të filloni, të themi 2 vitet e para të “përmirësoni” gjendjen në Tetovë të përcaktuara me afat kohor? 

Teuta Arifi: Gjëja e parë që do ta bëj është organizimi i aksionit “ Pastrimi i Tetovës” ku do të pastrohen hapësirat publike, rrugët,parqet, oborret e institucioneve, lumi Shkumbin dhe deponitë e egra që gjenden gjithkund nëpër qytet. Në këtë aksion do të marr pjesë unë, këshilltarët e komunës, administrata , ndërmarrja publike për pastrim, OJQ-të, shkollat dhe gjithë qytetarët e Tetovës që do të kontribuojnë ta krijojmë kushtin thelbësor të domosdoshëm për zhvillimin e projekteve tjera-ambientin e pastër jetësor. Për ti dhënë jetë dhe ngjyrë qytetit i cili është zbehur nga ndërtimet e shumta pa kriter, pronat publike që nga ky vit janë pronë e komunës do ti shendojmë në parqe për çlodhje, kënde për fëmijë, kopshte me lule dhe parkingje publike për mirëmbajtjen dhe menaxhimin e të cilave do të themelohet ndërmarrje e veçantë publike. 
Dy vitet e para të mandatit tim do të punoj në modernizimin dhe reformimin e administratës komunale dhe ndërmarrjeve publike me qëllim që të jenë më efikase dhe transparente në punën e tyre. Aksent të veçantë do të kenë masat për çrrënjosje të korrupsionit  dhe nepotizmit nga institucionet publike dhe  profesionalizimin e administratës që është parakusht për realizimin e suksesshëm të gjitha projekteve të pushtetit vendor. 
Dy vitet e para do të angazhohem maksimalisht në  zgjedhjen e dy problemeve më të mëdha të qytetit , furnizimin me ujë për pije  dhe  aplikimin e një modeli efikas për grumbullimin e mbeturinave dhe bartjen e tyre të rregullt në deponinë rajonale Rusino. Prioritet po ashtu do të jetë krijimi i kushteve për zhvillim dinamik të qytetit në aspektin ekonomik, urban dhe kulturor duke shfrytëzuar përgjegjshëm burimet vendore dhe fondet ndërkombëtare .

Sadi Bexheti: Ne tashmë na vazhdimësi kemi punuar për përfundimin e projektit të ujësjellësit. Brenda gjashtë muajve ky problem do të zgjidhet përfundimisht. Do t’i vazhdojmë investimet tjera në infrastrukturë të cilat saktësisht janë të përcaktuara në platformën tonë me dinamikat përkatëse. Tashmë kemi gati planin e ri urbanistik për Kodrën e Diellit dhe brenda dy viteve të para ne jemi të sigurt se përmes këtij plani do të arrihet zhvillim i qëndrueshëm urban nga se realisht do të mundësohet që të investohet në këtë qendër turistike. Kjo do të jetë një shtysë për dinamika te reja zhvillimore dhe për hapjen e vendeve të reja të punës. 
Gjithashtu ky plan strategjik do të krijojë mundësi zhvillimi edhe për vendbanimet e malësisë së Tetovës. Brenda dy viteve do ta realizojmë projektin për ndërtimin e mbi 300 vendparkimeve nëntokësore në qendër të qytetit dhe zgjerimin e hapësirave për parkim në pjesët tjera të qytetit. Në drejtim të përmirësimit të kushteve mësimore,do të ndërtojmë objektin e shkollës fillore në Reçicë dhe godinën e re të gjimnazit të Tetovës. 
Do ta përfundojmë projektin për efikasitet energjetik që përfshinë ndërrimin e dritareve dhe fasadave në të gjitha shkollat fillore dhe të mesme. Gjatë kësaj periudhë do të ndërtojmë shëtitoren përgjatë lumit Shkumbin, kënde lojrash për fëmijë dhe do të zgjerojmë hapësirat e gjelbërta në qytet.

4.Dihet se ndërtimi Bulevardeve ka ngecur disa vite, Tetova është në kaos komunikacioni, si mendoni se mund ta zgjidhni këtë problem nëse ju jepet mandati ? 

Sadi Bexheti: Me ndërtimin e shtatë rreth-rrotullimeve në pikat kyçe të qytetit, tashmë komunikacioni është përmirësuar dukshëm, në krahasim me disa vite më parë. Ndërtimi i parkingjeve të reja dhe realizimi i projektit për parkingjet nëntokësore dhe vazhdimi i ndërtimit të akseve të reja rrugore, përfundimisht do t’i jap zgjidhje komunikacionit.  
Në drejtim të lehtësimit të komunikacionit tashmë  në të gjitha rrugët e qytetit është rregulluar sinjalizimi vertikal dhe horizontal. 
Me studimin urbanistik të qytetit të Tetovës parashihen investime në të gjitha bulevardet dhe rrugët e qytetit. Një vëmendje e veçantë do t’iu kushtohet edhe vendbanimeve rurale. 

Teuta Arifi: Tetova ka nevojë për ndërtim urgjent të bulevardeve kryesore të qytetit ndërsa rrjeti i përgjithshëm i infrastrukturës rrugore do të rindërtohet paralelisht me rrjetin e ujësjellësit të qytetit në disa etapa. Rrugët e qytetit do të ridefinohen në kuptim të zhbllokimit të disa pikave kritike dhe lehtësimin e trafikut rrugor, përforcimin e aksit jugor drejtë Gostivarit dhe hapjen e aksit verior drejt Porojit.
Do të angazhohem në organizimin e sistemit modern të integruar të transportit urban dhe ndërurban me linja të rregullta në relacionet urbane dhe ndërurbane të cilat do të shfrytëzojnë stacione të përbashkëta dhe do ta promovojmë  fuqishëm  shfrytëzimin e transportit publik nga ana e qytetarëve. Është lehtë të mendohet për mbipopullimin e qytetit kur jemi duke pritur prapa timonit,, por të njejtën kohë të pritjes mund ta shfrytëzojmë për të menduar që një autobus bart udhëtarë sa njëzet vetura. Në qoftë se çdo ditë udhëtojmë duke shfrytëzuar linjat e rregullta të transportit publik do të thithim ajër tre here më të pastër se ky që kemi sot dhe poashtu do të kemi trafik më të organizuar.

5. Si do të zgjidhni problemin me ujin e pijshëm në Tetovë?

Sadi Bexheti: Projekti i ujësjellësit të Tetovës është në fazën finale. Jemi shumë afër që me mjetet vetanake nga buxheti i komunës të përmbyllim projektin e madh për ujin e pijshëm . Gjatë tërë kohës ne kemi qenë të përkushtuar dhe kemi punuar për finalizimin sa më të shpejt të këtij projekti kapital. Tashmë mjetet janë siguruar me destinim dhe me përmirësimin e kushteve klimatike do të vazhdojnë punimet në dy kilometrat e fundit dhe brenda gjashtë muajve rrumbullakohet i tërë projekti.

Teuta Arifi:  Projekti për sigurim të vazhdueshëm të ujit të pijshëm për qytetin është i madh, i rëndë dhe i kushtueshëm mirëpo gjithmonë i realizueshëm për një ekip të përgjegjshëm që e ka me gjithë mend ti shërbejë qytetarëve dhe qytetit. Prioritet për administratën e ardhshme komunale do të jetë përfundimi i tubacionit për furnizim me gjatësi prej 8 km, ndërtimi i impiantit, ndërtimi i impiantit me kapacitet prej 720 (m3/h), rekonstruimi i pusetave kryesore dhe anësore, ndërtimi i sistemit të ri për dezinfektim të ujit,ndërtimi i rezervoarit të ri të ujit dhe rindërtim, rehabilitim dhe zgjërim i rrjetit të ujësjellsit . Kjo është gjithë ajo që duhet të bëhet që kjo nevojë aq bazike për qytetarët tanë mos të jetë më luks për ta.  /PortAlb

Lajme të ngjashme

Back to top button