23 Tetori, kështu uruan Pendarovski, Xhaferi dhe Zaev

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, sot me 23 tetor, në rastin e shënimit të Ditës së Luftës Revolucionare të Maqedonisë tha se duhet të bashkohemi rreth idesë demokratike, të zhvilluar, të përparuar dhe të begatë të RMV-së, pa dallim feje, etnie, ideologjie, partie apo përkatësie tjetër. Festën e uroi edhe kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, i cili tha se ideja për shtet bashkëkohor është e realizueshme vetëm nëse jemi të gjtihë të bashkuar drejt atij qëllimi të përbashkët, ndërsa kryeministri Zoran Zaev tha se edhe sot ne e udhëheqim shtetin tonë sovran në të tashmen dhe të ardhmen në një aleancë të fortë me botën demokratike dhe progresive, njofton Portalb.mk.

“Të kapërcejmë sfidat e kohës sonë, ta duam dhe mbrojmë vendin tonë, të mos grindemi me njëri-tjetrin dhe të lëmë mënjanë interesat personale dhe kotësitë. Le të vazhdojmë të ndërtojmë një të ardhme të frymëzuar nga patriotizmi, sakrifica dhe heroizmi i revolucionarëve tanë.” tha Stevo Pendarovski.

Ai theksoi se data e themelimit të organizatës revolucionare maqedonase është pika e kthesës nga e cila filloi rrugëtimi i gjatë dhe i mundimshëm për krijimin e shtetit të pavarur maqedonas.

“Falë vizionit të intelektualëve të atëhershëm të avancuar për liri dhe drejtësi, u ngjiz fillimi i një lufte revolucionare dhe forcat përparimtare u bashkuan në ndjekjen e idealeve kombëtare e shoqërore. Në organizatën revolucionare maqedonase ka pasur qasje, koncepte, kuptime ideologjike të ndryshme, por gjithmonë vetëm një ide e vetme e përbashkët, Maqedonia e lirë dhe e pavarur.” shkroi Pendarovski në urim.

Edhe kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, ka uruar festën, i cili tha se çdo gjeneratë, me barrën e vet. Edhe historia bashkëkohore na vë në sprova që janë para nesh në rrugën e përmbushjes së qëllimit tonë të nënvizuar dhe ky është një rast i bukur për ti kujtuar të gjitha vendimet e guximshme dhe të vështira që u morën nëpër vite për ndërtimin e shtetit dhe për të shprehur nderimet ndaj njerëzve të mëdhenj me vizion dhe për sakrificën e tyre të parezervë.

“Ideja për shtet bashkëkohor, stabil, të suksesshëm dhe demokratik i cili siguron jetë të mirë, cilësore dhe mirëqenie sipas terkut dhe standardeve evropiane për të gjithë qytetarët e vet të cilët janë pjesëmarrës aktivë në ndryshimet pozitive në Republikën e Maqedonisë së Veriut është e realizueshme vetëm nëse jemi të gjtihë të bashkuar drejt atij qëllimi të përbashkët. Vetëm atëherë do e tejkalojmë çdo pengesë dhe e pamundshmja do të bëhet e mundshme!” tha Talat Xhaferi. 

Edhe kryeministri Zoran Zaev nëpërmjet një postimi në faqen e tij në facebook uroi 23 Tetorin duke shkruar rreth organizatës revolucionare maqedonase, e cila e bëri luftën për idealin shekullor të popullit, për krijimin e shtetit të lirisë, drejtësisë, barazisë, pavarësisë.

“Lufta jonë,  ka qenë gjithmonë vetëm për të qenë në vete – përpjekja për shtetin e të gjithëve dhe për të gjithë. Duke qenë se lufta e revolucionarëve maqedonas ishte gjithmonë e kthyer nga e ardhmja, kështu edhe sot ne e udhëheqim shtetin tonë sovran në të tashmen dhe të ardhmen në një aleancë të fortë me botën demokratike dhe progresive të konfirmuar nga anëtarësimi në NATO dhe hapat vendimtarë për anëtarësim në Bashkimin Evropian.” tha Zoran Zaev.

Më 23 tetor të vitit 1893 në Selanik, u formua Komiteti revolucionar maqedonas, nga i cili më vonë doli Organizata Revolucionare Maqedonase (VMRO), e cila besohet se luftoi për çlirimin e Maqedonisë.

Ndryshe, 23 tetori është ditë jo pune për të gjithë qytetarët e Maqedonisë. Kjo ditë shënohet që nga viti 2007 kur u miratua Ligji i ri pë festat shtetërore në Maqedoni.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button