MPJ: deri më tani nuk ka asnjë konfirmim për keqpërdorim të dërgesës diplomatike

Ministria e Punëve të Jashtme (MPJ) pretendon se deri më tani nuk ka asnjë konfirmim për keqpërdorim të  dërgesës diplomatike, pasi mediat raportuan se në një kamion me një ngarkesë diplomatike janë kontrabanduar cigare dhe alkool, njofton Portalb.mk.

“Në kuadër të Ministrisë së Punëve të Jashtme, iu është dhënë udhëzim shërbimeve tona ta shqyrtojnë të gjithë dokumentacionin, t’i kontrollojnë të gjitha informacionet nga përfaqësitë diplomatike dhe konsullore, me qëllim verifikimin e pretendimeve të tilla. Sipas informacioneve fillestare të marra në dy ditët e fundit, në Ministri nuk është gjetur asnjë gjurmë, për një dërgesë të mundshme që mund të jetë bazë për abuzime.” thanë nga Ministria e Jashtme.

Nga MPJ njoftojnë se është dhënë udhëzim në suaza të misioneve tona diplomatike dhe konsullore për të kontrolluar të gjitha informacionet e marra rreth rasteve të mundshme të ndalimit të shtetasve tanë, të cilat mund të jenë të ngjashme me pretendimet e plasuara. Deri më tani, siç thonë nga MPJ nuk është marrë asnjë informacion për një rast të mundshëm të ngjashëm, që mund të korrespondojë me pretendimet.

“Ndonëse nuk ka asnjë konfirmim për ekzistimin e një rasti të tillë, Ministria ka politikë për zero tolerancë ndaj abuzimeve apo falsifikimit eventual të dokumenteve diplomatike apo dokumenteve të institucionit dhe për këtë arsye, Ministria e Punëve të Jashtme në periudhën e ardhshme do të vazhdojë me kontrollimin e plotë të pretendimeve të shfaqura dhe për këtë do ta informojë opinionin në kohë.” thanë nga MPJ.

Portali “MKD.mk” dje ka njoftuar se në hyrje të Italisë nga Sllovenia është ndalur kamion i drejtuar nga shofer me pasaportë maqedonase dhe gjatë kontrollit është konstatuar se po kontrabandohen cigare dhe pije alkoolike. Sipas burimit të cilit i referohet portali, shoferi gjatë formaliteteve rutinë kufitare ka treguar dokumente që konfirmojnë se po transportohej posta diplomatike. Por duket se diçka nuk përputhej në dokumentacion, ndaj për shkak të dyshimit është aktivizuar skaneri në pikën kufitare dhe më pas është bërë kontrolli, gjë që zakonisht nuk bëhet kur bëhet fjalë për postën diplomatike.

Një rast i ngjashëm, shkruan “MKD.mk”, ka ndodhur edhe këtë verë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button