Edhe Partia për lëvizjen e turqve në Maqedoni do të mbetet në pushtet

Partia për lëvizjen e turqve (PLT), e udhëhequr nga deputeti Enes Ibrahim, mbetet pjesë e shumicës qeverisëse. Në një deklaratë për mediat, nga PLT theksojnë se pas përfundimit të raundit të parë të zgjedhjeve lokale, do t’u përkushtohen aktiviteteve zgjedhore dhe në pritje të raundit të dytë dhe theksojnë se pa kalkulime do të mbeten pjesë e qeverisë.

“Si partia e vetme përparimtare e komunitetit turk në Maqedoninë e Veriut, mbetemi konsistene në angazhimet tona politike, të cilat bazohen në vlerat dhe parimet demokratike. E ardhmja e shëndetshme e vendit tonë, si dhe mirëqenia e përgjithshme e qytetarëve kanë qenë gjithmonë dhe do të mbeten përparësi e PLT-së. Me atë qëllim, pa asnjë kalkulim, mbetemi pjesë e shumicës qeveritare dhe besojmë se me më shumë përpjekje do të mund të korrigjojmë mangësitë dhe t’i arsyetojmë pritjet e qytetarëve”, thonë nga PLT.

Pikërisht me këtë parti, dimrin e kaluar socialdemokratët patën trazira në nivel lokal, më saktë në Radovish, ku PLT-ja e lëshoi shumicën në këshillin komunal. Edhe pse atëherë kishte informacione se një gjë e tillë mund të lëkundëte koalicionin në nivelin qendror, për çka PLT caktoi edhe kongres, megjithatë, partia vendosi të mbetet në koalicion me LSDM-në.

Partia për lëvizjen e turqve është partia e fundit në një varg partnerësh më të vegjël të koalicionit të cilët kanë thënë që dje se mbeten pjesë e shumicës qeverisëse. NSDP, LDP, DOM, VMRO-Partia Popullore, Partia demokratike e turqve, PDSH, Besa, ishin vetëm disa nga partnerët qeveritarë, të cilët dje e shprehën qëndrimin e tyre.

Nga partneri më i madh i LSDM-së, BDI, nga ana tjetër, dje tha se koalicioni është i qëndrueshëm, dhe se presin rritje të shumicës.

“Nuk ka as shumicë të re parlamentare dhe as nevojë për zgjedhje të parakohshme parlamentare. Koalicioni qeverisës është i qëndrueshëm, kurse pas zgjedhjeve presim që shumica parlamentare të zgjerohet”, tha Osmani.

Lideri i LSDM-së Zoran Zaev, dje u shpreh gjithashtu dhe falënderoi partitë.

“Sot kemi konfirmim të qartë, kemi shumicë qeveritare dhe koalicion që është i qëndrueshëm dhe e çon shoqërinë tonë përpara”, tha ai dje në një konferencë për shtyp.

Këto deklarata nga partitë e koalicionit qeverisës, vijnë pasi VMRO-ja, bashkë me partitë opozitare shqiptare, kanë paralajmëruar që shumë shpejt, pas raundit të dytë të zgjedhjeve lokale do të ketë shumicë të re parlamentare. Se si do të arrihet kjo nuk e kanë shpalosur akoma, prandaj pritet të shihet se çfarë do të ndodhë pas 31 tetorit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button