Tetovë, nesër fillon edicioni jubilar i festivalit “Ditët e Naimit” (Video)

Prej nesër deri të shtunën (24 tetor) në Tetovë do të mbahet Edicioni i 25-të i Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë (FNP) “Ditët e Naimit”.  Drejtori i këtij festivali, Shaip Emërllahu tha se në këtë edicion ky festival karakterizohet me një program të ngjeshur letrar, artistik dhe kulturor, mes të cilave do të mbahen lexime letrare, promovimi i pesë librave, vizita të ndryshme në monumentet historike, kulturore dhe fetare në disa qytete brenda RMV-së, shkruan Portalb.mk.

Hapja e ceremonisë së edicionit të 25-të do të mbahet nesër në ora 19:30 me një performancë fishekzjarrësh para Pallatit të Kulturës në Tetovë. Në hyrje të Pallatit të Kulturës, publikut do t’iu dhurohet Antologjia e këtij edicioni dhe libra të tjerë të Festivalit. Kështu duke vazhduar më pas në Sallën e Madhe ku edhe do të bëhet hapja zyrtare e programit nga drejtori i këtij festivali, Shaip Emërllahu.

Programi do të vijojë me recitim poezish, lexim të poetëve dhe ndarje të çmimeve të ndryshme.

Shaip Emërllahu, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Shaip Emërllahu, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Shaip Emërllahu, drejtori i festivalit tha se 24 poetë nga vende të ndryshme të botës do të lexojnë poezitë e tyre. Ai theksoi se për shkak të pandemisë ishin në dilemë se si do ta zhvillojmë këtë edicion jubilar, pjesa më e madhe e poetëve do të jenë me prezencë fizike dhe vetëm shtatë poetë të huaj do të paraqiten përmes ekranit.

“Laurati i këtij Edicioni është poeti i madh afrikan nga Kongo i cili jeton në Luksemburg dhe në Paris, Kama Sywor Kamanda të cilin e kanë përzgjedhur para pak kohësh juria e përbërë nga Ymer Çiraku, Ndue Ukaj dhe Xhelal Zejneli. Është një poet i rëndësishëm i letërsisë botërore, që ka marrë shumë çmime. Presim të vijë që ta urojmë dhe të kalojmë çaste të mira në këtë edicion.” tha Shaip Emërllahu.

Dita e dytë e programit do të vijojë në qytetin e Strugës, Ohrit dhe Pogradecit ku do të mbahet ora letrare “Poete dhe Vargje” ku për librat do të flasin poetët dhe studiues të ndryshëm.

Dita e tretë do të hapet me ekspozitë fotografish nga “25 vjetori i FNP “Ditët e Naimit”, më pas do të mbahet një konferencë shkencore dhe do të shfaqet një film dokumentar. Ndërsa në mbrëmje do të mbahet ora e madhe letrare ku poet të ndryshëm do të lexojnë poezitë e tyre si dhe pesë çmime të tjera do të ndahen.

Në këtë festival do të marrin pjesë poetë nga vende të ndryshme të botës si Kongo, Italia, Rumania, Gjermania, Argjentina, Polonia, Norvegjia, Azerbajxhani, Kolumbia, Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Kanadaja, Moroko dhe të tjera.

Ndryshe, ky festival këtë vit mbështetet nga Ministria e Kulturës e Maqedonisë së Veriut.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button