Vetëm VMRO-DPMNE e kënaqur me “fingerprintin” që shkakoi kaos në ditën e zgjedhjeve

Shumica e partive politike në Maqedoninë e Veriut nuk janë të kënaqur se si u zhvillua procesi i votimit përmes “fingerprintit” (gjurmëve të gishtërinjve) në raundin e parë të zgjedhjeve lokale që u mbajtën të dielën e kaluar, më 17 tetor. Reagime negative në lidhje me këtë nuk ka shprehur vetëm VMRO-DPMNE, shkruan Portalb.mk.

Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, tha pas përfundimit të zgjedhjeve se, fingerprinit ishte një kërkesë e opozitës dhe ata e kanë pranuar. Megjithatë, ai nuk e përjashtoi mundësinë që problemet që u shfaqen me pajisjes dhe rrëmujat e krijuara në vendvotime për shkak të kësaj, të ketë demotivuar qytetarët për të dalë të shfrytëzojnë të drejtën e tyre të votës.

“Opozita e kërkoi atë, ne lejuam. Nuk mund të mohojmë diçka që kemi pranuar me kohë. Më vjen mirë që çdo qytetar që doli votoi. Më vjen mirë që e lamë atë mundësi në negociata, për shkak se është hera e parë, në rast se ka problem që me gjurmë të gishtit të dalin të dhënat për votuesit, të mund të votojë me mënyrë standarde të deritanishme. Normal ajo ka shkaktuar rrëmuja të caktuara, mediat kanë informuar për atë, njerëzit kanë qëndruar në shtëpi dhe kanë dëgjuar dhe me siguri një pjesë e qytetarëve kanë ngelë në shtëpi. Por, fingerprinti dhe gjurmët e gishtërinjve garantojnë një votues – një votë, një qytetar – një votë dhe ajo është e rëndësishme, ajo është për mua një hap demokratik. Gjithsesi mendoj se në rrethin e dytë do të shmangen disa mangësi të caktuara që munden të shmangen”, tha Zaev.

Por, nga VMRO – DPMNE thanë për Portalb.mk se, fingerprinti është një obligim ligjor dhe nevoja për miratimin e një ligji për këtë, erdhi si pasojë e parregullësive në ciklet e mëhershme zgjedhore.

“Asnjë institucion relevant nuk ka konstatuar proces të pasuksesshëm zgjedhor, përkundrazi votimi me përdorimin e fingerprintit është obligim ligjor i mbështetur nga të gjitha partitë. Me këtë, do të rikujtoj se dy herë është miratuar zgjidhje ligjore për këtë. Arsyeja për një ligj të këtillë ishin parregullsitë dhe shkeljet që vazhdimisht përsëriteshin ndërsa, ato ishin mbushja e kutive si dhe votimi për persona të tjerë, të regjistruar në vëllim më të madh apo më të vogël në të gjitha ciklet zgjedhore deri më tani”, thanë nga kjo parti.

Aleanca për Shqiptarët në një prononcim të dhënë për Portalb.mk, e cilëson si të dështuar mënyrën e votimit me fingerprint në ciklin e parë zgjedhor. Ata vlerësojnë se në vend që të sigurojë një proces më demokratik, ajo realizoi funksionin e kundërt.

“Fingerprint rezultoi të ishte i dështuar. Në vend që të shërbente si garantues i procesit zgjedhor u shndërrua në mjet që pengoi edhe më shumë që procesi të zhvillohej në mënyrë demokratike dhe për pasojë sërish rezultoi që vullneti i shumicës të devijohet. Sistemi është vënë në funksion pa testim dhe nuk ka garanci të plotë se është korrekt dhe funksional”, u përgjigjën nga ASH.

Edhe nga Lëvizja Besa thanë për Portalb.mk se, kanë pasur ankesa sa i përket fingerprinit, por shpresojnë se në raundin e dytë do të eliminohen mangësitë.

“Fingerprinti është një gjë që po praktikohet për herë të parë në Maqedoninë e Veriut. Këtë më shumë mund ta quajmë si një eksperiment, sepse në shumë vende të rajonit, por edhe të BE-së tashmë fingerprinti pë përdoret. Kemi pasur ankesa nga disa vende se fingerprinti ka shkaktuar tollovi para qendrave të votimit, por shpresojmë tani në raundin e dytë fingerprinti mos të jetë pengesë për të demotivuar qytetarët që mos dalin në votime”, thanë nga kjo parti.

Portalb.mk ka kërkuar qëndrim edhe nga BDI për këtë çështje, por deri më tani nuk kanë dhënë përgjigje.

Maqedonia e Veriut më 17 tetor për herë të parë realizoi votim me metodën e “fingerprintit”. Kjo metodë u zbatua për herë të parë drejtpërdrejt në zgjedhje pa testim paraprak. Në shumë vendvotime, u paraqiten probleme, ku pajisjet nuk nxirrnin të dhënat e disa prej qytetarëve. Në këto raste, kontrolli i votuesve u bë me ndihmën e llambës ultravioletë (UV) si dhe u fut në përdorim edhe spërkatësja e gishtit dhe kontrollimi i gishtit të madh-djathtë te votuesit.

Kujtojmë se, për shkak të problemeve teknike që u shfaqën në aparatet për gjurmë të gishtërinjëve, votimi dhe heshtja zgjedhore u zjgatën deri në orën 19:30, në mënyrë që t’u mundësohet të votojnë edhe personat që ishin duke pritur në oborr apa para vendovotimit, si pasojë e radhëve të krijuara.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button