Kosovë, u certifikuan 180 ushtarë të rinj të Forcës së Sigurisë

Forcës së Sigurisë së Kosovës sot i është bashkuar edhe një gjeneratë e rekrutëve të rinj. 180 pjesëtarë të rinj të kësaj force, nga të cilët 12 vajza u rreshtuan në kazermat e ushtrisë në ceremoninë e certifikimit të tyre, shkruan Zëri i Amerikës, transmeton Portalb.mk.

Disa nga pjesëtarët e rinj të Forcës së Sigurisë thanë se dëshira e tyre për shërbim ndaj shtetit ishte një nga faktorët e fillimit të karrierës ushtarake.

“Është një e ardhme shumë e ndritur shpresoj dhe besoj që secila gjeneratë që vjen do të kaloj më mirë në shërbim të atdheut dhe i inkurajoj që të vinë vajzat dhe djemtë e të bashkohen me neve.” tha ushtarja Hanife Berisha.

“Institucioni i Forcës së Sigurisë së Kosovës është institucioni më i besueshëm në Republikën e Kosovës dhe është nder e krenari të shërbejmë në të dhe të përcjellim rrugën e të parëve tanë në mbrojtjen e atdheut tone.” tha ushtari Naim Muhaxheri.

“Ka bërë një tranzicion mjaft të mirë sa i përket këtyre viteve dhe mendoj se të ardhmen e shoh në anëtarësim në NATO.” tha ushtari Albin Jusufi.

“E kam zgjedhur ushtrinë sepse është një profesion i shenjtë dhe kam dëshirë që t’i shërbej atdheut tim deri në fund të jetës.” tha ushtari Besart Majkovci.

Udhëheqësit e intitucioneve thanë se synimi i Kosovës mbetet anëtarësimi në NATO dhe se me ushtarët e rinj sipas tyre, kjo e ardhme do të jetë e sigurt.

“Si komandante supreme e Forcës së Sigurisë së Kosovës, jam jashtëzakonisht krenare që po e shoh çdo ditë e më tepër përparimin e FSK-së, të ushtrisë sonë, e cila është jo vetëm garancë e jona, por edhe partnere e përgatitur profesionalisht krahas me aleatët tanë strategjikë në funksion të paqes kudo ku rrezikohet ajo. Sot ndihem veçanërisht krenare, kur shoh që në mesin e 180 rekrutëve janë edhe 12 vajza ushtare sepse shanset e barabarta në kuadër të ushtrisë sonë gjithnjë janë dëshmi e përparimit të Forcës.” tha presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

“Qeveria e Republikës së Kosovës, Forcën ku do të shërbeni e ka vendosur ndër prioritetet kryesore të saj. Rritja e buxhetit për Ministrinë e Mbrojtjes dhe FSK-në tregon për përkushtimin tonë që kemi për rritjen e sigurisë dhe mbrojtjen e sovranitetit dhe territorit të vendit tonë. Kjo gjithashtu tregon për përkushtimin tonë për ruajtjen e paqes, jo vetëm në vend, por dhe në rajon e me gjerë.” tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Forca e Sigurisë së Kosovës u themelua në janar të vitit 2009. Në dhjetor të vitit 2018, Parlamenti i Kosovës miratoi për shndërrimin e Forcës së Sigurisë në ushtri të Kosovës. Kjo forcë aktualisht numëron rreth katër mijë ushtarë aktiv dhe rreth dy mijë e 500 rezervë. Autoritetet thonë se krijimi i ushtrisë do të jetë një proces që do të zgjasë 10 vjet dhe nuk do të zëvendësojë forcat e NATO-s që vazhdojnë të kenë rreth 4 mijë trupa paqeruajtëse në Kosovë, disa qindra prej të cilëve janë amerikanë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button