Digjitalizimi i paralajmëruar në gjyqësor është një kafshatë shumë e madhe për Maqedoninë e Veriut, thotë Raporti i KE-së

Vendi ka një nivel të caktuar të gatishmërisë, gjegjësisht është mesatarisht i përgatitur për të zbatuar të drejtën e BE-së dhe standardet evropiane në fushën e sundimit të ligjit, thuhet në Raportin e KE-së për Progresin e vendit, transmeton Portalb.mk.

Raporti i KE-së konfirmon reformat e bëra në gjyqësor dhe vë në pah se mbetet të sigurohet zbatimi i duhur i tyre, me theks të veçantë në nevojën për pajisjen e mëtejshme të institucioneve me staf të trajnuar dhe pajisje të përshtatshme.

Në pjesën për cilësinë e gjyqësorit në Raportin e KE-së theksohet se buxheti i sistemit gjyqësor (buxheti për gjykatat, prokuroritë publike dhe ndihmë juridike) është reduktuar për 8.3 për qind krahasuar me vitin 2019 dhe 2020, kur ishte 40 milionë euro. ose 19.5 euro për kokë banori, që është nën mesataren për rajonin e Ballkanit Perëndimor prej 37.8 euro për kokë banori.

Digjitalizimi i paralajmëruar, nga ana tjetër, vlerësohet si një kafshatë shumë e madhe, duke qenë se deri më tani në masë të madhe varet nga donacionet e huaja, si dhe pagat jo tërheqëse për punësimin e ekspertëve të duhur të IT-së.

Në Raport vlerësohet se zbatimi i strategjisë gjyqësore vazhdon, përfshirë Ligjin për Prokurorinë Publike, më të cilin sigurohet përgjegjësia për krimet që burojnë dhe lidhen me përgjimet e paligjshme, ndërsa se Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, duke përdorur kompetencat e tij të zgjeruara, vazhdon të japë rezultate, duke përfshirë edhe rastet e nivelit të lartë.

Korrupsioni, thuhet në Raport, është i përhapur në shumë fusha dhe mbetet çështje shqetësuese.

Raporti i KE-së për sistemin gjyqësor të vendit vlerëson se është bërë progres i caktuar në zbatimin e strategjisë së reformës në drejtësi, me çka adresohen më tej rekomandimet e Komisionit të Venecias dhe grupit të ekspertëve për çështjet sistematike të shtetit të së drejtës.

“Nevojiten përpjekje për të siguruar zbatim sistematik të planit aksionar të përmirësuar të strategjisë për reformë në drejtësi dhe strategjisë së burimeve njerëzore për gjyqësorin dhe prokurorinë. Institucionet e drejtësisë vijojnë zbatimin e rregullave të reja për emërim, ngritje në detyrë, disiplinim dhe shkarkim të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Është me rëndësi të vazhdohet me zbatimin e kornizës ligjore dhe planit strategjik të reformës së Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit të Prokurorëve Publikë”, thuhet në Raport.

Vitin e ardhshëm, shteti duhet të punojë veçanërisht në:

  • forcimin e zbatimit të qëndrueshëm të strategjisë së reformës në drejtësi dhe planit të rishikuar aksionar, me fokus të veçantë në miratimin e një ligji të ri për procedurë civile, në përputhje me standardet evropiane;
  •  zbatim të strategjive të burimeve njerëzore për rrjetin gjyqësor dhe të prokurorive, duke i përdorur ato si tregues për projeksionet për punësimet e ardhshme;
  • Përmirësimi i sistemit të shpërndarjes automatike të lëndëve gjyqësore – AKMIS duke garantuar që ai të jetë plotësisht funksional dhe i besueshëm.

Çdo projektligj i ri për Akademinë e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, vlerëson raporti, duhet ta mbajë Akademinë si pikën e vetme hyrëse në gjyqësor dhe të garantojë qasje të drejtë dhe të barabartë në këto profesione.

Si një nga mjetet për rikthimin e besimit të publikut në gjyqësor, Raporti i KE vlerëson se Asociacioni i Gjyqtarëve dhe Këshilli Gjyqësor i Mediave janë duke promovuar aktivisht forcimin e transparencës. Për sa i përket llogaridhënies, në raport thuhet se Këshilli Gjyqësor vitin e kaluar ka pranuar 140 kërkesa për përcaktimin e përgjegjësisë së gjyqtarëve dhe kryetarëve dhe ka shkarkuar shtatë gjyqtarë, duke përfshirë edhe ish-kryetarin e Gjykatës Supreme, ndërsa KSHPK ka lëshuar urdhërpagesa për kundërvajtje ndaj 15 gjyqtarëve ose kryetarët e gjykatave dhe dhjetë prokurorë për mosparaqitjen e listës së pasurisë apo raportit të ndryshimit të pasurisë.

Në fund të vitit 2020 kishte 493 gjyqtarë (23 për 100 mijë banorë), nga të cilët 61 për qind gra dhe 187 prokurorë publikë (nëntë për 100 mijë banorë) nga të cilët 55 për qind gra. Krahasuar me vitin 2019, në vitin 2020 ka një rënie të lehtë të numrit të gjyqtarëve dhe prokurorëve publikë.

“Me rëndësi thelbësore mbetet të sigurohet vlerësim adekuat i nevojave për personel, veçanërisht në shërbimet e prokurorisë. Zbatimi i strategjisë së digjitalizimit në gjyqësor mbetet kryesisht i financuar nga donatorët. Konsideratat fillestare për digjitalizimin e 34 gjykatave do të kërkojnë punësimin e stafit shtesë të IT, detyrë sfiduese për shkak të pagave jo konkurruese të ofruara për detyra të tilla në sektorin publik”, thuhet në raportin e KE-së.

KE në Raport thekson se nevojitet promovim i vazhdueshëm për zgjidhje alternative të kontesteve, përfshirë kontestet tregtare, duke vlerësuar se numri i çështjeve të zgjidhura me ndërmjetësim është rritur me 55 për qind në krahasim me vitin 2019.

Sa i përket efikasitetit të gjykatave, Raporti i KE-së vlerëson se pothuajse të gjitha gjykatat kanë vazhduar trendin pozitiv duke ruajtur një normë të lëndëve të zgjidhura prej 100 për qind , si dhe se numri i lëndëve të papërfunduara sipas ligjeve të vjetra procedurale është zvogëluar edhe më shumë.

“Rekomandimet e Komisionit të Venedikut për rishikimin e dispozitave të Ligjit për përdorimin e gjuhëve që kanë të bëjnë me dygjuhësinë në procedurat gjyqësore nuk janë shqyrtuar ende. Gjyqtarët duhet të marrin të gjitha shtesat e pagave të tyre, ndërsa kërkesat nga administrata e gjykatës, duke përfshirë përparimin në karrierë, janë ende në pritje”, thuhet Raportin e KE-së.

Raportin e plotë të KE-së për Maqedoninë e Veriut mund ta gjeni: KËTU

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button