Ku po shkojnë këta djem të ri?

Titullin e kësaj kolumne e huazova nga një këngë popullore që ka për temë egzodin masiv të të rinjëve dhe dhembjet e papërshkruara të nënave që presin shpirtvrara kthimin e bijve të tyre. Këso këngësh sot këndohen gjithandej, madje më shumë se kurdoherë tjetër, sepse shprazja e trojeve stërgjysore po bëhet me një ritëm të shpejtë, të pazakontë e të paparë ndonjëherë, hiq stinët e pogromeve të njohura përgjatë historisë sonë tragjike.

Dukuria e shpërnguljes së njerëzve në kërkim të një jete më të mirë është normale, e kudondodhshme dhe e vjetër sa raca njerëzore. Por kjo që ndodh sot, veçmas në viset shqiptare, nuk është as normale as e kudondodhshme, sepse të rinjtë që braktisin vendlindjet nuk janë as refugjatë politikë as refugjatë lufte. Ata nuk e lënë vendin pa pasur arsye të mëdha dhe pa drojë serioze nga e ardhmja e hirtë, sepse askush nuk e ka lehtë të shkëputet nga familja dhe rrethi shoqëror vetëm për shkak të kushteve ekonomike, që mund t’i ndryshojë një klasë e shëndoshë politike.

Dëshmi për këtë është shpërngulja e njerëzve dhe familjeve të kamura, që e ndërmarrin këtë hap për shkak të ardhmërisë së pashpresë dhe gjendjes së pandryshueshme, për shkak të dëshpërimit me politikat aktuale, korrupsionit dhe vjedhjeve të pandëshkuara. Mjerisht këtë nuk e pranon klasa politike, e cila vazhdon të mos shqetësohet fare as nga ikja e mijëra të rinjëve të kualifikuar, pa çka se kjo gjëmë ka arritur përmasa alarmante dhe gati e ka vrarë të ardhmen. Për të (klasën politike) fenomeni në fjalë është normal dhe ka të bëjë me lirinë e lëvizjes së lirë të njerëzve.

Ndërkohë shtete shumë më të fuqishme se ato të xhuxhëve të Ballkanit janë tejet të shqetësuara dhe bëjnë të pamundurën për të gjetur udhët e ndërprerjes së egzodeve masive, me ç’gjë ne mbajmë rekordin e padiskutueshëm. Ata kanë përgatitur projekte për ndërprerjen e shterimit të popullsisë, veçmas të rrjedhjes së trurit. Ata hartojnë politika të posaçme dhe ofrojnë kushte të volitshme për kthimin e emigrantëve në vendet e tyre si investitorë apo si kuadro të rëndësisë së veçantë në fushat e ndryshme të jetës, si: arsimi, kultura… Ata u kanë shpallur luftë të pakompromis politikave të kastave hajdute dhe partizimeve të shoqërisë, duke bërë prioritet punësimi kompetencën profesionale jo teserën partiake.

Gjersa të ndodh kjo edhe tek ne, nëse do Zoti ta mbijetojmë përgjumshëm këtë gjëmë, demokracia do të mbetet llaf goje – një biçim sistemi kleptokratik, që në fakt është gjeneratori që i degdis djemtë e ri në të katër anët e botës, e që dallohet nga diktatura moniste vetëm për nga emri.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button