Lëvizja Besa zyrtarizoi bashkëpunimin me Aleancën për Shqiptarët për rrethin e dytë të zgjedhjeve lokale

Sekretari i përgjithshëm i Lëvizjes Besa, Arjanit Hoxha, sot nëpërmjet një konference për media, zyrtarizoi bashkëpunimin me Aleancën për Shqiptarët dhe mbështetjen e ndërsjellë, ku këto subjekte politike garojnë me kandidatë të tyre për në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale, shkruan Portalb.mk.

Hoxha tha se, një hap i këtillë është nxitur posaçërisht nga zhvillimet e fundit në skenën politike shqiptare.

“Duke analizuar zhvillimet e fundit në skenën politike si dhe koalicionin e rivjetërsuar midis BDI-së dhe PDSh-së, për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale, imponohet pozicionimi i qartë i Lëvizjes Besa kundrejt politikave të vjetra të këtyre dy partive politike të cilat pa asnjë parim të vet dhe kundër vullnetit të vet detyrohen të bashkohen për interesin e vet”, tha Hoxha.

Hoxha ka ftuar votuesit e Besës që të votojnë kandidatët e ASh-së për kryetarë të komunave në rrethin e dytë të zgjedhjeve lokale, dhe pret që edhe ASh të ftojë votuesit e saj të mbështesin kandidatët e Besës në komunat ku ajo garon.

“Bëjmë apel që në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale gjithë votuesit e Lëvizjes Besa të mbështesin kandidatët e Aleancës për Shqiptarët duke ndihmuar kështu në mposhtjen e politike të BDI-së dhe PDSH-së. Po ashtu kërkojmë nga Aleanca për Shqiptarët që në formë reciproke të bëjë thirrje votuesve të vet që të mbështesin e kandidatët e Lëvizjes Besa në Tetovë dhe Zhelinë. Koha është për ndryshim. Skena politike në vitet e ardhshme detyrimisht duhet të pësojë ndryshim, prandaj ne duhet t’i prijmë dhe ta bëjmë bashkë këtë ndryshim”, deklaroi ai.

I pyetur kur ka qenë komunikimi i fundit me Alernativën, Hoxha tha se janë në komunikim të vazhdueshëm me ASH-në dhe tani nuk e ndajnë koalicionin.

“Domethënë ne tash nuk i ndajmë koalicionet si koalicion. Komunikimi jonë me Aleancën për Shqiptarët është i vazhdueshëm prej pas takimit tim që kam pasur, kemi pasur komunikime të vazhdueshme dhe besoj se ata i kanë të qartësuara dilemat brenda koalicionit se, kjo ka qenë edhe një ndër hapat që kemi diskutuar, ne flasim për parime politike, pa hyrë në detaje të tjera. Kjo është korniza në të cilën duhet të zhvillohen punët. Gjithë qytetarët haptazi kanë thënë votuesi shqiptar kërkon ndryshimin e skenës politike, aq më tepër pas një koalicioni të turpshëm mes BDI-së dhe PDSH-së, imponohet që më në fund një herë e përgjithmonë t’u jepet fund këtyre politikave të vjetra dhe të vijë një gjeneratë e re politikanësh”, tha ai.

Rrethi i dytë i zgjedhjeve lokale do të mbahet më 31 tetor.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button