Kukulla “Amalja e Vogël” mbërriti në Londër

Kukulla gjigante, 3.5 metra e lartë, “Amal-ja e vogël” që paraqet një vajzë nëntëvjeçare siriane, ka mbërritur në Londër, raporton Anadolu Agency (AA).

Kukulla është bërë si simbol i miliona fëmijëve të zhvendosur nga e gjithë bota. Ajo mbërriti në Katedralen e Shën Palit sot në kuadër të udhëtimit 8.000-kilometrësh nëpër Evropë.

Ky është projekt i iniciativës “The Walk” i teatrit britanik “Good Chance”, i cili synon të tërheqë vëmendjen për problemet me të cilat përballen fëmijët refugjatë sirianë, ndërsa kukulla ndjek një rrugëtim të ngjashëm me atë që kanë përdorur disa sirianë të ikur nga lufta në vendin e tyre.

“Amalja e vogël” udhëton nëpër disa vende në kërkim të nënës së saj, duke tërhequr vëmendjen për sfidat me të cilat përballet. Ajo u nis më 27 korrik nga Gaziantepi, një qytet në Turqi, që ndodhet pranë Sirisë. Udhëtimi i saj është planifikuar të përfundojë më 3 nëntor në Mançester të Britanisë. Gjatë udhëtimit ajo vizitoi disa qytete në Greqi, Itali, Francë, Zvicër dhe Belgjikë.

Ajo udhëton në Evropë për të rritur ndërgjegjësimin për gjendjen e miliona refugjatëve të mitur.

Kukulla 3,5 metra e lartë u prit dhe u përshëndet nga shumë njerëz, mes tyre edhe fëmijë. Emri Amal në arabisht do të thotë shpresë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button