Covid-19: Në mungesë të terminëve të rregullta ulen rastet e reja me kancer të gjirit, rriten vdekjet

Pacientët presin me muaj të tërë për të kryer kontrolle për diagnostikimin e kancerit të gjirit. Klinika e Onkologjisë në Shkup për shkak të Covid-19, nuk ka terminë për kontrolle rutinë, por vetëm për raste urgjente. Pacientët detyrohen të shkojnë nëpër spitale private duke paguar shuma të konsiderueshme nga xhepi i tyre, shkruan Alsat, transmeton Portalb.mk.

Në muajin e ndërgjegjësimit mbi kancerin e gjirit, sektori civil alarmon për vdekshmërinë e lartë si dhe uljen e ndjeshme të numrit të kontrolleve preventive si pasojë e Covid-19.

Biba Dodeva, nga Shoqata “Borka” tha se për shkak të mungesës së terminëve, i detyruan gratë që të paguajnë kontrollet nëpër spitalet private sepse në shtetërore nuk kishte.

“Jo vetëm në Maqedoni, por gjithkund në botë programet e skriningut gjatë pandemisë u ndërprenë, po ashtu dhe procedurat e diagnostikimit u ndërprenë. Kanceri i gjirit nuk mund të parandalohet, ai mund vetëm të zbulohet në fazë të hershme. Ndërsa për tu zbuluar herët duhet të ju mundësohet grave kontrolle në kohë, të mos presin lista të gjata, të mos presin për eko as për kontrolle mamografike.” b

Aktivistët e shoqatës “Borka” theksojnë rëndësinë e vaksinimit të personave të prekur me kancer të gjirit.

“ Është shumë me rëndësi që personat që ju përkasin grupeve të rrezikuara, të vaksinohen kundër Kovid19. Përqindje më e madhe e atyre që janë vaksinuar kalojnë më lehtë sëmundjen, ndërsa numri I viktimave në mesin e të vaksinuarve është në mënyrë drastike më i ulët.” tha Elizabeta Pendarovska, aktiviste e shoqatës “Borka”.

Derisa numri i rasteve të reja me kancer të gjirit shënon rënie, numri i pacientëve të cilët përfundojnë tragjikisht nga kjo sëmundje mbetet i lartë. Sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetit nga 998 raste të reja me kancer të gjirit, 316 prej tyre përfundojnë me vdekje.

Ndryshe, sipas të dhënave të vitit të kaluar në Maqedoninë e Veriut në ditë diagnostikohen tre deri në katër gra me kancer të gjirit. Komunat në të cilat kjo lloj sëmundje vitet e fundit është më e pranishme janë Vinica, Koçani dhe Shën Nikolla, ndërsa pacientja më e re e diagnostifikuar me kancer në gji është e moshës 17 vjeçare.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button