Sela në takim me Mickoskin, pushteti thotë se koalicioni qeveritar është stabil

Kryetarët e partive opozitare VMRO-DPMNE dhe Aleanca për Shqiptarët, kanë realizuar sot takim në Kuvend, në të cilin, ashtu siç informojnë nga partia shqiptare, është biseduar për rrjedhën e procesit zgjedhor dhe veprimet e mëtejshme, njofton Portalb.mk.

“Në takim është konfirmuar përkrahja reciproke në rrethin e dytë, për komunat për të cilat kemi pasur marrëveshje për rrethin e parë zgjedhor”, thuhet në kumtesën e ASH-së.

Rezultati i zgjedhjeve lokale të rrethit të parë, ka hapur debatin për mundësinë e koalicioneve të reja.

Funksionarët e partive në pushtet BDI dhe BESA, dje shprehën gatishmëri që koalicionit qeveritar t’i bashkëngjitet edhe Alternativa, e cila ka 4 deputetë dhe është në koalicion me Aleancën për Shqiptarët.

Megjithatë, nga ASH sot njoftojnë se koalicioni mes tyre është stabil dhe se po punojnë në krijimin e shumicës së re parlamentare.

“Njoftojmë opinionin se koalicioni mes Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativës është stabil dhe bashkërisht punojmë në krijimin e shumicës së re parlamentare brenda një periudhe shumë të shpejtë”, thuhet në kumtesën e ASH-së.

Paraprakisht ASH-ja ka deklaruar që janë të gatshëm që ta mbështesin Bilall Kasamin e Lëvizjes BESA, i cili do të garojë në rrethin e dytë për kryetar të Tetovës në përballje me Teuta Arifin e BDI-së.

Edhe pse edhe BESA edhe BDI janë në koalicion qeveritar, ata do të duhet të përballen në nivel lokal. Por të dy partitë, thonë se kjo nuk përbën asnjë problem dhe se koalicioni qeveritar është stabil.

Kryeministri Zoran Zaev, në ndërkohë, deklaroi se anëtarësia e LSDM-së në Tetovë nuk do të ndikojë se për kë të votojë në rrethin e dytë në Tetovë.

Nga ana tjetër, kryetari i opozitës maqedonase, Hristijan Mickoski, nëpërmjet konferencës për shtyp kërkoi që e tërë opozita të bashkohen kundër pushtetit. Nga ana tjetër ASH-ja, deklaroi se pas zgjedhjeve lokale, pushteti aktual nuk ka legjitimitet.

Si kundërpërgjigje ndaj kësaj iniciative, Zoran Zaev ka dërguar letër me thirrje për bashkim deri te të gjitha partitë e koalicionit qeveritar të udhëhequr dhe ata pastaj dolën me qëndrime se mbeten në qeveri.

Zaev duke u përgjigjur në pyetje gazetareske se a do të jep dorëheqje nëse e humb Shkupin dhe komunat tjera në rrethin e dytë, sot tha se ai nuk mund të udhëheqë qeveri, nëse Qyteti i Shkupit dhe Komunat shkojnë mbrapa, gjegjësisht në drejtim të kundërt.

Në zgjedhjet lokale të 17 tetorit, në rrethin e parë, VMRO-DPMNE fitoi 22 komuna, LSDM 9 dhe BDI 3. Rrethi i dytë i zgjedhjeve lokale mbahet më 31 tetor.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button