fbpx

Politika e hidrocentraleve dhe e ambientit

Komisioni Evropian (KE) në raportin e fundit për Maqedoninë e Veriut ka nënvizuar përpjekjet që duhet të bëjë qeveria dhe organet lokale për menaxhimin e infrastrukturës së burimeve të ujit dhe të ambientit. Maqedonia e Veriut ka disa parqe kombëtare dhe së fundi u shpall edhe një pjesë e Malit Sharr. Evropa po kërkon që të mbrojmë pasuritë natyrore dhe të kujdesemi për humbjen e ujërave.

Raporti i KE-së thotë se nevojitet vendosje e sistemit për monitorim e cilësisë dhe sasisë së ujit sipërfaqësor dhe nëntokësor. Dhe shumë sugjerime dhe rekomandime tjera që organet e shtetit duhet të ndërmarrin deri në plotësimin e plotë të kritereve të BE-së.

Nga ana tjetër, përderisa Mali Sharr është shpallur park kombëtar, hidrocentralet e oligarkëve ende qëndrojnë apo vazhdojnë të funksionojnë jo në të mirë të banorëve të komunave, por të një grupi politikanësh lokalë që tashmë e kanë shkatërruar këtë pjesë të malit dhe po ashtu rrjedhën e burimeve në komunat ku i kanë ndërtuar. Për këtë gjë, KE-ja po na thotë se duhet të ndërmarrim diçka rreth humbjes së ujërave dhe cilësisë që e kemi aktualisht. Pasi politikanët lokal dhe qeveria qendrore janë pajtuar që po të njëjtit të mos preken, gjendja e ujit dhe e natyrës do të jetë e njëjta. Dhe projektet që tashmë kanë qenë të destinuara për këtë pjesë nuk e kanë bërë punën e vet, pasi kanë qenë në funksion të partive politike, grupeve që i menaxhojnë të njëjtat dhe kanë dëmtuar burimet nëntokësore – rrjetin natyrorë.

Kapitulli i 27 i Acquis-it i BE-së thotë se “Politika mjedisore e BE-së synon të promovojë zhvillimin e qëndrueshëm dhe të mbrojë mjedisin për brezat e tanishëm dhe të ardhshëm. Ai bazohet në veprimet parandaluese, parimin ndotësi paguan bën luftimin e dëmeve mjedisore, përgjegjësinë e përbashkët dhe integrimin e mbrojtjes së mjedisit në politikat e tjera të BE-së”. Ky kapitull përfshin mbi 200 akte ligjore kryesore që mbulojnë legjislacionin horizontal, cilësinë e ujit dhe ajrit, menaxhimin e mbetjeve, mbrojtjen e natyrës, kontrollin e ndotjes industriale, pylltarinë etj. Pajtueshmëria me Acquis-in e BE-së kërkon investime të konsiderueshme. Një administratë e fortë dhe e pajisur mirë në nivel kombëtar dhe lokal është e domosdoshme për zbatimin dhe zbatimin e Acquis-it mjedisorë.

E tash, nëse qeveria e Maqedonisë së Veriut dhe pushteti i ri lokal nuk do të përqendrohen në rekomandimet e KE-së, atëherë shumë shpejt nuk do të kemi ujë për nevoja sanitare e jo më për pije. Raportin duhet ta lexojnë urgjent kryetarët e ardhshëm të komunave. Dhe pse është e nevojshme të kontrollohet puna e po atyre hidrocentraleve dhe çka më tej rreth humbjes së ujërave?

Nga deklaratat e kandidatëve dhe zyrtarëve të lartë partiak, është vërejtur se do të vazhdohet me të njëjtat politika qeverisëse lokale me çka do të mbeten të dëshpëruar shumë banorë dhe assesi t’i plotësojnë kriteret evropiane për kanalizime, prodhim të rrymës, ujë cilësorë dhe natyrë që na mbron.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka premtuar se ligji për mbrojtjen e ambientit do të miratohet deri në fund të këtij viti. Qeveria dhe pushteti lokal duhet të bëjë hapa konkretë e jo vetëm debate nga qeveria dhe komunat. Është e njohur se me dekada gjendja nëpër komunat është e mjerueshme për sa i përket mobilizimit dhe projekteve për parandalimin e humbjes së ujërave, cilësisë, kanalizimet dhe ajo më e rëndësishmja, korrupsioni i lartë në administratën lokale rreth hidrocentraleve që tashmë kanë shkatërruar jetën e banorëve ku ata janë ndërtuar. Kjo politikë e hidro-oligarkëve në Maqedoninë e Veriut duhet të marrë fund, bashkë me “sherifët” lokalë dhe lidhjet e tyre me partitë politike dhe më gjerë. Nuk është e rastit se pse KE po na sugjeron ndryshimet që duhet bërë në ligje. Sa më parë aq më mirë, nëse duam të dukemi si një vend që pretendon standardet evropiane.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko edhe
Close
Back to top button