Pako për zgjerimin e KE-së 2021: vështrim rajonal

Analizë speciale për Portalb.mk nga Malinka Ristevska Jordanova, Instituti për Politika Evropiane.

Fokus në hapjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe me Shqipërinë, mirëpo si?

Malinka Ristevska Jordanova

Pakoja e këtij viti të dokumenteve të Komisionit Evropian për zgjerimin tashmë tërësisht e zbaton metodologjinë e re për zgjerim të BE-së. Kjo fillimisht vërehet në strukturën, ashtu që tani edhe raportet nacionale, krahas Strategjisë – dokumenti rajonal, tani janë renditura sipas Metodologjisë së re – sipas klasterëve. Megjithatë, zbatimi i metodologjisë së re është i dukshëm edhe në elementet më thelbësore të procesit – në veçanti “administrimin politik” të tij.

Me të dhënat dhe konkluzionet kyçe, KE mbetet në anën e sigurt, kryesisht duke i përsëritur tanimë formulimet e harmonizuara nga shtetet anëtare në konkluzionet e tyre nga Këshilli për punë të përgjithshme dhe Deklarata e Bërdos.

Këtë vit, fokusi, edhe në tekstin e dokumenteve, edhe në prezantimin që vijonte në Parlamentin Evropian, ishte mbi fillimin “zyrtar” të negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe me Shqipërinë. Komisioni insiston që konferencat e para ndërqeveritare të mbahen deri në fund të këtij viti, me paralajmërim për kredibilitetin e dëmtuar të BE-së. Megjithatë, pa përgjigje të qartë kanë ngelur pyetjet e shumta të euro deputetëve, si dhe të gazetarëve se si do të realizohet kjo. Pavarësisht bindjeve të komisarit për angazhimin e tij të fortë për të gjetur rrugëdalje nga “kontesti” ndërmjet Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, madje edhe nëpërmjet “ndihmës së fshehtë” nga ndonjë euro deputet, në fund topi prapë se prapë u hodh te kryesimi i Sllovenisë. Horizonti i konkluzioneve të Komisionit dhe debatit ka mbetur vetëm deri në konferencën e parë ndërqeveritare. Komisioni,  qartë e aplikon parimin “hap pas hapi”. Mbajtja e kësaj konference nënkupton miratim të kornizave të negociatave për të dy vendet, që paraqet hap jashtëzakonisht të rëndësishëm – por, megjithatë vetëm hap të parë të një procesi të gjatë e të pasigurt.

Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria dukshëm dallojnë nga shtetet tjera sipas vlerësimeve të KE-së, veçanërisht në lidhje me institucionet demokratike dhe kapitujt nga sundimi i të drejtës. Nivelin e përgatitjes në këto fusha, Komisioni kryesisht e vlerëson ngjashëm për këto dy vende si dhe shtetet të tani më kanë nisur negociata – nga nivel “i caktuar” deri në “i mesëm” i përgatitjes (2 deri 3 në shkallën deri 5). Megjithatë, vlerësimet kryesisht në aspekt të përparimit në reformat dhe përkushtimin, si dhe agjendën e BE-së janë shumë më pozitive nga ato për shtetet tjera në rajon, me atribute për “dinamikë të vazhdueshme të reformave” dhe “rezultate të dukshme” të tyre.

Ndërkaq, sa i përket Malit të Zi dhe Serbisë, interesante është që, pas pranimit të Metodologjisë së re për zgjerim nga ana e këtyre dy shteteve, KE ia nisi t’i numërojë konferencat ndërqeveritare nga fillimi, ashtu që konferencat për negociatat e mbajtura me këto dy vende në qershor 2021 quhen “konferencë e parë politike ndërqeveritare”. Kuptohet, mbiemri “politik” është në kontekst të rolit më të madh të shteteve anëtare dhe “lidershipit politik” të tyre sipas Metodologjisë së re. Raporti është shumë më kritik lidhur me gjendjet në Mal të Zi, ku u formua qeveri e re, mirëpo ballafaqohet me ndasi politike për çështje që kanë të bëjnë me bashkësitë fetare dhe etnicitetin, bojkotime të parlamentit, ndërsa reformat në sundimin e të drejtës, thënë me fjalët më të buta, stagnojnë. Për Serbinë, Komisioni kryesisht vlerëson “progres të kufizuar” në fushat themelore. Megjithatë, njëkohësisht konstaton që i ka plotësuar kriteret për hapjen e kllasterit të tretë dhe të katërt. Kuptohet, vendimi politik për hapjen do të varet nga “ekuilibri i përgjithshëm në negociatat”, përkatësisht nga kllasteri Themele dhe Kapitulli 35 – Raportet me Kosovën. Indikative është që në debatin e Parlamentit Evropian, komisarit për zgjerim i është bërë vërejtje për “animin” e tij ndaj Serbisë, për çka tani më kanë shkruar mediat në Bruksel.

Bosnja e Hercegovina stagnon, madje edhe kthehet mbrapsht në proces. Komisioni, fokusin e vë në përmbushjen e 14 kritereve të përfshira në Mendimin për kërkesën për anëtarësim në vitin 2019.

Për Kosovën konstatohet “progres i kufizuar” në reformat për BE dhe në zbatimin e Marrëveshjes për stabilizim dhe asocim. Komisioni vazhdon të insistojë për liberalizmin e vizave.

Konstatimet dhe rekomandimet e Komisionit për raportet ndërmjet Beogradit e Prishtinës ngelin në “anë të sigurt” – përgjithësisht neutrale dhe që përsëriten.  Euro-deputetët i bënë vërejtje Komisionit për shfrytëzimin e pamjaftueshëm të të gjitha instrumenteve që i ka në dispozicion në këtë proces, por me dallime të dukshme politike.

Në fund, në qoftë se ndokush kërkon qëndrim të KE-së për iniciativën “Ballkan i Hapur”, do ta gjejë në këtë fjali: “në vend të masave të njëanshme, i domosdoshëm është bashkëpunim inkluziv rajonal”. Ishte e pritshme që letrat u hapën më shumë në debatin në Parlamentin Evropian, ku u bë më e dukshme rezistenca ndaj kësaj iniciative.

Në BE, Pakoja tani kalon në duart e shteteve anëtare – Këshillin për punë të përgjithshme të BE-së, ndërsa euro-deputetët tani më fillojnë t’i përpilojnë raportet, në bazë të të cilave Parlamenti Evropian do të miratojë rezoluta – që pritet deri në mars vitin e ardhshëm.

Analizë e shkurtë e EPI për Raportin për Maqedoninë e Veriut.

Raportin e plotë të KE-së për Maqedoninë e Veriut mund ta gjeni: KËTU

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button