Analizë: Raporti i KE-së për Maqedoninë pa surpriza

Prezantimi i paketës së zgjerimit në Komisionin e Politikës së Jashtme nga Komisioneri Varheji ishte dukshëm nën hijen e procesit të bllokuar të pranimit të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë dhe pamundësisë së shteteve anëtare për të vendosur mbi fillimin e negociatave me të dy vendet. Në këto rrethana, Komisioni mbetet i sigurt sa i përket gjetjeve dhe rekomandimeve kryesore tashmë të njohura në lidhje me hapjen e negociatave, thuhet në analizën e shkurtër të EPI-t lidhur me Raportin më të fundit KE-së për Maqedoninë  e Veriut, përcjellë Portalb.mk. 

Në Përfundimet e Strategjisë së Zgjerimit të këtij viti, thuhet në analizë, Komisioni përsërit se shtyrja e fillimit të negociatave me të dy vendet ndikon negativisht në besueshmërinë e BE-së. Prandaj, ai bën thirrje që çështjet dypalëshe midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut të zgjidhen si prioritet, që shtetet anëtare të përfundojnë diskutimin mbi kornizën negociuese dhe konferencat e para ndërqeveritare që do të mbahen para fundit të këtij viti. Kjo këmbëngulje mbështetet nga vlerësimi se vendi ka përmbushur kushtet për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, falë “mbajtjes së një ritmi të qëndrueshëm dhe vendimtar në zbatimin e reformave të BE-së, veçanërisht në fushat kryesore si sundimi i ligjit, përfshi luftën kundër korrupsionit dhe krimin e organizuar“. Edhe pse Raporti është modifikuar metodologjikisht – tani është plotësisht i strukturuar sipas grupimeve, dhe në thelb nuk ka asnjë risi të madhe në qasjen e Komisionit përveç renditjes së kapitujve dhe përmbledhjes së gjetjeve kryesore sipas kapitujve. Në shumicën e grupimeve, Maqedonia e Veriut vlerësohet si e përgatitur mesatarisht për të marrë përsipër detyrimet e anëtarësimit në BE me dallime të dukshme midis kapitujve specifikë në kllasterë.

Për herë të parë, një shtojcë (aneks) e Strategjisë së zgjerimit siguron një pasqyeë të indikatorëve dhe indekseve ndërkombëtar eqë Komisioni do të përdorë në vlerësimin e gjendjes së institucioneve demokratike dhe sundimit të ligjit. Këto përfshijnë vlerësimet vjetore të Freedom House, Transparency International, Bankës Botërore dhe Reporterëve pa Kufij. Shumëllojshmëria e tyre tregon qartë vështirësitë në vendosjen e standardeve dhe vlerësimeve të identifikueshme në këto fusha. Përveç kësaj, është e qartë se qasja ndaj raportit është më teknike dhe Komisioni shmang vlerësimet politike, gjë që nuk ka qenë gjithmonë rasti në të kaluarën.

Në grupin 2: Tregu i brendshëm, i cili përbëhet nga kapituj me acquis të gjerë dhe kompleks, përparimi është i kufizuar ose nuk ekziston, me përjashtim të ndryshimeve të vogla sa i përket lëvizjes së lirë të kapitalit dhe të drejtës së shoqërive tregtare. Shqetësuese është stagnimi i vazhdueshëm në kapitullin e rëndësishëm numër 8 – Konkurrenca. KE-ja e lidh këtë grup në vlerësimin e tij me detyrimet e anëtarësimit në tregun e përbashkët të BE-së, por edhe në Tregun e përbashkët rajonal.

Në grupin 3: Konkurrueshmëria dhe rritja gjithëpërfshirëse ka stagnim të konsiderueshëm, me përjashtim të Kapitullit 29: Bashkimi Doganor i cili është përsëri një përjashtim pozitiv me përparim të vazhdueshëm. Vlerësimet e masave për të mbështetur ekonominë dhe punësimin janë të favorshme, por kriza po ndikon gjithashtu në ngadalësimin e politikave sociale dhe reformave në arsim. Pothuajse në të gjithë kapitujt mungon pavarësia, koordinimi dhe kapaciteti i institucioneve, por edhe mungesa e burimeve dhe përpjekjeve për zbatimin e ligjeve dhe politikave.

Në grupin 4: Agjenda e gjelbër dhe lidhja e qëndrueshme, Kapitulli 15 – Energjia shënon një vlerësim pozitiv sa i përket tregut të energjisë, por mbetet prapa në fushën e efikasitetit energjetik. Stagnim ka në Kapitullin 14 – Politika e komunikacionit (trafikut), si dhe në Kapitullin kompleks 27 – Mjedisi jetësor. Shqetësim i veçantë lind gjithashtu nga fakti se këta kapituj janë një pjesë e rëndësishme e Planit Ekonomik dhe të Investimeve për Ballkanin Perëndimor.

Në kllasterin 5: Burimet, bujqësia dhe kohezioni, nga njëra anë, janë kapitujt në të cilët ne bëjmë përparim të vazhdueshëm si Kapitulli 12 – Siguria e ushqimit, në krahasim me kapitujt në të cilët kemi ngecje ose përparojmë shumë ngadalë si Kapitulli 22 – Politika rajonale dhe koordinimi strukturor i instrumenteve, si dhe Kapitulli 32 – Dispozitat financiare dhe buxhetore. Konstatimet e vazhdueshme në lidhje me kapacitetin e reduktuar për përdorimin e mjeteve financiare nga fondet e BE-së dhe vonesat në zbatimin e projekteve më të rëndësishme janë shqetësuese.

Grupi 6: Marrëdhëniet e jashtme po shënojnë progres për shkak të rritjes së përputhshmërisë me pozicionet e BE-së (96%) dhe pjesëmarrjes sonë në misionet e BE-së. Ende mungon një kornizë politikash për ndihmën zhvillimore dhe humanitare.

Shembujt pozitivë që tregojnë vazhdimisht rezultate të mira mbeten Kapitulli 12: Siguria e ushqimit, politika veterinare dhe fitosanitare dhe Kapitulli 29: Bashkimi doganor. Kapitulli 12 ka një nivel të mirë gatishmërie, i cili është ruajtur që nga viti 2016, por këtë vit, si vitin e kaluar ka edhe një “përparim të mirë“. Kjo është veçanërisht e rëndësishme duke pasur parasysh kompleksitetin e kapitullit (shpesh konsiderohet si kapitulli më i vështirë në zbatimin e acquis). Situata është e ngjashme me Kapitullin 29: Bashkimi doganor, në të cilin ne gjithashtu kemi bërë progres të mirë, dhe Komisioni vëren se legjislacioni në fushën e doganave është në një nivel të lartë të pajtueshmërisë me acquis evropiane. Në këtë raport janë vërejtur gjithashtu disa paralajmërime për disa raste mospërputhjeje me Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit. Në përgjithësi, për sa i përket vlerësimeve të gatishmërisë në kapitujt, nuk ka ndryshime nga viti 2019, dhe ndryshime mjaft të vogla në krahasim me vitet e mëparshme. Edhe pse kemi bërë përparim në të njëjtën periudhë, veçanërisht në kapituj të caktuar, ai nuk reflektohet në rritjen e vlerësimit të gatishmërisë për të marrë përsipër detyrimet e anëtarësimit. Kjo situatë reflekton natyrën afatgjatë të procesit të pranimit, ndryshimin e vazhdueshëm të legjislacionit evropian, por edhe mungesën e përgjithshme të mbështetjes politike në BE për procesin e zgjerimit. Nga pikëpamja e një vendi kandidat, një qasje e tillë nuk jep impulse për reforma, thuhet në analizën e EPI-t.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button