Aleanca për Shqiptarët e mblodhi Kryesinë Qendrore për të diskutuar për riformulimin e shumicës parlamentare dhe Qeverisë

Aleanca për Shqiptarët ka vendosur të vazhdojë negociatat për zgjerimin e koalicionit të shumicës parlamentare dhe Qeverisë, duke e autorizuar liderin Ziadin Sela për zhvillim të këtyre negociatave, transmeton Portalb.mk.

“Kryesia Qendrore në mënyrë unanime ka autorizuar kryetarin dhe kryesinë e ngushtë që të vazhdojë bisedimet me partitë tjera dhe deputetët e partive më të vogla të cilat kanë treguar gatishmëri për të qenë pjesë e shumicës së re parlamentare, e cila do të zgjedh më pas edhe përbërjen e re të Qeverisë”, deklarojnë nga Aleanca për Shqiptarët.

Raportohet që Kryesia Qendrore është mbledhur sot në selinë qendrore në Tetovë, në të cilën kryetari i partisë, z. Ziadin Sela, ka informuar anëtarët e kryesisë për detajet nga takimet e fundit që po zhvillohen lidhur me krijimin e shumicës së re parlamentare.

Ndryshe, kjo parti sot njoftoi për një takim me liderin e opozitës maqedonase, Hristijan Mickoskin, derisa theksoi që koalicioni me Alternativën është i qëndrueshëm. Ata sqaruan që janë duke punuar me Alternativën për krijimin e shumicës së re parlamentare së shpejti.

“Edhe përkundër manipulimeve, presioneve, blerjes së votave dhe keqpërdorimeve të shumta, qytetarët dëshmuan se janë kundër Qeverisë dhe pushteti aktual tanimë nuk ka legjitimitet për të udhëhequr vendin as në nivel lokal dhe as në atë qendror”, deklaruan nga Aleanca.

Zaev duke u përgjigjur në pyetje gazetareske se a do të jep dorëheqje nëse e humb Shkupin dhe komunat tjera në rrethin e dytë, sot tha se ai nuk mund të udhëheqë qeveri, nëse Qyteti i Shkupit dhe Komunat shkojnë mbrapa, gjegjësisht në drejtim të kundërt.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button