Mediat nuk e kanë shkelur Kodin Zgjedhor gjatë raportimit në raundin e parë të zgjedhjeve

Nuk janë konstatuar shkelje të dispozitave të Kodit Zgjedhor nga radiodifuzerët gjatë raportimit në raundin e parë të fushatës për zgjedhjet lokale 2021, thuhet në Raportin për raportimet mediatike për periudhën 27 shtator deri më 15 tetor, që sot e publikoi Agjencia për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuale (ASHMAA), njofton Portalb.mk.

Sipas rregullatorit të medias, të gjitha shërbimet komerciale në nivel kombëtar kanë bërë përpjekje për të siguruar mbulim mediatik të fushatës zgjedhore dhe pothuajse të gjitha, përveç informimit në emisionet e lajmeve ditore, kanë rezervuar më shumë programe të veçanta informative për pjesëmarrësit në zgjedhje.

– Fushata nuk u mbulua në përputhje me parimet e barazisë së kandidatëve për kryetarë komunash dhe proporcionalitetin e kandidatëve për këshilltarë komunalë. Redaksitë e kanë përcjellë fushatën zgjedhore në mënyrë pragmatike, kryesisht sipas pritshmërive nga përvoja e përgjithshme politike për proceset zgjedhore të deritanishme, duke i dhënë prioritet LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së dhe partnerëve të tyre të koalicionit, e jo sipas parimeve fillestare të kërkesave të parashtruara ligjore. Megjithatë, ekzistojnë një sërë arsyesh objektive për një konkluzion të tillë, në këtë rast duke filluar nga ajo themelore – numri i madh i kandidatëve të konfirmuar për qytetin e Shkupit, për komunat e Shkupit individualisht, por edhe për të gjitha komunat tjera në vend. thuhet në një deklaratë të ASHMAA.

Shërbimi i radiodifuzionit publik, siç bëjnë me dije, i ka respektuar kërkesat ligjore për strukturën e emisioneve ditore të lajmeve, për transmetimin e debateve dhe prezantimin politik të lirë. Kanali parlamentar ka transmetuar përfaqësim politik falas të disa pjesëmarrësve në zgjedhje, duke përcaktuar orarin sipas dispozitës ligjore.

Informacion për personat me aftësi të kufizuara shqisore ka dhënë vetëm MRT 1 dhe TV 24 Vesti.

Me monitorimin u mbuluan 13 shërbime programore – televizionet komerciale kombëtare Alsat M, Alfa, Kanal 5, Sitel, Telma, 24 Vesti, 21 M, Shenja dhe Klan Maqedoni dhe kanalet programore të Shërbimit Publik – RTM1, RTM2, Kanali Parlamentar dhe Programi i Parë në Radion e Maqedonisë.

Paralelisht me këtë monitorim, Agjencia monitoroi reklamat politike me pagesë të transmetuara në 41 televizione dhe 48 radio, të cilat ishin regjistruar në Komisionin Shtetëror të  Zgjedhjeve brenda afateve ligjore, raporti i të cilëve do të publikohet brenda afatit të përcaktuar në Kodin Zgjedhor.

Raporti për mënyrën e raportimit tek radiodifuzerët gjatë fushatës zgjedhore nga 27 shtatori deri më 15 tetor 2021 gjendet në linkun.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button