RMV dëshiron Bashkimin Evropian, por nuk i kryen punët për të arritur deri atje

Rekomandimet e OSBE/ODIHR mbeten ende të pa adresuara plotësisht, ndryshimet e Kodit Zgjedhor u miratuan në moment të fundit pa debat dhe konsultime të gjera, ndërsa përfaqësimi i grave në listat për kryetarë komunash dhe këshilltarë në zgjedhjet lokale 2021 nuk është i kënaqshëm. Këto janë disa nga vërejtjet që janë theksuar në raportin e fundit të progresit të BE-së për Maqedoninë e Veriut, shkruan Portalb.mk.

Në mesin e gjithsej 299 kandidatëve për kryetarë komunash, theksohet në raport, 8 përqind janë gra. Gratë përbëjnë rreth 45 përqind prej të gjithë kandidatëve për këshilltarë dhe kryesojnë 111 lista të kandidatëve (19%).

BE kërkon që të bëhen përpjekje të mëtutjeshme për të zgjidhur problemet që kanë të bëjnë me Listën e votuesve: mungesa e standardizimit të të dhënave si dhe harmonizimi dhe ndërveprimi ndërmjet institucioneve.

“Është bërë progres i kufizuar në adresimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR dhe Komisionit të Venedikut. Siç u përmend në raportin e kaluar, rishikimi gjithëpërfshirës i legjislacionit zgjedhor dhe miratimi i ligjeve relevante duhet të finalizohet në kohë, në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe transparente. Institucionet dhe organet shtetërore, posaçërisht Ministria e Brendshme dhe Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, duhet të bëjnë përpjekje të mëtutjeshme për të përmirësuar në mënyrë sistematike saktësinë e listave zgjedhore”, thuhet në raport.

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) foto nga Portalb.mk

Sa i përket zgjedhjeve, në raport thuhet se korniza ligjore mbetet kryesisht e favorshme për organizimin e zgjedhjeve demokratike, por, BE kërkon të adresohen plotësisht të gjitha rekomandimet e OSBE/ ODIHR dhe të vazhdojnë reformat gjithëpërfshirëse në Kodin Zgjedhor.

“Kodi Zgjedhor u ndryshua dy herë në vitin 2021. Në prill 2021, u miratuan amendamente për t’u miratuar dispozita për identifikimin biometrik të votuesve. Në shtator 2021, Kuvendi ndryshoi Kodin Zgjedhor sërish, me shumicë votash. Disa amendamente kishin për qëllim të adresojnë rekomandimet e OSBE/ODIHR, përfshirë përbërjen e përhershme dhe mandatin e KSZH-së, masat mbrojtëse kundër keqpërdorimit të resurseve publike, fushata në media, afatet për paraqitjen dhe shqyrtimin e ankesave. Sidoqoftë, ndryshimet në minutë të fundit të legjislacionit çuan në pasiguri. Reformat e legjislacionit zgjedhor duhet të vazhdojnë, në mënyrë që të adresojnë rekomandimet e mbetura të OSBE/ODIHR dhe Komisionit të Venecias, përfshirë harmonizimin e Kodit Zgjedhor dhe me ligjet e tjera relevante”, theksohet në raportin e BE-së.

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut, më 15 shtator, rreth 12 ditë para fillimit të fushatës dhe një muaj para zgjedhjeve, në seancë urgjente miratoi ndryshimet e propozuara ligjore.

Sa i përket grupit punues për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, Bashkimi Evropian thekson faktin që puna e grupit është zhvilluar pa pjesëmarrje siç e quajnë “të rëndësishme të partive politike”. Vërejtja vjen duke pasur parasysh që nuk kishte parti shiqiptare në këtë grup dhe gjithçka u vendos pas takimit që zhvilluan kryeministri Zoran Zaev dhe lideri i VMRO – DPMNE-së, Hristijan Mickoski.

Hristijan Mickoski, Zoran Zaev

“Grupi punues në reformat elektorale është takuar disa herë, por nuk ka finalizuar ende ndryshimet ligjore gjithëpërfshirëse në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR. Puna e grupit është zhvilluar pa pjesëmarrje të rëndësishme të partive politike.”, qëndron në raport.

Dy liderët gjatë këtij takimi, u dakorduan që të inkurajojnë negociatat, përkatësisht grupet parlamentare kanë biseduar për ndryshimet e tjera në Kodin Zgjedhor, ndryshimin e modelit zgjedhor në një njësi zgjedhore, apo nëse ka propozime të reja. Më tej, lista të hapura në zgjedhjet e ardhshme lokale, zgjedhje të kryetarit të komunë në rrethin e parë me atë që do të jetë e mjaftueshme një përqindje e caktuar nga numri i përgjithshëm i votuesve të regjistruar në atë komunë ku zgjedhet kryetari dhe në fund është votimi nga diaspora në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, jashtë përfaqësive diplomatike dhe implementimi i rekomandimeve të OSBE/ODIHR.

Grupet punuese u takuan disa herë, por nuk bënë shumë progres. Në muajin gusht, LSDM dhe VMRO – DPMNE paraqitën një propozim për lista të hapura sipas së cilit, kandidatët për këshilltarë komune që janë në krye të listës do të zgjedhen automatikisht, në bazë të përllogaritjeve propocionale, ndërsa kandidatët që janë të radhitur më poshtë në listë, duhet të kalojnë pragun e votave prej 3 % për t’u zgjedhur. Përmjet këtij propozimi, ata po ashtu kërkonin që listat e pavarura të mund të dorëzojnë kandidaturën e tyre me 2% nënshkrimi nga numri i votuesve. Ky propozim ngjalli reagime të shumta negative në opinion, duke u cilësuar si diskriminues.

Në këtë mënyrë, ndryshimet ligjore që u miratuan në shtator, përbënin ndryshime në pjesën e financimit të fushatës, resurseve shtetërore dhe kushteve shëndetësore.

Në bazë të rekomandimeve të OSBE/ODIHR, ndryshimet nuk duhet të bëhen më së paku gjashtë muaj deri në një vit para zgjedhjeve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button