Cikël i ri ofertash të vjetra

Cikël i ri zgjedhjesh me oferta të përshtatura për ekonomitë ekzistenciale.

Një parti në pushtet që shahet dhe kritikohet para zgjedhjeve dhe sërish votohet. Nga interesi, nga presioni, nga bindja.

Një opozitë e përçarë që nuk arrin ta artikulojë pakënaqësinë e qytetarëve, as ta ngjallë entuziazmin dhe shpresën, veçanërisht te brezi i ri.

Vitet kalojnë dhe gjithçka sillet në rreth të mbyllur.

Politika pa vizion i kontrollon shpirtrat e njerëzve.

Ajo ka krijuar thasë me vota, që u mundësojnë disave t’i shijojnë kënaqësitë e pushtetit dhe t’i shmangen çdo përgjegjësie.

Ka krijuar sistem padrejtësie nëpërmjet gjykatësve të korruptuar që e vdesin demokracinë.

Ka krijuar inteligjencien partiake që flet me gjuhën pa sintaksë.

Ka krijuar masë servilësh që marrin pjesë në ndërtimin e kultit të liderëve.

Ka programuar vetëdije robi që është e përqendruar te dobishmëria e çastit dhe joshet nga spektaklet e politikës, e cila është bërë sport kombëtar.

“Panem et circenses” (bukë e lojëra). Lojëra gladiatorësh që turmës i ofrojnë spektakle dhe kënaqësi çasti.

Kjo është edhe “filozofia” e mediave që merren me tema banale për interesa autoritetesh politike.

Banalja adhurohet nga shumica dhe e largon mendjen nga problemet serioze të shoqërisë dhe njeriut.

Jetojmë në qytetërimin e argëtimit.

Sipas Hannah Arendt-it, kultura është fenomen i botës, kurse argëtimi është fenomeni i jetës.

Qytetërimi ynë funksionalizon gjithçka, sepse, siç thotë mendimtarja, jeta dëshiron që kultura të jetë funksionale dhe t’i kënaq nevojat pragmatike të njeriut pa kërkesa esenciale.

Nën kushte ekzistenciale shuhen kërkesat esenciale.

Ekzistenca i paraprin esencës, thotë Sartri.

Në kohë mbijetese vëmendja nuk përqendrohet tek esencialja, tek arti, kultura, shkenca, por te buka e përditshme, te çasti, tek e tashmja e përjetshme.

Populli pa mirëqenie, pa baraspeshë ndërmjet faktorit material e shpirtëror, sipas Nolit, rrezikon ta humb pavarësinë.

Në kësi gjendje vazhdon vdekërimi.

Vazhdon trysnia e filozofisë së provincës, klisheve, rutinës dhe mungesës së motiveve eprore.

Një jetë pa befasi, risi, veçanti.

Një jetë ku forca shkatërrimtare e “filozofisë së barazisë”, kësaj filozofie të turmës dhe populizmit, i fshin dallimet mes atij që mendon dhe atij që vepron pa menduar.

Nën diktaturën e “filozofisë së barazisë” të gjithë janë të njëjtë.

Çdokush mund të jetë eksperti universal që flet me kompetencë të frikshme për probleme të njohjes, qenies, duke u bazuar në mendimet e popullarizuara dhe sentencat banale të katragjyshërve.

Duhet guxim i madh të jesh ndryshe në shkretëtirën e shterpësisë mendore, ku distopia ka triumfuar mbi utopinë për një të ardhme më të mirë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button