Pranova vaksinën kundër kovidit, a mund të vaksinohem kundër gripit sezonal?

Dilema që lind tek pacientët është nëse ata që janë të imunizuar kundër Kovid-19 mund të marrin edhe vaksinën kundër gripit. Komiteti i imunizimit rekomandon që qytetarët që janë vaksinuar me vaksinën kundër Kovid-19, mund të vaksinohen kundër gripit sezonal dy javë pas marrjes së dozës së dytë, shkruan Vërtetmatësi.

Shkruan: Mirosllava Burns

Pas goditjes që shkaktoi pandemia e Kovid-19, gripi kaloi në plan të dytë tek qytetarët, të paktën psikologjikisht. Çdo simptomë e një infeksioni respirator, ethe, debulesë ose kollë kontrollohet së pari përmes filtrit të testit PCR për të eleminuar ose konfirmuar se janë si pasojë e Kovidit. Për gripin mendohet rrallë, edhe pse është i pranishëm në vend bashkë me rreziqet e tij, që prekin posaçërisht më të moshuarit dhe qytetarët me imunitet të dobët.

Dr. Jovanka Surllakova Koroveshovska, një epidemiologe me një përvojë të gjatë dhjetëvjeçare në Qendrën e shëndetit publik në Ohër, thotë se në këtë Qendër këtë vit nuk është regjistruar asnjë rast i vetëm i gripit sezonal.

Jo se nuk ka grip, por askush nuk testohet për gripin. Në plan të parë është Kovidi dhe të gjithë testohen për Kovid, tha doktor Surllakova Koroveshovska.

Simptomat fillimisht janë të ngjashme, kështu që është e pamundur për profesionistët mjekësorë të përcaktojnë se cili patogjen e ka shkaktuar infeksionin me të cilin pacienti po lufton derisa të shihet në test. Dhe vaksinat, ashtu si në rastin e Kovidit, ashtu dhe në rastin e gripit janë arma më e fuqishme në përballjen me këtë infeksion ngjitës.

Në vitin 2019 vaksinimi kundër gripit filloi në 22 nëntor, ndërsa në vitin 2020 në 10 nëntor. Nga Ministria e shëndetësisë për „Vërtetmatësin“ thonë se kanë nënshkruar kontratë për blerjen e 40 mijë dozave të vaksinave katërvalente dhe se këtë vit vaksinimi kundër gripit sezonal nuk është i vonuar.

Ministria siguroi në kohë vaksina kundër gripit sezonal. Disponueshmëria dhe shpërndarja e vaksinave varet nga prodhuesit. Deri më tani janë planifikuar 40.000 doza për vaksinim falas. Nëse është e nevojshme, Ministria e shëndetësisë do të sigurojë sasi shtesë. Sipas rekomandimeve të Komisionit për sëmundjet infektive, Ministria e shëndetësisë do të sigurojë vaksinim falas kundër gripit sezonal për këto grupe të rrezikuara: të moshuarit (mbi 65 vjeç), personat me sëmundje kronike, punonjësit shëndetësorë, gratë shtatzëna, fëmijët në moshë nga 6 muaj deri në 5 vjet. Vaksinat komerciale kundër gripit sigurohen nga Qendrat e shëndetit publik nga buxheti i tyre dhe ato e përcaktojnë çmimin e vaksinës, thonë nga Ministria për „Vërtetmatësin“.

Çdo vit interesi për vaksinimin kundër gripit sezonal rritet, sidomos në mesin e të sëmurëve kronikë dhe të moshuarve të cilët për shkak të përvojës pozitive nga vitet e mëparshme, vaksinohen rregullisht. Në vitin e parë të pandemisë me Kovid-19 në vitin 2020, në Qendrën e shëndetit publik në Shkup,  për vetëm disa orë u harxhuan  të gjitha vaksinat komerciale të gripit sipas parimit të shërbimit sipas radhës. Qytetarët nuk prisnin dot të marrin një vaksinë falas përmes sistemit “Termini im”, terminet e të cilit u mbuluan tejet shpejt, kështu që ata vendosën të shpenzojnë 600 denarë nga xhepi i tyre dhe të vaksinohen në Qendrën e shëndetit publik në Shkup me një vaksinë komerciale. Kjo Qendër pati mundësinë të prokurojë vetëm 4 mijë vaksina të gripit, për shkak të kërkesës së madhe në botë, kështu që shumë qytetarë për të marrë vaksinën e gripit u drejtuan në Serbi, ku ajo blihet në farmaci.

Përvoja e vitit të kaluar me interesim shumë të madh për vaksinim në QSHP Shkup, nuk ndikoi që këtë vit ky institucion të porosisë sasi më të madhe të vaksinave. Edhe këtë vit, ata porositën vetëm 4.000 vaksina, të cilat do të jenë në dispozicion më së voni pas një muaji. Bëhet fjalë për vaksina katërvalente që mbrojnë kundër katër llojeve të gripit. 

Vaksina kundër Kovidit dhe vaksina kundër gripit?

Dilema që kanë pacientët është nëse ata që janë të imunizuar kundër Kovid-19 mund të marrin edhe vaksinën kundër gripit. Përgjigja është JO.

Nga Ministria e shëndetësisë për  Vërtetmatësin” thanë se Komiteti i imunizimit ka edhe një rekomandim zyrtar për atë se si duhet të vazhdojë ky imunizim.

Qytetarët që janë vaksinuar me vaksinën kundër Kovid-19, pas dy javësh, pra 14 ditë pas marrjes së dozës së dytë, mund të vaksinohen me vaksinën e gripit sezonal, thanë nga Ministria.

Ish drejtori i Qendrës të shëndetit publik në Shkup, dr. Aleksandar Stojanov, nuk mendon se ka nevojë që të pritet. Ai është një epidemiolog me përvojë shumëvjeçare dhe në Qendrën e shëndetit publik tashmë ka punuar për disa dekada. Ai ka parë se si para se të shkonin jashtë vendit, të rinjtë kanë marrë edhe nga disa vaksina për t’u mbrojtur nga sëmundjet dhe thekson edhe se të sapolindurve u jepen më shumë vaksina disa ditë pas lindjes. Vaksinat, pohon dr. Stojanov, nuk janë të rrezikshme dhe përdorimi i tyre i njëkohshëm nuk duhet të paraqesë problem, sidomos kur bëhet fjalë për ato kundër ftohjes dhe gripit. Sipas dr. Stojanov, nuk është e mjaftueshme që deri më tani me 2 doza janë imunizuar vetëm 45 përqind e qytetarëve dhe thotë se duhet të punojmë në rritjen e kësaj përqindjeje që të sigurojmë imunitet kolektiv.

Vaksina kundër gripit mund të jepet në njërën dorë dhe vaksina kundër Kovidit në dorën tjetër. Nuk ka kurrëfarë problemi dhe kundërindikacione. E shoh që disa mjekë sugjerojnë të kalojë një ose dy javë midis dy vaksinave, por nuk ka nevojë. Mund të pranohen të dyja në të njëjtën kohë. Vaksinat mbrojnë dhe janë efikase,  tha dr. Stojanov.

Profesor dr. Aleksandra Grozdanova, nga Komiteti nacional i imunizimit, në një takim me Odën e mjekëve tha se vaksinat kundër gripit dhe Kovidit mund të kombinohen dhe të merren ose në të njëjtën ditë ose në interval prej dy javësh.

Për vaksinat falas kundër gripit, kur të mbërrijnë do të aplikohet metoda standarde e termineve përmes sistemit “Termini im”, që do caktohen nëpërmjet mjekëve amë. Kjo nuk vlen për të gjithë, por vetëm për ato mbi 65 vjeç, gratë shtatzëna, fëmijët e moshës nga gjashtë muaj deri në pesë vjeç dhe të sëmurët kronikë. Pjesa tjetër e qytetarëve do duhet të paguajnë për një vaksinë komerciale kundër gripit në Qendrën lokale të shëndetit publik.

Disklejmer, baner, Fact Check COVID19, verifikimi i fakteve, vertetematës, koronavirus, coronavirus, COVID, vertetematesi

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button