Maqedonia e Veriut po hyn në valën dimërore të Covid-19 me pak të vaksinuar

Vala e dimrit në Maqedoninë e Veriut tashmë ka filluar, por numri ditor i të infektuarve të rinj ende po rritet ngadalë. Në vend janë rreth 800 mijë të vaksinuar, që përbën rreth 40 për qind të popullsisë. Në disa vende të BE-së, më shumë se 80 për qind e popullsisë është vaksinuar dhe atje kufizimet për përhapjen e infkesionit janë hequr, shkruan REL, përcjell Portalb.mk.

Numri ditor i të infektuarve rishtazi me koronavirus në Maqedoni nga dhjetë ditë më parë ka filluar sërish të rritet nga pak, ndërsa në rënie është interesimi për vaksinim.

Më shumë se një vit e gjysmë që nga fillimi i epidemisë së koronavirusit në vend, masat mbrojtëse janë pothuajse nuk ekzistojnë, megjithëse formalisht ato janë ende në fuqi. Autobusë të mbushur me njerëz, maskë mban kush si dëshiron, gjysmë nën hundë, njerëz u kthyen në punë e fëmijët në shkollë.

Dy muaj më parë, qeveria prezantoi certifikatë të detyrueshme vaksinimi për hyrje-daljet nga vendi dhe për hyrje në ambiente hotelierike dhe qendrat tregtare të mbyllura, si dhe pak ditë më parë hoqi kufizimet për numrin maksimal të mysafirëve në një tavolinë në restorante, si dhe për numrin e lejuar të mysafirëve në objekte

Certifikata e vaksinimit, gjegjësisht vërtetimi i vaksinimit, ka hyrë në fuqi më 1 shtator dhe ka rritur në mënyrë dramatike hapësirën e vaksinimit në vend, kështu që vetëm gjatë këtyre dy muajve numri i të vaksinuarve është rritur nga 500 në gati 800 mijë persona, por javëve të fundit interesi për vaksinim ka rënë. Shkalla e vaksinimit e rreth 40 përqind të popullsisë është ende e ulët për të frenuar epideminë. Në vendet ku vaksinimi po shkon mirë, më shumë se 80 për qind e popullsisë tashmë është vaksinuar dhe kufizimet për parandalimin e përhapjes së virusit tashmë po hiqen.

Dr. Zlate Mehmedoviq nga Klinika e Pulmologjisë mendon se duhet të intensifikohen përpjekjet për edukimin e qytetarëve për përfitimet, efikasitetin dhe sigurinë e vaksinave. Ai nuk sheh më mundësi për çfarëdo masash për të motivuar vaksinimin.

“Në periudhën në vijim mund të presim që numri i të infektuarve të rritet, para së gjithash sepse kemi muaj të ftohtë përpara. Vala e dimrit pritet kudo në botë. Nuk do të jetë përjashtim për ne. Dhe ndoshta nëse procesi i vaksinimit nuk intensifikohet përmes edukimit të popullatës, sepse ai mbeti si një nga masat më të papërdorura, gjegjësisht të kemi fushatë të mirë të centralizuar mbi përfitimet e vaksinimit. Nëse kjo nuk ndodh, ende do të kemi numër të vogël të vaksinuarve dhe ende pak interes për vaksinim dhe ka të ngjarë që dimri të jetë më i vështirë për të kapërcyer krizën e pandemisë së ardhshme.” tha Mehmedoviq.

Megjithatë, epidemiologu Dr. Dragan Danilovski thotë se duke pasur parasysh imunitetin nga infeksioni dhe vaksinimi, vala nuk duhet të jetë aq intensive sa ato të mëparshme.

“Do të përballemi me rritje të rasteve të reja, domethënë të infektuarve, por nuk mendoj se lakorja e epidemisë do të jetë në formën e një pike me kulm të mprehtë dhe të lartë, por do të jetë një lakore  që do të ketë një pllajë të sheshtë me amplitudë jo shumë të lartë dhe se nëse gjithçka është ashtu siç duhet dhe nuk shfaqet asnjë variant i ri, e gjithë historia epidemike ndoshta do të përfundojë me ardhjen e pranverës. Pas kësaj do ta kemi virusin në formë endemike, do të jetë vazhdimisht me ne. Ndërkohë të gjithë do të fitojmë imunitet ndaj tij. Ai dalëngadalë do të humbasë forcën, si të them, dhe çdo vit në të ardhmen do të vazhdojmë të përballemi me stinët, në vend të ftohjes dhe gripit, por tani do të jetë një trinitet, gjegjësisht stinët e gripit, ftohjes dhe kovid.” tha Danilovski. .

Që nga fillimi i pandemisë një vit e gjysmë më parë, në Maqedoni janë regjistruar rreth 200 mijë raste të koronavirusit, që do të thotë se çdo i dhjetë është infektuar me këtë sëmundje. Më shumë se 7,000 njerëz kanë vdekur nga virusi. Aktualisht ka mbi 6000 pacientë.

Të dhënat zyrtare tregojnë se tashmë ka fillua valë e re e epidemisë në vend. Nga data 8 tetor, numri i të infektuarve rishtazi po rritet lehtë, por me ftohjen e motit, këto shifra pritet të fillojnë të rriten më shpejt.

Mikrobiologu, profesor Nikolla Panovski thotë se duhet të vazhdojë fushata e vaksinimit, por të forcohen masat anti-epidemiologjike.

“Në këtë fazë nuk duhet të harrojmë masat. Po të shihje video të disa oartive, në ambiente të mbyllura ishin 70-80 persona pa maska ​​dhe në ato video kishte edhe mjekë-epidemiologë. Kur harrojnë ata, çfarë i mbetet njerëzve të zakonshëm? Tani që, pasi sipas meje pa arsye,po lejohen dasma në ambiente të mbyllura, tubime në ambiente të mbyllura, ku shohim që vaksinat e ulin infeksionin vetëm me 20-30%, virusi po përhapet edhe te të vaksinuarit duhet të forcohen sërish masat. Fushata e vaksinimit duhet të vazhdojë, të cilën nuk e di pse nuk ekziston.” tha Panovski.

Ministria e Shëndetësisë ka filluar realizimin një fushatë vaksinimi, por duket se në periudhën parazgjedhore të gjithë e harruan atë si të motivojnë qytetarët që të vaksinohen, sepse ditët e fundit interesi për vaksinim po bie.

“Mbrojtja e shëndetit të qytetarëve duhet të jetë motivi më i madh që ata të vaksinohen kundër kovid-19. Studime, analiza të shumta e tregojnë dhe e vërtetojnë efikasitetin dhe sigurinë e vaksinave. Ne si sistem shëndetësor ua ofrojmë qytetarëve të gjitha lehtësimet e vaksinimit dhe është në dispozicion praktikisht për këdo që dëshiron të vaksinohet.” thanë nga Ministria e Shëndetësisë.

Doza e tretë për forcim të imunitetit

Hulumtimet tregojnë se efikasiteti i vaksinave zvogëlohet gjashtë muaj pas pranimit të dozës së dytë, prandaj shumë vende e parashikuan vaksinimin me dozën e tretë si forcim të imunitetit, të paktën gjashtë muaj pas pranimit të dozës së dytë. Nga fundi i muajit të kaluar edhe në Maqedoni filloi vaksinimi me dozën e tretë, por aktualisht interesimi është shumë i vogël. Vaksinën e tretë e kanë pranuar reth 2500 persona. Arsyeja mund të kërkohet edhe në faktin se vaksinimi te ne filloi shumë vonë dhe ende nuk kanë kaluar gjashtë muaj nga vaksinimi fillestar i qytetarëve

Duke qenë se hulumtimet tregojnë se vaksinat kineze, me të cilat janë vaksinuar shumica e qytetarëve në Maqedoni, janë më pak efektive, Komiteti Kombëtar i Imunizimit para disa ditësh rekomandoi që qytetarët të cilët janë të vaksinuar me “Sinovak” dhe “Sinofarm” të mund të pranojnë dozën e tretë Fajzer (Pfizer) tre muaj pas vaksinimit.

Autoritetet shëndetësorë thonë se përzierja e vaksinave, gjegjësisht marrja e dozës së tretë të Pfizer pas pranimit të vaksinës tjetër, nuk është e dëmshme, por rrit edhe më shumë përgjigjen imune.

“Para së gjithash, të mbrohemi nga soji delta shumë më invaziv edhe për shkak se gjashtë muajt që nga fillimi i vaksinimit tregojnë se efektiviteti i disa vaksinave është në rënie dhe për këtë arsye u bë rekomandimi fillestar për dozë të tretë.” tha kryetarja e Komitetit Kombëtar të Imunizimit, profesoresha Aleksandra Grozdanova.

Në vend, procesi i vaksinimit filloi në shkurt, kur u vaksinuan punonjësit e shëndetësisë e më pas punëtorët nga e ashtuquajtura infrastrukturë kritike. Por vaksinimi masiv në vend filloi në maj. Deri më tani, sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, janë vaksinuar mbi 800 mijë qytetarë, pra rreth 38 për qind e popullsisë.

Deri më tani janë aplikuar mbi 1.570.000 vaksina, shumica e popullatës janë vaksinuar me vaksina kineze. Janë aplikuar mbi 485 mijë doza Sinovak dhe 300 mijë doza Sinofarm. Më pas vjen vaksina Pfizer, së cilës i janë dhënë mbi 610 mijë doza. Rreth 130 mijë doza të vaksinës AstraZeneka dhe 45.613 doza të Sputnik.

Ministria e Shëndetësisë njoftoi se në periudhën nga 6 gusht deri më 21 tetor në territorin e vendit 42.945 qytetarë ishin pozitivë në kovid – 19, prej tyre 26 përqind ishin plotësisht të vaksinuar, gjegjësisht 11.253 persona. 24 për qind e personave të shtruar në spital, ishin të vaksinuar plotësisht. Ministria thekson se nga analizat rezulton se shkalla e vdekshmërisë tek të pavaksinuarit është shumë më e lartë. Në periudhën e treguar në territorin e vendit kanë vdekur 1.506 persona me kovid-19, 1.246 pacientë, gjegjësisht 83 për qind e të vdekurve nuk kanë qenë të vaksinuar, ndërsa 260, përkatësisht 17 për qind kanë qenë të vaksinuar.

Deri më tani janë regjistruar 663 të riinfektuar, përkatësisht persona të infektuar me kovid-19 për herë të dytë dhe ka një rast që është infektuar me virusin për herë të tretë. Kanë vdekur gjashtë nga personat e riinfektuarit.

Vaksinimi i panevojshëm i atyre që e kanë kaluar sëmundjen

Debate të mëdha shkaktoi vendimi i qeverisë që pacientët duhet të vaksinohen 45 ditë pas shërimit për të marrë një certifikatë. Panovski thotë se ata që e kanë kaluar sëmundjen së paku 6 muaj nuk duhet të vaksinohen.

“Të dhënat e fundit që i di prej vendit tonë janë 5 vdekje nga ata që kanë vdekur dhe 210 të cilët e kanë kaluar sëmundjen e kanë qenë të vaksinuar. Vaksina në vendin tonë zgjat katër muaj, kurse epidemia zgjat 18 muaj. “Edhe pas gjithë kësaj, të pretendosh se imuniteti i vaksinës është më i mirë dhe të jesh prodhues i vaksinave, do të ndalesh.” tha Panovski.

Ai rekomandon gjithashtu që Ministria e Shëndetësisë të dërgojë menjëherë protokollet për trajtimin e kovid-19 tek mjekët familjarë. Maqedonia renditet e treta në botë për nga numri i vdekjeve nga kovid-19 për frymë. Vetëm Peruja dhe Bosnja dhe Hercegovina kanë më shumë vdekje se Maqedonia.

Vaksinat, pasaportat dhe maskat kanë reduktuar përhapjen e sëmundjes në Izrael

Katër muaj pas një prej valëve më të këqija të kovid-19, Izraeli ka parë një rënie të infeksioneve të reja dhe të rasteve të rënda, me përdorimin e dozës tretë të vaksinave, pasaportave për kovid dhe bartjes së detyrueshme të maskave.

Në qershor të këtij viti, Izraeli u befasua nga vala e katërt e kovid-19, e mbështetur nga përhapja e shpejtë e variantit delta. Në vend të vendosjes së masave të reja të mbylles, qeveria e rekomandoi dozën e tretë të vaksinës Pfizer për personat mbi 12 vjeç, maska ​​të detyrueshme dhe të ashtuquajturën “Pasaportë të gjelbër”, gjegjësisht dëshmi për vaksinim, shërim nga sëmundja ose test negativ – në restorante dhe gjetkë, madje edhe për fëmijët. Infeksionet ditore në Izrael tani kanë rënë për më shumë se 80 për qind, ndërsa rastet e rënda janë pothuajse përgjysmuar.

Kryeministri Naftali Bennet tha se një qasje e tillë fleksibile ju lejon të jetoni me koronavirusin.

“Ne jemi në rrugën tonë për të dalë nga vala delta, pa asnjë ditë mbyllje, që është një arritje e jashtëzakonshme.” tha ai.

Strategjia “Jeta me Kovid-19” në Izrael nuk është pa polemika, por ka ndihmuar që shkollat dhe ekonomia të mbeten hapur.

Ministria izraelite e Shëndetësisë prezantoi këto ditë të dhënat më të reja mbi sigurinë dhe efektivitetin e fushatës së dozës së tretë. Ato tregojnë se tek njerëzit mbi 60 vjeç, infeksionet filluan të bien me shpejtësi deri në rreth dy javë pas dozës së tretë, ndërkohë që kishte ende një rritje midis grupmoshave të tjera. Kryesisht të pavaksinuar, shpesh të rinjtë janë të prekur rëndë nga koronavirusi. Ata përbëjnë rreth 75 për qind të pacientëve të shtruar në spital në gjendje të rëndë, ndërsa ata që janë vaksinuar me dy ose tre doza përbëjnë vetëm një të katërtën e rasteve të tilla.

Deri më tani, doza e tretë është efektive në reduktimin e rasteve të rënda tek personat e vaksinuar nga 40 vjeç e lart, thanë nga Ministria e Shëndetësisë.

Ran Balicer, ekspert i cili e drejton Panelin Këshillimor të qeverisë për koronavirus, tha se kombinimi i masave kishte kapërcyer me sukses variantin delta.

“Ajo që e rrëzoi delta llojin në Izrael ishte kombinim i disa komponentëve. Këto ishin maskat e detyrueshme, pasaportat e gjelbra, politika e vaksinimit, testimi masiv i antigjenit dhe testet PCR. Padyshim që faktori më i rëndësishëm i efektit ishte fushata e vaksinimit masiv me përforcues që na mundësoi të arrijmë një përqindje shumë të lartë të të vaksinuarve më parë me dy doza, me një dozë të tretë.” tha ai.

Dr Jael Haviv-Jadid, kreu i Njësisë së kujdesit intensiv në Qendrën Mjekësore Sheba, tha se kjo ishte politikë e mirë.

“E shohim që i gjithë spitali po funksionon rregullisht, në fakt jemi të lumtur për këtë, nuk duam që pacientët të jenë në shtëpi. Por ne mund të shohim se njerëzit që nuk janë të vaksinuar janë më të sëmurë. Po flasim për të rinj që vijnë këtu shumë të sëmurë, ndaj mendoj se është një politikë e mirë, por ka një çmim.” tha ai.

Në Angli, ku rreth 5% të popullsisë është e administruar me busterë (nxitës), mbajtje të detyrueshme e maskave është braktisur kryesisht, dhe pasaportat e vaksinimitnuk janë të detyrueshme, numri i rasteve të Covid-19 është në rritje. SHBA dhe disa vende evropiane deri më tani kanë autorizuar përforcues vetëm për të moshuarit, njerëzit me sistem imunitar të dobësuar ose punëtorët me rrezik të lartë të ekspozimit ndaj koronavirusit.

Organizata Botërore e Shëndetit u ka bërë thirrje vendeve më të pasura të mos japin dozën e tretë, pasi shumë vende nuk kanë as qasje në dozën e parë të vaksinës.

Në Izrael deri më tani, 3,7 milionë njerëz e kanë marrë dozën e tretë, që është një e treta e popullsisë së vendit. Sipas Balicer, Izraeli ishte vendi i parë që trajtoi sojën delta me një kombinim masash dhe se këto përvoja mund të përdoreshin nga vende të tjera:

“Kjo do të jetë një sfidë e rëndësishme për vendet e tjera dhe shpresoj se disa nga mësimet e nxjerra nga Izraeli do t’u mundësojnë atyre që ato të përgatiten më mirë dhe të zbusin këtë kërcënim.” tha Balicer.

Ndryshe, Maqedonia e Veriut dje regjistroi 411 raste të reja me Covid-19, nga 3,209 testime të kryera. Dje 7 persona ndërruan jetë ndërsa u regjistruan si të shëruar 271. Numri i përgjithshëm i personave të diagnostifikuar me Covid-19 në vend që nga fillimi i pandemisë ka shkuar në 199.057, numri i pacientëve të shëruar në 185.931, i të vdekurve 7.019, ndërsa momentalisht ka 6.107 raste aktive. Deri më tani në vend janë realizuar gjithsej 1.357.742 testime për Covid-19.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button