PLAZH, FILOZOFI DHE SHI (II)

Karl Popper-i është fajtori lidhur me etiketimin e Hegelit për shenjtërim të shtetit ngase e fjalën arsye e zëvendësoi me emrin Zot dhe bëri  shpjegimin në vijim:“State is the walk/march of God on earth” (Shteti është ecje/marshim i  Zotit në faqe të tokës.). Ky keqinterpretim duhet të bazohet në shtojcën e redaktorit të botimit të veprës “Filozofia e së drejtës” pas vdekjes së Hegelit (Kaufman, 1959).  Në të vërtetë teza e Hegelit është se shteti është marshim i arsyes në tokë, është entiteti ku realizohet liria, ku qenia njerëzore çmohet ngase para së gjithash është njeri, jo ngase është katolik apo protestant, gjerman apo italian etj.

Në debat u shtrua edhe pyetja  nëse shqiptarët kanë filozofi? Siç dihet, monizmi e kishte ndaluar filozofinë. U konstatua se ndër ne ka njerëz që merren me filozofi, por jo edhe filozofë. U cek se nëse ka ndonjë filozof ndër shqiptarë ai mund të jetë Arshi Pipa. 30 vite pas monizmit, ne ende pa filozof, pa njerëz që bëjnë anatominë e mendimit njerëzor. Ndoshta filozofi bëjmë pavetëdijshëm, kemi shkëndija filozofike të çastit por jo edhe sistematike. Qysh para nëntë vitesh kemi shkruar një artikull të titulluar “Shoqëria pa filozof(i)”, ku mes tjerash kemi cekur se “njeriu i madh-filozof di të krijojë një korelacion të shëndoshë mes politikës, ekonomisë, religjionit, psikologjisë, sociologjisë, historisë, antropologjisë, nuk është i skajshëm në bindjet e veta, që s’i mbyll sytë para të vërtetës”, se “filozofët vijnë nga bota e numenit, nuk janë të botës së fenomeneve, por mbifenomenë, nuk kultivohen”, se “në mjedisin shqiptar është bërë normale gjendja pa filozof e pa filozofi të mirëfilltë”. Mbetet që t’i rrekemi leximit të kësaj vepre (Çka mund të mësojmë sot nga Hegeli?), të promovuar në Shkup para ca kohe, të shoqërohemi me të për disa ditë, të përfitojmë nga Hegeli, kjo mendje e madhe idealiste e filozofisë botërore, më sistematiku nga idealistët post-kantianë.

  1. Ditë e premte, paradite. Kafjall në kalanë e Shkupit me një mik të shkollës së mesme që një kohë të gjatë ka jetuar në kontinentin amerikan dhe qe tre vjet po frymon sërish në vendlindje, ku ka gjetur vetëveten. Observojmë nga ballina xhamore e restorantit prestigjioz shiun që bie aq bukur saqë herë shikojmë njëri-tjetrin, herë peizazhin e dy Shkupëve, të atij të këndej-Vardarit, oriental të trashëguar dhe karrakatinë (slum) të bërë me dorën tonë, dhe të përtej-Vardarit, modern, post-modern e me të gjitha çmenduritë arkitektonike të “Shkupit 2014”. Dhe vazhdojmë të bisedojmë për “atjenë” dhe “këtunë”, duke krahasuar dy kultura të pakrahasueshme. “Jam i kënaqur që jam kthyer” – thotë shoku dhe shton: “Shiko vëlla, e dua shiun, se rigat e tij e nxjerrin në shesh ngjyrën jeshile në sipërfaqe, duket më e pashme, më e qartë”. Veç me politikë mos e lidh, se është në trend e blerta tani – i them. “Për politikë s’jap pesë pare, s’merrem me të” – vazhdon të rrëfehet. “Këngëtari thotë ‘E urrej shiun kur bie’, ndërsa ti e do” – ia kthej. Vërtet shiu ishte mbresëlënës atë ditë të bekuar të premteje, biseda me të sinqertin gjithashtu. “Këtu gjithçka shkon me ‘të njofshëm’, gjithçka e korruptuar. Kisha të nxjerr në dokument lejeqëndrimi të bashkëshortes, dhe një person që punon në administratë më tha që ta përshpejtojmë procedurën duke kaluar nëpër një derë tjetër.” “Ia ktheva”- thotë Y: “Ruaje radhën, mbikëqyr mos dalë para dikush pa rend, kjo më mjafton. S’dua gjë tjetër, s’dua kurrfarë privilegji.” Mjerim për këtë popull që hilen e dallaveret i kupton si zhdërvjelltësi.” Dhe flet për luksin e këtushëm, për sekretareshat e shoqërueset e “bosëve vendorë” që u rrijnë në këmbë dhe ua hapin derën atyre, për ritualin e kafes. “Qe dhjetë ditë po punoj nga 12 orë në ditë” – thotë. Tregon se si afarist që është gjithherë klientëve të vet u ka bërë vetë kafe ose e kanë bërë së bashku. “Atje bukën çdo ditë njerëzit e marrin në punë nga shtëpia, të gatshme. Nuk ka kohë për të dalë në restorant gjatë pauzave. Edhe unë kam qenë pjesë e asaj praktike.” “Për rreth dy dekada e më tepër, atje kurrë s’kam ngrënë qengj, ndërsa këtu është një gjë e  arritshme thuajse për shumicën”. Dhe sërish shiu, harmoni, simfoni. M’u kujtuan ca vargje nga poezia e I. Berkut:

Aq sa mundem jam i njerëzve
Nën një diell i kam duart, krahët, këmbët
Mbi mua bredhin njerëz të të gjitha sojeve
Një qiell i gjerë, pa fund
Fshatra malore pa ujë, të vegjël, të gjorë
Tërë trupin ma lag shiu

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button