Australia është zotuar se do t’i ulë emetimet e karbonit në zero

Një nga ndotësit më të kritikuar në botë, Australia, premtoi se do t’i ulë në zero emetimet e karbonit deri në vitin 2050.

Zotimin e bëri kryeministri i këtij vendi, Scott Morrison, transmeton REL.

Ai tha se Australia ka plan për të zvogëluar emetimet, porse ai nuk përfshin mbylljen e sektorëve që përdorin lëndë djegëse fosile, e që shkaktojnë ndotje të mëdha.

“Ne nuk do të marrim mësime nga të tjerët që nuk e kuptojnë Australinë. Mënyra australiane ka të bëjë me atë se si bëhet dhe jo a bëhet… Ka të bëjë me realizimin e saj”, tha Morrison.

Për të ndalur efektet e këqija të ndryshimeve klimatike, vendet janë zotuar se do të kufizojnë rritjen e temperaturave në 1.5 gradë Celsius deri në vitin 2050.

Kjo kërkon uljen e emetimeve për 45% deri në vitin 2030 dhe arritjen e vlerës zero deri në vitin 2050, thonë shkencëtarët.

Australia i ka zvarritur prej kohësh veprimet e saj klimatike, çfarë ka çuar në mosmarrëveshje midis saj dhe aleatëve strategjikë.

Australia është një nga vendet më të ndotura për kokë banori dhe furnizuese kryesore globale e qymyrit dhe gazit.

Morrison tha se më shumë se 20 miliardë dollarë australianë do të investohen në “teknologjitë me emetime të ulëta” gjatë 20 vjetëve të ardhshëm.

Ato përfshijnë përpjekjet për kapjen e karbonit në tokë, uljen e kostove të energjisë diellore dhe zhvillimin e industrive më të gjelbra.

Por, nuk ka asnjë plan për të kufizuar karburantet fosile.

“Ne duam që industritë tona të rënda, si minierat, të qëndrojnë të hapura, të mbeten konkurruese dhe të përshtaten, në mënyrë që ato të mbeten në funksion për aq kohë sa e lejon kërkesa globale”, tha Morrison.

Ai tha se kjo do të ndihmojë në ruajtjen e komuniteteve rurale.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button