fbpx

Çfarë shkruan në raportin e KE-së për përparimin e Maqedonisë së Veriut

Raporti i progresit për Maqedoninë e Veriut vë në dukje se vendi është mesatarisht i përgatitur për të luftuar korrupsionin dhe është arritur përparim i caktuar; sistemi gjyqësor është i përgatitur në nivel të moderuar; zhvillimi profesional i administratës është josistematik; ligjet për mbrojtjen e të drejtave themelore janë kryesisht në përputhje me standardet evropiane; Reforma e RTVM është e nevojshme për të siguruar pavarësinë financiare, transmeton Portalb.mk.

Komisioni Evropian e miratoi Paketën e Zgjerimit 2021 së bashku me raportet e progresit për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Maqedoninë e Veriut. Në Raport, i cili u prezantua dje pasdite në Parlamentin Evropian në Strasburg, Komisioni Evropian e kritikon bllokadën për fillimin e negociatave dhe është i kënaqur që Maqedonia e Veriut vazhdon të përmbushë kriteret për anëtarësim në BE dhe se autoritetet tregojnë orientim të qartë pro-evropian.

“Maqedonia e Veriut vazhdon të përmbushë kushtet për hapjen e negociatave për anëtarësim dhe autoritetet e kanë demonstruar publikisht përkushtimin e tyre të vendosur për të vazhduar në rrugën e BE-së. Vendi ka mbajtur ritëm të qëndrueshëm dhe vendimtar në avancimin e reformave të BE-së dhe i ka rritur përpjekjet për të dhënë rezultate të prekshme”, shkruan në raportin mbi progresin e reformës për Maqedoninë e Veriut.

Ursula von der Leyen, Zoran Zaev

Në Raport theksohet se reformat e BE-së janë proces afatgjatë, i cili kërkon angazhim të vazhdueshëm nga Qeveria dhe opozita, si dhe nga të gjithë aktorët socialë.

Maqedonia e Veriut është e mirëpritur në pjesën e harmonizimit të politikës së saj të jashtme me atë të Bashkimit në një normë prej 96 përqind, që është një rritje prej dy pikë përqindje në krahasim me vitin 2020.

“Në Mars 2020, anëtarët e Këshillit Evropian e miratuan njëzëri vendimin për hapjen e negociatave për anëtarësim me Maqedoninë e Veriut. Shtyrja e fillimit zyrtar të bisedimeve për anëtarësim kanë pasoja negative për besueshmërinë e BE-së”, paralajmëron Komisioni Evropian.

Komisioni thekson gjithashtu se çështjet dypalëshe midis Sofjes dhe Shkupit duhet të zgjidhen me prioritet.

Në vijim është ekstrakti përmbledhës nga Raporti i KE-së mbi Progresin e Reformës në Maqedoninë e Veriut:

Kriteret politike

Sa i përket kritereve politike, Maqedonia e Veriut i vazhdon përpjekjet për të forcuar demokracinë dhe sundimin e ligjit, duke përfshirë aktivizimin e mekanizmave ekzistues për shqyrtim dhe kontroll edhe nëpërmjet përfshirjes së çështjeve kryesore politike dhe legjislative.

Vendi ka treguar gatishmëri për të përmbushur të drejtat themelore në fushat kryesore, duke përfshirë Agjendën “Evropa në shtëp”i dhe “Planin aksionar 21” për luftën kundër korrupsionit. Raundi i parë i zgjedhjeve lokale u mbajt më 17 tetor. MVZ e OSBE / ODIHR vendosi vëzhgues në të gjithë vendin. Është arritur përparim i kufizuar në përmbushjen e rekomandimeve të OSBE/ ODIHR dhe Komisionit të Venedikut për periudhën e mbuluar nga Raporti. Një pasqyrë gjithëpërfshirës i Kodit zgjedhor dhe miratimi i ligjeve përkatëse ende nuk janë finalizuar në kohën e duhur dhe në mënyrë inkluzive.

Kuvendi

Partitë opozitare kanë mbetur aktive në parlament dhe herë pas here kanë mbështetur ligjet e lidhura me BE-në. Puna e Kuvendit, megjithatë, u pengua nga polarizimi politik, e plotësuar me pandeminë kovid-19, që ndikonte herë pas here në funksionet e tij të zakonshme. Nevojiten përpjekje për të forcuar rolin e Parlamentit si një forum për dialog politik konstruktiv, veçanërisht në agjendën e reformave të BE-së. Parlamenti vazhdoi të kryejë funksionet e tij ligjvënëse. Kujdes i madh duhet t’i kushtohet përdorimit të procedurave të përshpejtuara, të cilat duhet të kufizohen për të siguruar kontroll efektiv dhe konsultim të legjislacionit.

Parlamenti vazhdoi të ushtrojë mbikëqyrje të përshtatshme mbi ekzekutivin. Propozimet për reformën e brendshme të Parlamentit, të dakorduara gjatë raundit të tretë të “Dialogut Zhan Mone” në fillim të vitit 2020, mbetet të futen në përdorim. Përgjegjësia penale për ata që organizuan ose kryen dhunë në sulmin ndaj Parlamentit më 27 Prill 2017 vazhdoi të përcaktohej, përfshirë edhe aktgjykimet e shkallës së parë. Qeveria duhet të ruajë impulsin reformues dhe të përqëndrohetzbatimin e kuadrit ligjor ekzistues. Zbatimi në kohë dhe thelbësor i agjendës reformuese kërkon mbështetje të vazhdueshme nga shoqëria në tërësi. Marrëdhëniet ndëretnike mbetën të qëndrueshme dhe Marrëveshja Kornizë e Ohrit vazhdoi të zbatohet.

Organizatat civile mbeten edhe më tej aktive dhe luajnë një rol të rëndësishëm në procesin e reformës. Nevojiten përpjekje shtesë për të siguruar proces i konsultimeve më në kohë, kuptimplotë dhe transparent me shoqërinë civile. Në kontekstin e sfidave me të cilat përballen në rimëkëmbjen nga kriza e kovid-19, aktorët qeveritarë dhe joqeveritarë pritet të ndërtojnë partneritete afatgjata dhe të forcojnë bashkëpunimin ekzistues.

Reforma e sektorit të inteligjencës, e cila ka rezultuar me krijim të strukturave të reja dhe zhvillim të kuadrit ligjor, është pothuajse e përfunduar. Rekomandohet që shteti të forcojë kapacitetin e tij për mbikëqyrjen parlamentare të shërbimeve të inteligjencës.

Administrata publike dhe reformat

 

Maqedonia e Veriut është mesatarisht e përgatitur për të reformuar administratën e saj publike. Është arritur përparim i caktuar në finalizimin e rishikimit horizontal funksional të administratës shtetërore. Është e rëndësishme që rishikimi të miratohet nga Qeveria.

DAP, DHP, administrate, sportel, qytetar, administrata publike shteterore
Foto: Portalb.mk/Arbnora Memeti

Maqedonia e Veriut aktualisht është duke shqyrtuar kornizën legjislative për menaxhimin e burimeve njerëzore përmes rishikimit të Ligjit për Shërbyesit Administrativ dhe Ligjit për Administratën Publike dhe po fillon aplikimin e Ligjit të ri për menaxhment të lartë. Kuadri i ri ligjor duhet të përmirësojë menaxhimin e burimeve njerëzore në administratë dhe do të kontribuojë respektim të punësimeve, promovimeve dhe pushimeve nga puna bazuar në sistemin e meritave, përfshirë edhe menaxhmentin e lartë.

U prezantua monitorimi i raporteve për zbatimin e Strategjisë së reformës të Administratës Publike dhe Programit të reformës në menaxhimin e financave publike. Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) ka vazhduar të merret me rastet e pretenduara të nepotizmit, kronizmit dhe ndikimit politik në procesin e rekrutimit të punonjësve në sektorin publik dhe në procesin e emërimit të anëtarëve të bordeve mbikëqyrëse dhe drejtuese. Gjetjet dhe rekomandimet e tij duhet të ndiqen sistematikisht nga institucionet përkatëse.

Shumica e rekomandimeve të vitit të kaluar janë zbatuar pjesërisht. Në periudhën e ardhshme, vendi duhet të bëjë me sa vijon:

  • Ta miratojë dhe zbatojë Ligjin e rishikuar për nëpunësit administrativë, Ligjin për Administratën publike dhe Ligjin për menaxhent të lartë;
  • Ta miratojë dhe zbatojë Ligjin për organizimin dhe punën e organeve të Administratës shtetërore dhe ligje të tjera të ngjashme në përputhje me rekomandimet për organizim të ri të organeve shtetërore;
  • Të sigurohet zbatim i plotë i Ligjit për procedurë të përgjithshme aadministrative.

Në Raport më tej theksohet se zhvillimi profesional i administratës publike mbetet josistematik. Shumica e institucioneve ofrojnë trajnime të specializuara për stafin e tyre, por nuk ka një bazë të dhënash për të gjitha trajnimet që ofrohen nga institucione të ndryshme.

Sundimi i ligjit dhe të drejtat themelore

Vendi është mesatarisht i përgatitur për të zbatuar legjislacionin e BE-së dhe standardet evropiane në këtë fushë. Në përgjithësi, është bërë njëfarë përparimi, duke përfshirë forcimin e pavarësisë së gjyqësorit dhe zgjidhjen e rasteve të mosndëshkimit të policisë. Vazhdon zbatimi i strategjisë në gjyqësor, përfshirë Ligjin për Prokurori Publike, i cili përcakton përgjegjësinë për veprat penale që rrjedhin nga dhe në lidhje me bisedat e përgjuara ilegalisht.

Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, duke përdorur kompterncat e zgjeruara, vazhdon të japë rezultate, përfshirë në rastet e profilit të lartë. Korrupsioni është i shpërndarë në shumë fusha dhe mbetet një çështje shqetësuese. Maqedonia e Veriut vazhdon të përmbushë detyrimet e përgjithshme për të drejtat themelore, por ka sfida në zbatimin e legjislacionit ekzistues.

Zyra e Avokatit të Popullit duhet të rrisë buxhetin e saj, me çka do të angazhohet staf i specializuar, që ta përmbushë më mirë rolin e tij. Pavarësia funksionale e këtyre organeve duhet të garantohet vazhdimisht, përfshirë përmes burimeve përkatëse financiare.

Gjyqësori

Sistemi gjyqësor në Maqedoninë Veriut është i përgatitur në mënyrë të moderuar. Përparim i caktuar është arritur në zbatimin e reformës në drejtësi, duke rishikuar më tej rekomandimet e Komisionit të Venedikut dhe grupit të ekspertëve të lartë mbi çështjet sistemore të sundimit të ligjit.

Gjykata Supreme - Shkup
Gjykata Supreme – Shkup

Nevojiten përpjekje për të siguruar zbatim sistematik të planit të përditësuar aksionar për strategjinë e reformës në drejtësi dhe strategjinë e burimeve njerëzore për gjyqësor dhe prokurori. Institucionet gjyqësore vazhdojnë të zbatojnë rregullat e reja për emërim, ngritje në detyrë, procedime disiplinore dhe shkarkim të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Pjesa më e madhe e legjislacionit për zbatimin e Ligjit të rishikuar për Këshillin e Prokurorëve Publik është miratuar.

Është me rëndësi të vazhdojë zbatimi i kuadrit ligjor dhe planeve strategjike në lidhje me reformën e Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit të Prokurorëve Publikë. Projektligji i ri për Akademinë për Gjyqtarë dhe Prokurorë duhet ta mbajë Akademinë si pikën e vetme hyrëse në gjyqësi dhe prokurori dhe duhet të sigurojë qasje të drejtë dhe transparente në këto profesione.

Lufta kundër korrupsionit

Maqedonia e Veriut është e përgatitur mesatarisht në parandalimin dhe luftën kundër korrupsionit. Përparim i caktuar është arritur në parandalimin dhe luftimin e korrupsionit.

Përparimi është bërë sepse vendi ka vazhduar të forcojë arritjet e tij në hetime, përndjekje dhe gjykim të disa rasteve të korrupsionit, përfshirë ato të nivelit të lartë, si dhe duke e forcuar kuadrin institucional, në veçanti Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit dhe Prokuroria për Krim të Organizuar dhe Korrupsion.

Komisioni për Parandalimin e Korrupsionit (Antikorrupsioni)
Komisioni për Parandalimin e Korrupsionit (Antikorrupsioni)

Në Prill 2021, Parlamenti miratoi Strategjinë Kombëtare për Parandalimin e Korrupsionit dhe Konfliktit të Interesit 2021-2025 dhe planin e ndërlidhur aksionar, duke e konsoliduar angazhimin e vendit për parandalimin e korrupsionit dhe sanksionimin e sjelljeve korruptive.

Vendi ka një nivel të caktuar të përgatitjes në luftën kundër krimit të organizuar. Kuadri ligjor është kryesisht në përputhje me standardet evropiane dhe përpjekjet për zbatimin e strategjive kundër krimit të organizuar duhet të vazhdojnë. Përparim i caktuar është arritur në nivelin operacional, por duhet bërë më shumë për të përmirësuar efektivitetin e zbatimit të ligjit në luftë kundër formave të caktuara të krimit, si pastrimi i parave dhe krimi financiar. Koordinimi mbetet vendimtar për të gjithë aktorët e përfshirë në luftën kundër krimit të organizuar.

Të drejtat themelore

Korniza legjislative për mbrojtjen e të drejtave themelore është kryesisht në përputhje me standardet evropiane. Ligji për Parandalim dhe Mbrojtje nga Diskriminimi dhe Komisioni për Parandalim dhe Mbrojtje nga Diskriminimi kanë hyrë në fuqi. Procesi i deinstitucionalizimit ka arritur përparim real dhe shumica e fëmijëve tani strehohen dhe kujdesen në bashkësi të vogla. Ministria e Punës dhe Politikës Sociale investon në shërbime të caktuara, siç është mbështetja e viktimave të dhunës në bazë gjinore. Përparim i rëndësishëm është arritur me miratimin e Ligjit për Parandalim dhe Mbrojtje kundër dhunës ndaj Grave dhe dhunës në Familje, me mbështetjen e të gjitha partive politike.

Rekomandimet e organeve evropiane dhe ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, veçanërisht në lidhje me trajtimin e të paraburgosurve dhe të dënuarve, duhet të zbatohen plotësisht, pa vonesë.

Liria e shprehjes

Përparimi në lirinë e shprehjes është i kufizuar.

Konteksti i përgjithshëm i lirive të mediave është i favorshëm dhe lejon mbulim kritik nga  mediet edhe pse ka pasur tensione në rritje gjatë krizës kovid-19. Përpjekjet për vetë-rregullim duhet të vazhdojnë dhe të sjellin rezultate konkrete për avancimin e standardeve profesionale në gazetari.

MRTV
MRTV

Kërkohet transparencë më e madhe në reklamim nga institucionet shtetërore dhe partitë politike dhe reforma e RTVM-së për të siguruar pavarësi financiare për shërbimin publik. Përparimi në MRTV është penguar nga emërimi i anëtarëve në organet përkatëse.

Kriza me kovid-19 ka pasur pasoja të forta për sektorin e medias, veçanërisht për aktorët rajonalë dhe lokalë. Shtëpitë mediatike u përfshinë në paketën e ndihmës, por duhet të zgjidhen të drejtat e punës së gazetarëve.

Marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe bashkëpunimi rajonal

Marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe bashkëpunimi rajonal janë pjesë thelbësore e procesit të integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut dhe kontribuojnë në stabilitetin, pajtimin dhe në klimë të favorshme për të adresuar çështjet e hapura dypalëshe dhe trashëgiminë nga e kaluara. Maqedonia e Veriut ka vazhduar angazhimin e saj në një numër nismash rajonale, si Marrëveshja e Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA), Komuniteti i Energjetikës, Komuniteti i Transportit, Procesi i Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP) dhe Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal.

Pandemia kovid-19 e përshpejtoi  ambicien për të forcuar integrimin rajonal, duke forcuar lidhjet e rëndësishme midis tregjeve në rajon, si dhe midis BE-së dhe gjashtë ekonomive të Ballkanit Perëndimor. Duke i dhënë një perspektivë evropiane Ballkanit Perëndimor, BE-ja vazhdon ta trajtojë rajonin si partner të privilegjuar duke e lidhur atë me instrumentet dhe mekanizmat e Bashkimit, përfshirë lirimin e kufizimeve të përkohshme në eksportin e pajisjeve mjekësore nga BE-ja.

Kriteret ekonomike

Sa i përket kritereve ekonomike, Maqedonia e Veriut ka arritur përparim të caktuar dhe nivel të mirë përgatitjeje në zhvillimin e ekonomisë funksionale të tregut. E prekur nga pandemia, ekonomia hyri në recesion në vitin 2020. Rimëkëmbja graduale filloi në pranverën e vitit 2021. Qeveria ka miratuar përgjigje të fortë fiskale për të zbutur ndikimin e fortë të krizës mbi familjet dhe bizneset.

Deficiti fiskal u rrit në 8,2 përqind të PBV në vitin 2020, ndërsa borxhi publik u rrit në 60,2 përqind të PBV pasi duhej të plotësohen nevojat shtesë financiare.

Shpenzimet kapitale u zvogëluan me rebalancin e buxhetit për të bërë vend për pagesa të lidhura me krizat. Sidoqoftë, ato mbetën pa u përmbushur mjaftueshëm. Autoritetet ndërmorën masa shtesë për të përmirësuar transparencën fiskale, edhe pse regjistri i ndihmës shtetërore ende nuk është zhvilluar. Përparim i vogël është bërë për të përmirësuar mbledhjen dhe mobilizimin e të ardhurave, si dhe menaxhimin e investimeve publike.

Ligji i ri i buxhetit, i cili duhet të përmirësojë ndjeshëm menaxhimin fiskal, ende nuk është miratuar nga Parlamenti. Klima e biznesit ende has në pengesa nga ekonomia e përhapur joformale.

Mjedisi dhe ndryshimet klimatike

Maqedonia Veriut ka një nivel të caktuar gatishmërie në këtë fushë. Progres i kufizuar është arritur në ruajtjen e natyrës dhe ndryshimin e klimës. Megjithatë, zbatimi i menjëhershëm është i nevojshëm në të gjithë sektorët. Vendi inkurajohet të ngrejë ambiciet e tij në lidhje me tranzicionin e gjelbër, veçanërisht në kontekstin e Agjendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor. Shumica e rekomandimeve të vitit të kaluar nuk janë zbatuar.

Në vitin e ardhshëm, vendi duhet veçanërisht të bëjë me sa vijon:

  • Të përmirësojë koordinimit ndërsektorial dhe të rrisë burimet financiare për zvogëlimin e ndotjes së ajrit në nivel lokal dhe kombëtar;
  • Të ndërmarrë hapa të rëndësishëm për të krijuar sistem për menaxhim të mbeturinave në nivel rajonal;
  • Të zbatojë Marrëveshjen e Parisit, duke përfshirë miratimin e Strategjisë dhe Ligjit gjithëpërfshirës për ndryshimet klimatike, në përputhje me kornizën e BE 2030.

Ndryshe, Komisioni Evropian dje miratoi Pakon për Zgjerim 2021 bashkë me raportim e progresit për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe për Maqedoninë e Veriut. Në raportin që u prezantua dje pasdite në Parlamentin Evropian në Stresburg, Komisioni Evropian e kritikoi bllokadën për hapjen e bisedimeve dhe është e kënaqur që Maqedonia e Veriut vazhdon t’i plotësojë kriteret për anëtarësim të BE-së dhe që autoritetet tregojnë orientim të qartë pro evropian.

Ndërsa sot ky raport iu dorëzuar zëvendës kryeministrit për çështje evropiane Nikolla Dimitrov, nga ana e euroambasadorit David Gir.

Raportin e plotë të KE-së për Maqedoninë e Veriut mund ta gjeni: KËTU

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button