Reform momentum

Raporti i Komisionit Evropian për progresin e Maqedonisë së Veriut në rrugën drejt integrimit në Bashkimin Evropian është ndër raportet më pozitive që kemi pranuar. Ky raport ka identifikuar përparim të moderuar në të gjitha fushat e rëndësishme në këtë proces. Larg asaj që raporti të ketë konstatuar përparim enorm në të gjitha fushat, por ajo që është e rendësishme është se i njejti konstaton që vendi ecën para në procesin e reformave, gjë që është për t’u përshëndetur.

Kur të mendohet se prej ku kemi filluar vetëm pesë vite më parë, është vërtet e çuditshme të shihet zhvillimi. Nga një shtet i rrobëruar, i cilësuar si i tillë në të gjitha raportet relevante ndërkombëtare, kemi arritur për disa vjet të kthehemi në binarët e rrugës drejt integrimit në BE, të tregojmë progresin e duhur, të tregojmë që jemi në rrugë të drejtë dhe të përkushtuar për reformat, e mbi të gjitha, të tregojmë vendosmëri për të qëndruar në kursin e drejtimit oksidental, drejt botës së përparuar perëndimore. Kur të mendohet që deri para disa vitesh shteti kritikohej në të gjitha aspektet, tani marrim raport në të cilin Komisioni Evropian i kritikon vetë institucionet e BE-së për vonimin e datës për fillimin e negociatave aderuese për integrim të Maqedonisë së Veriut. Nga një raport tërësisht kritik ndaj vendit, kemi marrë tani një raport ku institucionet e BE janë vetë-kritikë, dhe theksojnë që vonesa e hapjes së negociatave do të reflektojë negativisht në këtë shtet, duke marrë parasyshë angazhimin e BE-së për të shpërblyer vendet që duan të integrohen aty e që tregojnë përparim në procesin e reformimit.

Raporti kërkon që ky moment reformues “reform momentum” të shfrytëzohet dhe reformat të vazhdojnë deri sa vendi të jetë tërësisht i përgatitur për integrim në BE. Por kjo nuk është gjithaq e lehtë. Çdo vonesë në hapjen e negociatave për aderim në UE paraqet një dëshpërrim të shtuar për qytetarët e këtij vendi të cilët kanë kaluar në procese shumë dëshpërruese në të kaluarën. Çdo dështim i institucioneve të UEsë për ta mbajtur premtimin dhe për të vlerësuar procesin e reformave në vend, e rrit nivelin e disponimit antievropian dhe antipernëndimor, dhe kjo nuk është gjë e mirë. Çdo neglizhencë nga ana e BE-së jep hapësirë për zhvillim të rrymave të reja aspak progresive, të cilat herët a vonë do të jenë kokëdimbje e madhe për gjithë rajonin.

Prandaj kur flitet për momente reformash është mire të mendohet edhe për momentin e premtimit që duhet realizuar. Evropa nuk ka llogari të lejojë depërtimin e frymës antievropiane në një rajon strategjik si Maqedonia e Veriut.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button